Lajme

DOSJA ‘TAÇI’: Si u krye ajo që dyshohet si vjedhja më e madhe në historinë e Shqipërisë. Historia e 200 milionë dollarëve të naftës dhe e vërteta e lidhjeve me familjen Berisha

Rezar Taçi është zanafilla e problemeve që vijojnë ende sot të rafinerisë së naftës në Ballsh. Në vitin 2008 biznesmeni mori në kontroll 85% të aksioneve të ARMO nëpërmjet kompanisë Anika Mercuria Rafinery Associated Oil, AMRA Oil, për 128 milionë euro.

Ai e privatizoi kompaninë duke marrë një kredi nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit – drejtuesit e së cilës në 2016 u arrestuan për mashtrim financiar në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.

Nga 2009 deri në 2013, nën drejtimin e biznesmenit kontrovers që kishte asokohe lidhje të ngushta me familjen e ish kryeminstrit Sali Berisha – ARMO u rrënua nga një kompani e shëndoshë financiarisht në një shoqëri aksionere të mbytur në borxhe ndaj bankave, tatimeve dhe furnitorëve.

ARMO (me dy rafineritë e saj në Fier dhe Ballsh) u koletarizua tërësisht pasi akumuloi deri në vitin 2014 më shumë se 500 milion dollarë detyrime ndaj autoriteve fiskale, bankave, furnitorëve dhe palëve të tjera.

Nëpërmjet mospagesës së taksave, tregtimit të paligjshëm të naftës D2, kredive fiktive bankare dhe huadhënies drejt kompanive të tij të tjera si “Taci Oil” dhe “KUID,” Rezart Taçi dyshohet se arriti të zhvasë në mënyrë të paligjshme nga ARMO më shumë se 200 milion dollarë.

Kjo vjedhje e dyshuar nga biznesmeni, e cila mund të jetë më e madhja në historinë e Shqipërisë, ka ndodhur nën hundën e ish-qeverisë Berisha, e cila me veprimet dhe mosveprimet e saj e ka lejuar Taçin të shpërfillë tatimet dhe taksat për vite me rradhë.

Abuzimet e Taçit me ARMO-n u ‘zbuluan’ në 2014, pas një auditi të kryer për llogari të Heaney Assets Corporation – kompania azere e cila bleu paketën e aksioneve të AMRA Oil për 50 milionë euro në vitin 2013.

Azerët tentuan ta rivinin në punën ARMO-n duke dhënë me qira rafinerinë e saj në Fier, por barra e detyrimeve të kompanisë ishte e papërballueshme duke e çuar atë drejt kolapsit.

Taçi, Berisha dhe privatizimi i ARMO

Rafineria e Fierit është ndërtuar në vitin 1968, ndërsa kombinati i përpunimit të thellë të naftës në Ballsh u vu në shfrytëzim në vitin 1975. Të dy rafineritë ishin nën pronësinë e Albpetrolit- i cili u nda në vitin 1999 në tre kompani, SERCOM për shpërndarejn e naftës, ARMO për rafinimin dhe Albpetrol për prodhimin e naftës bruto.

Albania Refining and Marketing of Oil, ARMO,  përveç dy rafinerive përfshinte në asetet e saj tre degë të shtijes me shumicë, një institut kërkimor, një terminal eksporti si dhe kapacitete depozitimi prej 220 mijë metër kub.

Përpjekjet e para për privatizimin e ARMO filluan nga qeveria shqiptare në vitin 2003, kur ministria e Ekonomisë – në atë kohë e drejtuar nga Anastas Angjeli – ofroi 51 % ose më shumë të aksioneve të kompanisë për privatizimin nga një investitor strategjik. Megjithatë, tenderi në atë kohë dështoi pasi pati vetëm një ofertë me një çmim prej rreth 10 milionë euro.

Ish drejtori i ARMO nga viti 2002 deri në vitin 2005 Përparim Hajnaj, tregon se në kohën që ai drejtonte kompaninë rafineria e Ballshit prodhonte naftë dhe ajo e Fierit kryesisht bitume.

“Nafta jonë ka një veti unike në Europë, janë nafta të trasha me cilësi që varion nga 0 në 98 gr/cm3 pesha specifike e saj. Ishte naftë e trashë që mban fraksione të rënda,” tregon Hajnaj që ka një eksperiencë 40-vjeçare si inxhinier nafte.

“Përveç kësaj edhe bitumi ynë ishte shumë i kërkuar në tregun ballkanik. Ne furnizonim Bullgarinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën pra ishte një treg i siguruar. Me bitumin tonë janë shtruar të gjithë rrugët e këtyre vendeve. Ishte një ndërmarrje që e kishte prodhimin të sigurtë për tu shitur,” shtoi ai.

Sipas Hajnajt, edhe pse nuk arrinte të prodhonte naftë të cilësisë D1 [më pak se 0.1 % squfur] ARMO kishte një xhiro vjetore nga 90 milion USD deri në 120 milionë USD, kishte 2,135 punëtore dhe gjeneronte një fitim vjetor prej 3 milionë USD. Në vitin 2005 kompania vlerësohej me një çmim tregu prej 80 milion USD.

Në shkurt dhe mars 2008, Këshilli i Ministrave miratoi një seri vendimesh për paketën e aksioneve të ARMO-s që do të ofrohej për shitje si dhe mënyrën e paraqitjes, hapjes dhe vlerësimit të ofertave.

Këto vendime, të cilat bazoheshin në ligjin e vitit 2003 për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të rafinerisë, i hapën rrugën tenderit ndërkombëtar për shitjen e paketës kontrolluese të aksioneve të ARMO.

Tenderi për privatizimin e ARMO-s u organizua nga ministria e Ekonomisë në maj 2008 dhe vlerësimi i ofertave u asistua nga kompania amerikane e konsulencës Patton Boggs.

Paketa e aksioneve e ofruar për privatizim nga shteti ishte 85 %. Rreth 20 kompani paraqitën inters në privatizimin por vetëm 4 paraqitën oferta.

Pas hapjes së ofertave komisioni i vlerësimit, i cili përbëhej nga 11 anëtarë dhe drejtohej nga ish zëvendësministri i Ekonomisë Neritan Alibali, njoftoi me 22 maj 2008 që nga katër kompanitë ofertuese tre ishin kualifikuar. Në krye të listës qëndronte konsorcuimi Refinery Associates of Teksas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group me një çmim prej 128 milionë euro, dhe premitimin për 240 milionë euro investime në katër vitet e ardhëshme.

Pas konsorciumit fituest të tenderit qendronte biznesmeni Rezart Taçi.

Taçi kishte kohë deri në fund te dhjetorit për të bërë pagesën për privatizimin e aksioneve të ARMO por pagesa po vononte.

Javën e fundit që mbaronte afati Banka e Shqipërisë njoftoi se Taçi kishte bërë pagesën dhe paratë kishin hyrë nga Deutche Bank – 90 e ca milion [euro] dhe pjesa tjetër nga llogaritë e veta.

Ish drejtori Hajanaj, thote se kur u ble, kompanja në punë mbi 2000 punonjës dhe rreth 40 milion dollarë mall brenda në uzinë.

Paratë nga Azerbajxhani

Detajet se si Rezart Taçi e financoi blerjen e ARMO-s mbeten të mbështjella më një vello misteri. Megjithatë një padi e regjistruar nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit në gusht 2012 kundër Bankës Credins dhe AMRA oil, hedh dritë mbi origjinën e tyre.

Në vendimin e sigurimit të padisë të marrë nga gjyqtari Ilir Çeliku më 3 gusht 2012, nëvizohet që Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit, IBA, një institucion financiar 50.2 % në pronësi të shtetit azer, ka depozituar në nëntor 2008 në Bankën Credins shumën prej 75 milione euro me qëllim “kryerjen e investimeve në Shqipëri.”

Sipas dokumenteve të paraqitura përpara gjykatës së Tiranës nga IBA, rezulton që shuma prej 75 milionë euro është depozituar në Banka Credins në tre keste.

Kësti i parë është depozituar në llogari të Bankës Credins me datë 18 nëntor 2008 në shumën 30 milionë euro, kësti i dyti është depozituar me datë 19 nëntor në masën 40 milionë euro dhe kësti i fundit është depozituar me datë 21 nëntor 2008 në shumën  5 milionë euro.

Mesazhet SWIFT të shkëmbyera midis IBA-s dhe Bankës Credins tregojnë që transferta kishte për qëllim “financimin e AMRA Oil sipas kushteve të rëna dakord.”

Gjatë kohës në të cilën është kryer veprimi, AMRA Oil kishte fituar tenderin për shitjen e 85% të aksioneve të shoqërisë ARMO sh.a. dhe ishte në proces të përmbylljes së kontratës dhe kryerjes së pagesës,” shkruan gjykata në vendimin e saj.

Pra në këtë periudhë këto fonde ishin të domosdoshme për të realizuar qëllimin e tyre e konkretisht blerjen e 85% të aksioneve të shoqërisë.

Por sipas padisë një vit pas transfertave dhe blerjes së ARMO-s nga Rezart Taçi, IBA i ka këkuar kthimin e shumës mbrapsht Bankës Credins. Në fillim Credins ka mohuar marrjen e SWIFT-it, por më 19 korrik 2010 ka pranuar se paratë janë përdorur për të kredituar AMRA Oil.

Lexo më shumë  Nënsekretarja e Shtetit për Diplomacinë Publike në ShBA do të vizitojë Kosovën

“Rezulton nga provat e depozituara para gjykatës që Banka Credins në datë 15 korrik 2010, i kthen bankës IBA një shumë prej 1.5 milionë euro, e cila është dhe shuma e vetme e kthyer deri tani palës kërkuese nga shuma që ajo i kishte dërguar Crendins Bank sh.a,” shkruan gjykata në vendimin e gushtit 2012.

Nafta e D2 dhe vendimet e qeverisë

Një vendim i marrë nga qeveria Berisha me 21 mars 2007 “Për cilësinë e lëndëve djegëse, benzinë dhe diezel,” përcaktonte se nga 1 janari 2009, për përdorim nga automjetet në rrugë dhe gjeneratorët, lejohej vetëm tregtimi i naftës me cilësinë D1.

Ndërkohë përfaqësuesit e ARMO tashmë e privatizuar, ankoheshin që ky vendim i detyronte ato që investimin që duhet ta kryenin për katër vjet prej 120 milionë euro, me vendimin e marrë për nafën D2 duhet ta bënin në vitin e parë dhe nuk i kishin paratë.

Me 30 korrik 2008, qeveria nxorri një vendim tjetër për cilësinë e lëndës djegëse të prodhuar nga rafinimi i naftës bruto vendase, me anë të së cilit lejoi një përjashtim nga vendimi i marsit 2007 për ARMO-n për një periudhë 1-vjeçare.

Pas një ankimi të marrë nga Shoqata e Hidrokarbureve, Autoriteti i Konkurrencës i rekomandoi Këshillit të Ministrave ta shfuqizonte vendimin e korrikut 2008, pasi kufizonte konkurrencën në tregun vendas të hidrokarbureve.

Pas këtij rekomandimi Këshilli i Ministrave nxorri vendimin nr.52, datë 14.01.2009, i cili i jepte përsëri të drejtë ARMO’s të tregtonte naftë me cilësi D2, por rafineria duhet t’ia ofronte produktin të gjitha subjekteve tregtare të licencuara, me çmime dhe kushte të njëjta e transparente tregtimi.

Ky vendim i qeverisë u ankimuar nga Shoqata e Hidrokarbureve në Gjykatën Kushtetuese si i papajtueshëm me kushtetutën, sepse sipas tyre kufizonte lirinë ekonomike pa ligj dhe si i papajtueshëm me konventat ndërkombëtarë.

Gjykata kushtetuese e hodhi poshtë vendimin e qeverisë që përjashtonte ARMO-n nga kufizimi mbi shitjen dhe tregtimin e naftës D2.

Pak kohë pas vendimit të Gjykatës Rezart Taçi u shfaq përpara mediave me një enë qelqi në dorë dhe deklaroi me pompozitet se ARMO kishte arritur të prodhonte gazoil D1. Biznesmeni kishte investuar një shume minimale prej 3 deri në 4 milionë euro dhe arriti të prodhoj D1 duke e lëshuar squfurin në ajër.

Por edhe pse u pretendua që po prodhohej D1, kjo nuk arrit kurrë. ARMO prodhonte D2 dhe e shisnin për D1. Që të bëhej D1 duhet të bëheshin reparte të tjera të pastrimit të squfurit. Nuk kishte reparte të reja.

Shmangia nga taksat

Përpara privatizimit në vitin 2008 ARMO ishte një kompani e shëndetshme financiarisht. Kompania nuk kishte borxhe ndaj bankave dhe furnitorëve dhe përveç se punësonte mijëra punëtorë mbi organikë, i paguante shtetit rreth 30 deri në 35 milionë dollarë në vit nëpërmjet taksave të akcizës, tatim-fitimit, sigurimeve shoqërore dhe taksës karbonit.

Por pas privatizimit të kompanisë së hidrokarbureve nga AMRA Oil, e kontrolluar nga Rezart Taçi, problemet me mospagimin e taksave dhe tatimeve u shfaqën që në vitin e parë të administrimit.

Në maj 2009, Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj në Fier lëshoi një urdhër bllokimi për kompaninë e hidrokarbureve. Ky veprim u përserit në nëntor pasi ARMO nuk ishte “pajisur me autorizim si tatimpagues akcize si dhe nuk ka miratim të magazinave tatimore sipas kërkesave që përcakton ligji.”

“Kërkesat e herë pas hershme të administratës tatimore për plotësimin e këtyre detyrimeve ligjore nga ana e këtij tatimpaguesi nuk janë marrë parasysh që prej dhjetorit 2008,” tha në një njoftim për shtyp Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në nëntor 2009.

Në një reagim ARMO e cilësoi urdhërin e Tatimeve si të paligjshëm, ndërsa drejtori i saj në atë kohë Bledar Myrtaj, deklaroi se kompanisë po i shkatohej një dëm prej 5 milionë eurosh në ditë.

Nga viti 2010 deri në vitin 2013, ARMO nuk ka dorëzuar asnjë bilanc në Tatime dhe ka marrë vetëm disa gjoba të papërfillshme.

Megjithatë, nën vitin 2013 penalitetet vetëm për shmangien e akcizës kapën në mënyrë të menjëhershme shifrën e 19 milionë dollarëve, ndërsa në total gjobat arritën në 34 milionë dollarë.

Auditi i realizuar nga “Deloitte,” zbulon se kur Rezart Taçi e shiti ARMO-n në gusht 2013, detyrimit e kompanisë ndaj Tatimeve arrinin në 73 milion e 266 mijë dollarë.

Po ky dokument tregon se tre kredi me vlerë totale vlerë prej 50 milion euro të financuara nga banka FBME me seli në Nikosia të Qipros, rezultojnë të jenë fiktive. Vlera e tyre dyshohet se raportohej vetëm për të rritur kostot e shpenzimeve me qëllim që të shmangej pagesa e taksave.

Ish drejtori i ARMO Hajnaj thotë që bizneset e Taçit ishin kthyer në një tokë të ndaluar për Tatimet.

“Çdo privatizues ka në mendje t’ia hedhë shtetit, por është shteti që duhet ta kontrollojë,” tha ai. “Tatimet duhet të kontrollonin, por Taci nuk i pranonte të futeshin në kompani. I nxirrte jashtë me polici private,” Hajnaj shtoi.

Mungesa e kontrolleve tatimore konfirmohet edhe nga ish-ministri Ruli.

“Më ftoi Ridvani kur donte të ngrinte ekip për kontroll. Nuk kishte dorëzuar asnjë bilanc. Por për këto gjëra unë e mbyll gojën sepse është puna e pasardhësit tim, por jo se nuk e kuptoj se çfarë është bërë” tha ai ne nje interviste te 2016, duke iu referuar ish ministrit të financave Ridvan Bode.

Borxhet e ARMO-s

Sipas auditit të kryer nga “Deloitte” deri në shtijen e kompanisë tek Heaney Assets Corporation në gusht të vitit 2013, ARMO ishte koleteralizuar nëpër banka në shkëmbim të kredive tregtare dhe kishte akumuluar borxhe ndaj palëve të treta.

Duke vënë si kolateral asetet e kompanisë, Rezart Taçi ka marrë dy kredi të mëdha në bankat shqiptare, respektivisht 27.5 milion dollarë nga Raiffeisen Bank dhe 20 milionë dollarë nga Banka Credins.

Asnjëra prej këtyre nuk është shlyer, duke bërë që bankat të vendosin sekuestro mbi asetet e ARMO-s e të nxjerrin në ankand rafinerinë e Fierit.

Por më shumë se bankave, ARMO rezulton të jetë debitore ndaj palëve të treta. Një listë e gjatë me 10 kompani e nxjerr kompaninë e rafinimit të naftës bruto në borxh për shumën e 100 milion e 50 mijë dollarëve.

Lista e kompanive ndaj të cilave ARMO është debitore përfshin G&O Trading sh.a, Energy Trading sh.a., A&V Oil, Liona sh.a., Standart Oil sh.a., Eroil sh.a., Deveron sh.a., Tea Construction and Petrol sh.a., Fit-Mek-Oil sh.a. dhe United Colors.

Sipas një padie të rregjistruar në Mars 2012 në Gjykatën e Tiranës, Albpetrol pretendon për 40 milionë dollarë detyrime nga ARMO.

Një çështje tjetër ligjore është në proçes mes ARMO-s dhe një kompanie panameze Wallis Trading Inc në Gjykatën e Arbitrazhit në Zvicër. Panamezët kërkojnë nga ARMO kthimin e 26 milion dollarëve të cilat janë dhënë shumë kohë më parë.

Rezart Taçi kishte lënë kolateral një sasi inventari nga ARMO për këtë shumë, me vlerësim të bërë nga firma Societe Generale de Surveillance, SGS, por në momentin që është kërkuar kolaterali për tu ekzekutar, nuk është gjetur asgjë.

Një tjetër kërkesë e panamezëve është edhe për kthimin e 15 milion dollarëve të cilat pretendojnë t’ia kenë dhënë tre kompanive të tjera të Rezart Taçit: Anika Enterprises S.A., Taçi Oil ITSC dhe KUID sh.a. në bazë të marrëveshjeve lehtësuese që kanë patur.

Lexo më shumë  USAID dhe Universiteti i Iowa-s ndihmojnë studentët e Kosovës të përgatiten për tregun e teknologjisë informative

Shpenzimet në media, sport dhe për fondacionin e Liri Berishës

Ndërkohë që ARMO mblidhte borxhe dhe detyrime qindra milionë dollarëshe ndaj Tatimeve, bankave, Albpetrolit dhe një liste të gjatë kompanish të tjera që i ofronin shërbime; Rezart Taçi ishte i zënë teksa krijonte në publik imazhin e biznesmenit të suksesshëm dhe të plotfuqishëm – dhe për të arritur këtë qëllim ai nuk u kursye.

Nga vitin 2008 deri në 2012, ai organizoi në Tiranë nëpërmjet kompanisë së tij Taçi Oil, eventin “Milan Junior Camp”, një kamp veror për futbollistë të rinj nga mosha 8 deri në 16 vjeç, të cilët trajnoheshin nga lojtarë të famshëm të skuadrës së Milanit.

Në 2008 dhe 2009 kompania e tij organizoi dy ndeshje miqësore bamirësie midis skuadrës së Tiranës dhe Milanit në stadiumin Qemal Stafa në Tiranë, në të ashtëquajturin trofeu “Taçi Oil.”

Të ardhurat që mblidheshin nga trofeu shkonin për Fondacionin e Fëmijëve Shqiptarë “Domenico Scaglione” të drejtuar nga Liri Berisha- bashkëshortja e kryeministrit Sali Berisha.

“Ardhja për herë të dytë e një skuadre si Milani, kaq të dashur në gjithë botën. Misioni për të ndihmuar për fëmijët në nevojë për të gjithë ata që janë në nevojë. Modelet që janë idhuj në të gjithë botën merr një përmasë. Jemi me fat që mbështetemi nga një skuadër si Milani,” theksoi Liri Berisha në 2009 gjatë një konference për shtyp përpara ndeshjes së bamirësisë.

Taci Oil listohej nga Fondacioni si një nga mbështetësit e tij në faqen e internetit.

Në vitin 2010 Rezart Taçi solli në Tiranë për një ndeshje miqësore Realin e Madridit, një nga skuadrat e futbollit më të pasura në Europë dhe botë.

Në qoftëse për Milanin besohet që manjati shqiptar harxhonte 2 milion euro, ndeshja me Realin e Madridit raportohet t’i ketë kushtuar 5 milionë euro.

Në sezonin 2011-2012 Taçi Oil u bë dhe sponsor zyrtar i skuadrës së Milanit.

Në gusht 2009 Taçi është përfoluar si një blerës potencial për skuadrën italiane të futbollit Bolonja FC, e cila në atë kohë militonte në Serie A. Më 21 dhjetor 2014, nëpërmjet kompanisë Dastraso Holdings Limited ai bleu klubin e Parmës dhe emëron president 29 vjeçarin Ermir Kodra, vetëm për të hequr dorë nga skuadra pas disa javësh.

Përveç sportit Taçi iu fut dhe fushës së medias në vitin 2010, pasi mori në pronësi Alsat TV, i cili u riemëruar Albania Screen.

Ne korrik 2010, ai solli në Tiranë bashkëshorten e ish-kryeministrit të Britanisë Tony Blair, Cherie Booth, e cila u ul në Tiranë me një avion privat për të prerë shiritin e përurimit të  stacionit të ri televiziv.

Taçi e përshkroi vizitën e saj si të “paçmueshme” dhe madje e cilësoi Booth si “kumbarin” e televizionit.

Një gjykatëse e njohur dhe avokate e të drejtave të njeriut, Booth mori pjesë në ceremoni duke theksuar rëndësinë e medias së lirë dhe të pavarur në një shoqëri demokratike.

Tre vjet më vonë Albania Screen familentoi.

“Taci lidhjet i kishte, e njihte tregun, njihte sektorin e naftës, por ai shkoi më pas në delir. Iku në Itali, jo me Berluskonin, edhe ia vari fare pastaj,” tha.ish-ministri Ruli ne intervisten e 2016.  “Ai degjeneroi tërësisht si biznesmen, sepse s’mund të thuash që ishte njeri pa instinkt biznesi,” Ruli shtoi.

Për mënyrën se si Taçi menaxhoi ARMO-n ish drejtori Hajnaj është i një mendje me Rulin.

“I ra më shkurt. Nuk investoi. Që të investosh duhet të presësh që të marrësh fitimin. Ata donin të merrnin para shpejt dhe të fitonin menjëherë,” tha ai.

“Fitonin në cilësinë e saj, në taksa dhe në kredi. Me paratë e ARMO-s sillte Real Madrid të luante me Ersekën” Hajnaj shtoi.

Privatizimi i Albpetrol

Në shtator 2012 qeveria e ish kryeministrit Sali Berisha hapi një tender ndërkombëtar për privatizimin e kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës bruto, Albpetrol.  Për privatizimin e kompanisë qeveria punësoi përsëri kompaninë amerikanë të konsulencës Patton Boggs, e cila e vlerësoi Albpetrolin në një vlerë 300 milionë dollarë.

Katër kompani dhanë oferta për privatizimin e Albpetrol, dhe Vetro Silk Road Equity Ltd e regjistruar në Singapor u rendit fituesi me ofertën e majme prej 850 milionë euro.

Në një konferencë për shtyp me 5 tetor 2012, Taçi shfaqet përsëri në skenë duke deklaruar se ai është pjesë e konsorciumit që ka fituar tenderin për privatizimin e Albpetrolit.

Sipas të dhënave të bëra publike Vetro energy ishte 51 % nën pronësinë e YPO Holdings –një kompani nën pronësinë e Taçit e regjistruar në Singapor, dhe 49 % në pronësi të fondit amerikan të investimeve Silk Road Equity.

Por ndryshe nga privatizimi i ARMO, Vetro dështoi të siguronte paratë për privatizimin e Albpetrol dhe qeveria e anulloi tenderin në janar 2013.

Kompania kishte ofruar një garanci prej 85 milion euro nga American Chartered Bank në Çikago – e cila më vonë u zbulua që ishte falso.

Shitja e dyshimtë te azerët

Në verën e vitit 2012 kompania e rafinimit të naftës ARMO ishte nën presion nga Tatimet, Doganat, bankat, Bankers Petroleum dhe Albpetroli- i cili nuk i jepte më naftë bruto dhe e kishte paditur për detyrimet në gjykatë.

Pasi Taçi nuk arriti të bentë pagesën marramëndëse prej 850 milionë eurosh për privatizimin e Albpetrol, Tatimet zbarkuan në rafineritë e tij duke e sanksionuar me detyrimet e prapambetura dhe gjoba.

Në gusht 2013, mediat lajmëruan që aksionet e AMRA Oil tek ARMO i shin shituar një fondi investimesh azer të quajtur Heaney Assets Corporation – i cili ishte i regjistruar në parajsën fiskale të ishujve Brtianikë Virxhin – për 50 milionë euro.

Heaney Assets Coporation nuk bëri një audit të ARMO-s në momentin e blerjes së kompanisë. Një audit i porositiuar nga kompania azere dhe i prodhuar nga “Deloitte” një vit më vonë do të zbulonte falsifikime të mëdha të bilancit të ARMO-s dhe kredi të dyshimta ndaj kompanive të lidhura si “Taçi Oil” dhe “KUID.”

“Gjatë vitit 2013-të, shoqëria zbuloi mospërputhje ndërmjet invetarëve në sistemin kontabël dhe invetarëve sipas proçesverbaleve më 31 dhjetor 2012.” shprehet raporti i “Deloitte”.

Siaps auditit të “Deloitte” disa ditë përpara shitjes në gusht 2013, ARMO i ka dhënë 69 milionë dollarë kredi kompanive “Taci Oil” dhe “KUID sh.a.”

“Huatë e dhëna ndaj këtyre kompanive janë disbursuar para datës së ndryshimit të strukturës së aksionerëve” shprehet raporti i auditimit të “Deloitte.”

16 punonjës të Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit, IBA sëbashku me drejtuesin e tyre sot ndodhen në burg, për një sëri kredish të këqija.  Financimi i blerjes së ARMO në gusht 2012 besohet se është një nga këto kredi.

Në datën 6 gusht 2013-të, ishte pikërisht drejtuesi i kësaj banke, që është bankë shtetërore (50% të kapitalit të saj e ka Ministria e Financave të Azerbajxhanit), i cili urdhëroi një transaksion prej 50 milion eurosh për të blerë 100% të aksioneve të Anika Merkuria Refinery Associated Oil sh.a.

Kjo blerje u bë në kundërshtim me rregullat e Bankës, pasi urdhëruesi nuk ishte pronari, por thjesht menaxheri.

Sipas të njejtit burim zyrtar, financimi i dyshimtë i shitjes së ARMO në gusht 2013 “shpjegon edhe arsyet se përse pronarët e rinj të saj nuk bënë asnjë kontroll më parë të gjendjes financiare të rafinerisë. Kur u përballën me situatën në të cilën ndodhej firma, për ta ishte shumë vonë”./Dita

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *