Don’t look over there/ Ukraina është sot emri më i rëndë i botës që dëshmon se i kishim bërë llogaritë gabim
Shkruan Elvis Hoxha
Ukraina është sot emri më i rëndë i botës që dëshmon se i kishim bërë llogaritë gabim. Nëse ka ndonjë garanci, sot është ekzistenca e NATO-s, e cila sido e sado të kritikohet, është alencave e vendeve që i kanë respektuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut më mirë se të pjesa tjetër e planetit. Mund të kemi për demokracinë perëndimore shumë vërejtje, mund të kemi vërejtje mbi pabarazitë koloniale mbi të cilat është ndërtuar e mbi pabarazitë ekonomike të cilat i prodhon përditë e mbi të cilat bazohet. Por, që nga këto vërejtje, të shkojmë deri në justifikim të Putinit, oligarkut më të madh në pushtet dhe vrasësit më të madh të demokracisë pas Stalinit, ky do të ishte një vështrim jashtëzakonisht i cekët.
Kina dhe Rusia nuk janë vende komuniste, por vende moniste që e kanë shtyrë neoliberalizmin në skaj. Shumë mendimtarë perëndimorë e kanë njoftuar që në fillim të viteve 90 se Lindja po zëvendësonte monizmin komunist me monizëm neo-liberal. Nga përgjumja e mendimit dhe fitorja e individualizmit mbërritëm në këtë pikë. Paqja e përjetshme na kishte mbyllur sytë dhe nuk shihnim se shoqëritë e pamësuara me demokracinë mund të pjellin gjithnjë situata tragjike. Por në sfondin e armëve bërthamore, shoqëri të tilla që nuk kanë asnjë mundësi reagimi, as në Kinë e as në Rusi, nuk janë vetëm problem i vetvetes. Popujt e këtyre vendeve dhe ushtritë e tyre janë marrë peng nga versione oligarkë të Stalinit dhe Maos. Në horizontin më të kërcënuar të botës nga armët dhe katastrofa natyrore, në Lindje lindin vetëm autokratë, që duke u nisur nga fuqia e shteteve të tyre përbëjnë rrezik për masën njerëzore botërore.
Është pra garancia më e madhe ekzistenca e NATO-s, sepse me ngadalësinë e veprimeve të shteteve perëndimorë, të cilët i respektojnë rregullat, madje burokratikisht e me shijen teknokratike të negociatave, veprimi i koordinuar i shteteve të lirë do të ishte shumë më i vonuar e shumë i rrëmujshëm. Sa më shumë vonohet koordinimi i botës së lirë, aq më shumë është i kërcënuar populli i Ukrainës.
Shoqëritë e shteteve të Evropës perëndimore po votojnë masivisht prej një dekade ose të djathtën ekstreme që e sheh Rusinë dhe Kinën si shembuj të nacionalizmit ngadhnjimtar, ose të majtën ekstreme që simpatizon Rusinë dhe Kinën nga urrejtja që ka për Amerikën. Të parët nuk kuptojnë se Putini dhe Jipingu nuk janë nacionalistë, por vetëm pasunarët e pushtetshëm të vendeve të tyre. Të dytët nuk kuptojnë se kinezët dhe rusët e sotëm janë amerikanët e shtyrë në skaj të kapitalizmit. E pra, shtetet perëndimorë, këto shoqëri të vonuara, pa NATO-n, nuk do të dinin të silleshin si në situatat e luftës së ftohtë. Kujtoni sesi e dëmtonte NATO-n Trumpi, si e cilësonte në vdekje klinike Macroni, dhe si e fuste në skizofreni Erdogani në miqësitë e tij sporadike me Putinin. Tani NATO del se është e domosdoshme. Putini nuk e ka frikë Ukrainën sepse futet në NATO, por sepse mund të integrohet në Evropë. Dhe atëherë nuk mund ta pushtojë më aq lehtë.
Rusia kërkon të pushtojë sa më shumë Ukrainë, dhe të ndalet në një paqe ku të ketë sipërfaqe më të madhe. Rusia gjen kërcënimet e NATO-s dhe gjenocide që nuk ekzistojnë si shkak të pushtimit. Kaq është qëllimi i shteteve pushtues. Pas pak vitesh shteti gjen përsëri arsyet e njëjta për të pushtuar copa të tjerë shtetesh. Për këtë qëllim, barbari i pajisur me armë bërthamore mund të bëjë gjëmën. Kur autokratët oligarkë të Lindjes shkatërronin me shpejtësi cilësinë demokratike të shoqërive të tyre, problemi shihej si i brendshëm i këtyre vendeve. Jashtë shihej vetëm numri i migracionit. Sa më shumë migrim, aq më shumë dobësoheshin në cilësi shoqëritë e Lindjes. Tani Putini nuk ka rezistencë të brendshme. Xi Jipingu nuk ka rezistencë të brendshme. Kur autokratët ndërmarrin luftëra, lufta nuk ka si të mos të jetë botërore, sado që në perëndim individët t’i thonë vetes: don’t look over there, në hapësirë e në kohë.
Kujdes: është vonë, por ka edhe më vonë.
Rruga Press