(Dokument) Çka parashihte marrëveshja mes Përparim Ramës dhe Dukagjin Lipës?
Pasditen e së martës është bërë e ditur se festivali “Sunny Hill” nuk do të mbahet në Prishtinë por se do të bartet në Tiranë.
Ky festival që planifikohej të mbahej nga 4 deri më 7 gusht të këtij viti në një pronë prej 17 hektarë në periferi të kryeqytetit, është anuluar..
Për zhvendosjen e festivalit për në kryeqytetin shqiptar, institucionet kosovare po ia hedhin fajin njëra-tjetrës.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama fajin po e drejton te Qeveria, për vonesat në vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit që ishte nxjerrë me shumicë votash në Kuvendin Komunal në muajin maj.
E në anën tjetër, ekzekutivi, përkatësisht Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e cila merret me vlerësimin e ligjshmërisë së vendimeve që dalin nga kuvendi komunal e kryesisht kur në pyetje janë pronat, po thotë se ‘nuk bëhet fjalë për anulim’ por i kanë dërguar disa kërkesa e sqarime.
KALLXO.com ka siguruar marrëveshjen për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme mes Kryetarit Përparim Rama dhe Dukagjin Lipës, drejtorit të “The Sunny Hill” Sh.p.k.
Prona me gjithsej 17 hektarë tokë do t’i jepej në shfrytëzim “The Sunny Hill” Sh.p.k për 99 vite, në Bërnicë të Poshtme.
Sipas kontratës, “The Sunny Hill” Sh.p.k është e obliguar që gjatë një viti kalendarik, deri në 60 ditë, t’ia lë në dispozicion Komunës së Prishtinës, pronën e paluajtshme të dhënë në shfrytëzim, për organizimin e eventeve.
Por nga këto organizime të Komunës së Prishtinës, nuk mund të jenë të tilla, në të cilat paguhen bileta dhe të asnjë qëllimi tjetër të përfitimit financiar si dhe nuk mund të jenë festivale që i bëjnë konkurrencë festivalit Sunny Hill.
Përveç asaj, eventet e organizuara nga Komuna se Prishtinës nuk guxojnë ta tejkalojnë kapacitetin prej 3,000 personave dhe udhët të jenë organizime të të muzikës klasike, xhaz muzikës, Filarmonisë se Kosovës si dhe nikoqir te orkestrave filharmonike nga mbarë bota.
Eventet në “Sunny Hill Park” në asnjë rast nuk guxojnë të kenë karakter fetar, politik apo ideologjik.
Në fund të ditës, 30 % nga të hyrat e aktiviteteve të tjera të organizuara nga “The Sunny Hill” sh.p.k. do t’i takojnë Komunës së Prishtinës.
Sipas kontratës, “The Sunny Hill” sh.p.k, nuk ka të drejtë që të ndërtoj objekte jashtë planit të miratuar të biznesit dhe nuk ka të drejtë që të ndryshoj qëllimin e destinimit të pronës ne shfrytëzim.
Kallxo.com publikoi të martën dokumentin të cilën ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi i ka dërguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama katër ditë më parë, më 10 qershor.
Ministri kishte kërkuar që të bëhen disa ndryshime.
Ministria kishin kërkuar që të ndryshohet kohëzgjatja e dhënies së pronës komunale në shfrytëzim, përdorimi i përbashkët jashtë kalendarit të festivalit me Komunës e Prishtinës dhe të përfshihet mundësia e shfrytëzimit që parcela të mund të shfrytëzohet edhe nga festivalet e tjera.
Në momentin kur këto çështje përfshihen, ministri i thotë kryetarit Rama që ndryshimet t’i nënshtrohen sërish për aprovim Kuvendit Komunal, e pastaj të shkojnë në MAPL për vlerësimin e ligjshmërisë.
“Bazuar në frymën e diskutimit të sotëm dhe pajtimit të përgjithshëm që procesi i dhënies së pronës komunale për festivalin është e rëndësishme pikërisht për faktin që kjo vendos Kosovën në hartën botërore të kulturës dhe artit, jemi të interesuar që të kujdesmi që ky proces të jetë proceduralisht në rregull dhe të zhvillohet mbi parimin e përgjegjësisë institucionale”, thuhet në shkresën e ministrit të MAPL-së.
“Jemi të gatshëm që me përkushtim maksimal t’ju ndihmojmë që ky proces të jetë në rregull dhe t’i eliminojë çdo dilemë të ngritur”, shtoi ai.
Në anën tjetër, Kryetari Përparim Rama reagoi pas lajmit së dështoi “Sunny Hill” duke thënë se dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën.
“Një vendim i tillë, i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm. Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën”, ka shkruar Rama.
E i lumtur nga ky vendim u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për faktin që festivali do të mbahet në Tiranë.
“Ska si Tirona, jo”, shkroi kryeministri Rama./Kallxo.com
Rruga Press