KryesoreLajme

Dita Ndërkombëtare të Rinisë, Kurti: Të rinjtë duhet të jenë në qendër të politikave dhe vendimmarrjes

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se të rinjtë dhe të rejat duhet të jenë në qendër të politikave dhe vendimmarrjes.

Në aktivitetin “Zëri yt, e ardhmja jonë”, Kurti theksoi se rreth 40 për qind e popullsisë së Kosovës përbëhet nga të rinj.

Ai tha se Qeveria ka ndërmarrë një sërë masash në arsim, punësim, kulturë dhe sport, me synim krijimin e mundësive më të mira për të rinjtë.

Sipas Kurtit, përmes sistemit dual të arsimit është synuar lidhja më e madhe mes arsimit profesional dhe tregut të punës, ndërsa në arsimin e lartë janë ofruar bursa dhe mbështetje financiare për mijëra studentë.

Ai përmendi edhe programin superpuna, përmes të cilit, sipas tij, janë punësuar më shumë se 23 mijë të rinj nga mosha 18 deri në 29 vjeç. Prej tyre, 51 për qind janë vajza dhe 49 për qind djem, ndërsa rreth 10,500 biznese kanë përfituar nga programi.

Kurti tha se potenciali i të rinjve po reflektohet edhe në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, veçanërisht në eksportin e shërbimeve.

Lexo më shumë  Wall Street Journal: Si përfundoi dhëndri i Trump në një aferë me gangsterin shqiptar

“Rininë e shohim edhe si të tashmen, meqenëse është një pjesë e madhe e çmuar e shoqërisë sonë”, tha Kurti.

Ai theksoi se mbështetja për të rinjtë duhet të vazhdojë edhe në kulturë dhe sport, ndërsa u bëri thirrje të rinjve që të komunikojnë me institucionet dhe të shprehin nevojat dhe kërkesat e tyre.

“Ne nuk i premtojmë rinisë, ne zotohemi dhe realizojmë tash dhe këtu për të”, deklaroi Kurti, duke i uruar të rinjtë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.

Ministri në detyrë i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka thënë se të rinjtë duhet të kenë më shumë hapësirë për të shprehur idetë, shqetësimet dhe kërkesat e tyre, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së tyre në vendimmarrje.

Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, Gashani tha se institucionet duhet jo vetëm t’u kërkojnë të rinjve të bëhen pjesë e proceseve, por edhe t’u krijojnë mundësi konkrete për angazhim.

Ai bëri të ditur se këtë vit Dita Ndërkombëtare e Rinisë po shënohet përmes iniciativës “Zëri yt, e ardhmja jonë”, përmes së cilës të rinjtë do të pyeten se çfarë dëshirojnë të arrijnë, çfarë i pengon dhe çfarë mbështetjeje u nevojitet.

Lexo më shumë  Gruaja e Havzi Nelës: Vetëm në Shqipëri, biri i një ekzekutori bëhet kryeministër. Më gjeni një vend në botë ku ndodh kjo!

Sipas Gashanit, pas statistikave për punësimin, arsimin, mobilitetin dhe mirëqenien e të rinjve qëndrojnë njerëz me ëndrra, ambicie dhe sfida konkrete.

“Përgjegjësia jonë si institucione është jo vetëm t’u themi të rinjve ‘bëhuni pjesë’, por t’u krijojmë hapësirën dhe mundësitë që realisht ata të bëhen pjesë”, u shpreh ai.

Gashani përmendi edhe iniciativat për mobilitetin e të rinjve, duke veçuar Kartën Rinore Evropiane dhe Kosovo Generation Unlimited. Ai foli gjithashtu për avancimin e platformës së vullnetarizmit në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Sipas tij, vullnetarizmi duhet të njihet dhe të certifikohet, në mënyrë që përvoja e fituar nga të rinjtë të ketë vlerë edhe në rrugëtimin e tyre profesional.“Politika për rininë është përgjegjësi e jona e përbashkët”, shtoi Gashani.

YouTube player