Dita e Gjuhës Amtare, shqipja ruajti identitetin e shqiptarëve
Çdo 21 shkurt bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, pavarësisht se në Kosovë e Shqipëri kjo ditë kalohet me aktivitete të pakta apo fare. Mbrojtja e gjuhëve në botë, lufta kundër zhdukjes së tyre dhe ruajtja e identitetit të kombeve nëpërmjet gjuhës, janë qëllimet kyç të manifestimeve që organizohen në këtë ditë.
Të vetëdijshëm për rëndësinë e gjuhës për një komb, te shqiptarët përpjekjet për kultivimin e shqipes hasen që te shkrimtarët filobiblikë, ndërsa kulminacioni u arrit në periudhën e Rilindjes Kombëtare.
Sejdi Gashi, bashkëpunëtor shkencor në degën e gjuhësisë në Institutin Albanologjik, në vigjilje të kësaj dite tha për KosovaPress se ende mbetet punë për të bërë në zhvillimin dhe kultivimin e gjuhës shqipe.
“Përpjekjet për zhvillimin dhe kultivimin e shqipes janë të hershme të shqiptarët. Bile fillet e para të një vetëdije mbi gjuhën në kuptimin institucional dhe të organizuara i hasim që të shkrimtarët e vjetër të shqipes, të shkrimtarët filobiblik, Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani, Jul Variboba, Frank Bardhi e kështu me radhë dhe veçmas një kulminacion do të thosha mbi vetëdijen kombëtare dhe mbi vetëdijen për gjuhën shqipe dhe gjuhën kombëtare është në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptarë për të vazhduar pastaj në drejtimin e kohëve tona. Sa i përket zhvillimit dhe kultivimit të gjuhës shqipe janë bërë përpjekje por ende mbetet punë për tu bërë në këtë drejtim”, tha Gashi.
Profesori Gashi thotë se të shqiptarët gjuha ishte shumë e rëndësishme pasi u shndërrua në mjet kryesor të identifikimit kombëtar.
“Profesori Eqrem Qabej ka thënë që një prej shenjave të para të kombësisë është gjuha, jo vetëm në rastin e shqiptarëve por në përgjithësi të popujt, kombet e ndryshme, prej shenjave të para të kombësisë të identitetin të tyre është gjuha në theks të veçantë të shqiptarit sepse shqiptarët duke mos pasur shtet deri vonë siç e dimë deri në vitin 1912 veçmas edhe ne në Kosovë deri vonë nuk kishim shtet tonin, gjuha ishe ajo që na mbajti gjallë, që ruajti identitetin tonë, qenien, të kaluarën, trashëgiminë tonë, prandaj unë them që të shqiptarët gjuha është mjeti kryesor i identifikimit të tyre kombëtar”, vijoi Gashi.
Përdorimi i fjalëve të huaja për profesorin Gashi është diçka normale siç e sheh normale edhe tendencën e gjuhëve të vendeve më të zhvilluara të imponojnë fjalë te gjuhët e vendeve më pak të zhvilluara.
“Përdorimi i fjalëve të huaja është prezent në çdo gjuhë, jo vetëm në gjuhën tonë. Kjo vjen si rezultat i disa faktorëve, marr parasysh procesin e globalizimit, në çdo gjuhë depërtojnë fjalët si rezultat i marrëdhënieve, kontakteve intensive mes kombeve, mes popujve, kështu ka ndodhur edhe në gjuhën tonë. Është e natyrshme që gjuhët më të mëdha, kulturat, shtetet më të mëdha dhe ekonomitë më të zhvilluara kanë tendencë të ofrojnë nga fjalori, gjuha e tyre te ato gjuhë që janë më të pazhvilluara dhe kanë folës më të pakët në këtë drejtim”, tha shtoi ai.
Profesori kërkon nga institucionet e vendit që t’i kushtojnë më shumë rëndësi Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, pasi kështu veprojnë shtetet e tjera.
“Institucionet tona përgjithësi viteve të kaluara nuk i kanë kushtuar shumë kujdes Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, shtetet e tjera i kushtojnë rendësi të veçantë kësaj dite të shënuar, veçmas ato shtetet që kanë një nivel emancipimi, nivel kulturor, nivel të zhvillimit ekonomik më të fuqishëm dhe më të avancuar se ne. Megjithatë edhe ne në Kosovë dhe Shqipëri në ato mundësitë tona i kemi organizuar dhe e kemi plan të organizojmë”, deklaroi Gashi.
Instituti Albanologjik është ftuar në një aktivitet të përbashkët ne Agjencinë e Zbatimit të Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, ku kumtues, studiues të fushës së gjuhësisë nga të gjitha trevat shqiptarë do të marrin pjesë me punimet e tyre që ia dedikojnë 21 shkurtit Ditës Ndërkombëtare të gjuhës amtare, ndërsa në Prishtinë me organizim të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit mbahet aktiviteti “Gjuha, shoqëria, e ardhmja”.
Rruga Press