KryesoreLajme

“Diplomacia e dollarit” vjen në Shqipëri/ The New Yorker: Si u hapën dyert për Kushnerin

Shqipëria zë një pjesë të rëndësishme në një investigim të gjatë të revistës prestigjioze amerikane The New Yorker për Jared Kushnerin, dhëndrin e Presidentit Trump.

Në shkrimin e publikuar më 14 shtator, gazetari Dexter Filkins ndalet gjatë te marrëdhënia e Kushnerit me Edi Ramën, projektet në Sazan dhe Zvërnec, statusi i investitorit strategjik, ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura, protestat dhe problemet e pronësisë mbi tokën ku parashikohet investimi.

Por për të kuptuar se përse Shqipëria futet në këtë investigim, duhet kuptuar më parë teza e tij.

Shkrimi titullohet “Diplomacia e dollarit e Jared Kushnerit”, ndërsa nëntitulli është edhe më i drejtpërdrejtë: dhëndri i Trumpit përfaqëson, sipas revistës, “atë lloj figure të Uashingtonit për të cilën posti publik shërben si mjet drejt një pasurie të jashtëzakonshme”. 

Filkins e ndërton profilin e Kushnerit mbi një ide të vetme, përzierjen gjithnjë e më të madhe mes diplomacisë dhe biznesit, mes funksionit publik dhe interesit privat.

Kushner paraqitet si një njeri që edhe konfliktet ndërkombëtare i trajton me logjikën e marrëveshjeve të pasurive të paluajtshme, “dëgjon palët, negocion, ushtron presion dhe kërkon “deal”-in.” 

Para se të arrijmë tek Shqipëria, shohim dy-tre shembuj shumë domethënës që jep autori jep mbi Kushnerin, se si ai përfiton në zgjidhjen e konfliketeve ku ka mbretë, despotë dhe autokratë. 

Në negociatat me Iranin, The New Yorker shkruan se Kushner dhe Steve Witkoff hynë në bisedime pa ekspertizën teknike të nevojshme për një çështje aq komplekse sa programi bërthamor iraniann.

Një ish-zyrtar amerikan i cituar në artikull thotë:

“Iranianët vijnë tek ti me një propozim. Çfarë do të thotë realisht ai? Sa shumë i kthen pas, dy muaj apo dy vjet? Cilat janë mënyrat për ta anashkaluar? Të mos kesh këshilltarë teknikë atje është thjesht neglizhencë totale profesionale.” 

Kjo mungesë ekspertize që pjesërisht dështoi negociatat, sipas autorit, u shoqërua të nesërmen me nisjen e bombardimeve të SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit, ku u vra dhe lideri Ayatollah Khomeini. 

I njëjti mentalitet, sipas shkrimit, u shfaq edhe në Ukrainë, ku një ish-zyrtar amerikan thotë për Kushnerin dhe Witkoffin:

“Ata mendojnë se kjo është një marrëveshje pasurish të paluajtshme. Nuk duket se e kuptojnë se kjo është një luftë.”

Kkëtu Filkins kalon nga mungesa e eksperiencës te konflikti i mundshëm i interesit.

Ndërsa Kushner negocion në emër të Shteteve të Bashkuara me vende të Lindjes së Mesme, fondi i tij privat, Affinity Partners, menaxhon miliarda dollarë të investuar pikërisht nga qeveritë e atij rajoni. Rasti më domethënës është Arabia Saudite.

Gjatë mandatit të parë të Trumpit, Kushner ndërtoi një marrëdhënie të afërt me liderin defakto Mohammed bin Salmanin dhe e mbrojti politikisht edhe gjatë krizës që pasoi vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Gjashtë muaj pasi Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë, Kushner kërkoi 2 miliardë dollarë nga fondi sovran saudit për Affinity Partners.

Sipas dokumenteve të cituara nga The New Yorker, profesionistët e fondit kishin kundërshtime serioze. Firma nuk kishte histori të matshme investimesh, Arabia Saudite merrte pjesën kryesore të rrezikut dhe tarifat konsideroheshin të larta. Por kryetar i fondit ishte Mohammed bin Salman.

Komiteti u anashkalua dhe investimi prej 2 miliardë dollarësh u miratua. Vetëm tarifa e administrimit prej 1.25 për qind nënkuptonte më shumë se 25 milionë dollarë të ardhura në vit për fondin e Kushnerit, pavarësisht performancës. Më pas erdhën edhe 200 milionë dollarë nga Emiratet dhe 200 milionë të tjera nga Katari.

The New Yorker nuk pretendon se ekziston një provë direkte se këto para ishin shpërblim për vendimet politike të Kushnerit. Por ndërton një tablo ku lidhjet e krijuara përmes pushtetit publik shndërrohen më pas në marrëdhënie private jashtëzakonisht fitimprurëse. 

Dhe pikërisht në këtë kontekst revista e fut Shqipërinë. 

Nga superjahti në Sazan

Historia shqiptare nuk nis në një tender apo në një zyrë shteti. Nis në një superjaht.

“Në verën e vitit 2021, Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë, u ftua në një superjaht të ankoruar pranë qytetit antik të Durrësit, në bregdetin e Adriatikut. Jahti, Planet Nine, ishte në pronësi të financierit Nat Rothschild, pasardhës i familjes europiane të bankierëve. Mes të ftuarve të tjerë ishin Kushner dhe Ivanka Trump.

Rama ishte në vitin e tij të tetë si udhëheqës i Shqipërisë dhe Kushner e trajtoi me respekt. “Kur e sheh në televizor, Jared duket si një vrasës shumë gjakftohtë dhe Ivanka duket si një person shumë i distancuar, i përqendruar te vetja”, tha Rama. Nga afër, “nuk do ta besoje sa të përulur janë”.

Jahti e çoi grupin në Sazan, një ishull pothuajse i pabanuar në brigjet shqiptare. “Ndalëm për të notuar — në fakt kështu e zbuluam”, tha Ivanka në podcastin “Founders”. “Bëmë një ecje zbathur deri në majë dhe thjesht u magjepsëm.”” – thuhet në artikullin që Lapsi.al e ka lexuar dhe e sjell në shqip. 

Një ndalesë mes miliarderësh do të përfundonte pak vite më vonë në një projekt prej miliarda dollarësh.

“Sazani është një vend i ashpër, i mbushur me shkëmbinj dhe pemë të ngatërruara, i populluar nga një koloni e madhe minjsh dhe i mbushur me bunkerë të ndërtuar nga diktatori marksist Enver Hoxha për t’u mbrojtur nga një pushtim imagjinar. Por ofron pamje të gjera mbi një det ngjyrë bruz dhe Kushnerët panë një mundësi atje. Ata ishin inkurajuar më herët të investonin në Shqipëri nga Richard Grenell, i cili kishte shërbyer më parë si i dërguar special i Trumpit në rajon dhe më pas kishte punuar me Affinity.

Disa muaj më vonë, Kushner i tha Ramës se dëshironte të ndërtonte resorte në Sazan dhe në gadishullin e Zvërnecit, i cili mbron një lagunë të gjerë. Ai imagjinonte një qytezë për super të pasurit, me fusha golfi, port jahtesh dhe dhjetë mijë dhoma hotelesh dhe njësi apartamentesh. Projektet do të kërkonin një investim prej rreth katër miliardë dollarësh; për fazën e parë, Kushner siguroi financim nga dy miliarderë nga Katari.” – shkruan Dexter Filkins. 

Rama hap dyert 

Nga këtu nuk kemi më thjesht një investitor që ka pëlqyer një ishull shqiptar. Fillon raporti me pushtetin.

Lexo më shumë  Nafta në Shqipëri kushton 2.6 herë më shumë se mesatarja e gjithë Evropës, ndaj fuqisë blerëse

“Ramës i pëlqeu shumë ideja e Kushnerit. Ai besonte se projekti do të krijonte mijëra vende pune dhe do ta kthente Shqipërinë, e cila është një nga vendet më të varfra në Europë, në një destinacion për llojin e njerëzve me të cilët ai shoqërohej në Davos. “Është fakt që turizmi i nivelit të lartë sjell më shumë të ardhura”, tha ai. Rama e shpalli kompaninë e zhvillimit të Kushnerit “investitor strategjik”, një status zyrtar që i mundësonte qeverisë të përdorte burime publike për të mbështetur projektin.” 

Autori ndalet më pas edhe te personazhi Rama dhe mënyra si shihet ai në Perëndim.

“Në qarqet elitare të Perëndimit, Rama është një lloj personazhi i njohur; ish-basketbollist, me trup të gjatë dhe një mjekër të gjatë gri që së bashku i japin pamjen e Moisiut me kostum sportiv. Është udhëheqës properëndimor i një vendi me shumicë myslimane dhe, siç i pëlqen t’u kujtojë njerëzve, një artist vizual i përkushtuar. Kur vizitova zyrën e tij në Tiranë, po bënte një vizatim abstrakt me lapsa me ngjyra.

Qëllimi i Ramës është ta çojë Shqipërinë, e cila ishte e izoluar nga Perëndimi për gati pesëdhjetë vjet gjatë epokës komuniste, në Bashkimin Europian. Ai më tha se plani i Kushnerit mund të ndihmonte. “Ai dëshiron të ketë një projekt simbolik që do ta identifikojë si dikë që kujdeset për të gjitha çështjet e ndjeshme të kohës, nga mjedisi te ruajtja, arti dhe kultura”, tha Rama. “Ambicia e projektit është të bëjë diçka absolutisht unike, jo vetëm për Shqipërinë, por për Europën. Kjo është edhe ambicia ime.” – shkruhet në artikullin e The New Yorker.

Paralajmërimi serb

Filkins ndërpret këtu historinë shqiptare për të treguar çfarë kishte ndodhur me një projekt pothuajse analog të Kushnerit në Serbi. 

“Një projekt i ngjashëm i Kushnerit kishte përfunduar së fundmi në dështim. Në Serbi, fqinjë me Shqipërinë, ai dhe Grenell kishin planifikuar të ndërtonin një kompleks hotelerie dhe apartamentesh Trump International me vlerë pesëqind milionë dollarë. Projekti përqendrohej te ndërtesa e braktisur e Shtabit të Përgjithshëm, e cila ishte bombarduar nga avionët amerikanë në vitin 1999, gjatë një operacioni të NATO-s për të mbrojtur shqiptarët etnikë nga një fushatë terrori e sponsorizuar nga qeveria.

Ndërtesa ishte shpallur monument kulture i mbrojtur dhe Kushner kishte rënë dakord të respektonte shqetësimet e historianëve duke ndërtuar një memorial “kushtuar të gjitha viktimave të agresionit të NATO-s”. Qeveria e Presidentit Aleksandar Vuçiç, populist dhe mbështetës i zëshëm i Trumpit, përshpejtoi miratimet. Por nisën protesta dhe përfundimisht prokurorët serbë akuzuan ministrin e Kulturës për falsifikim dokumentesh për të siguruar lejet. (Ministri e mohoi këtë.) Nuk kishte asnjë tregues se dikush nga ekipi i Kushnerit kishte shkelur ligjin, por në prill ai vendosi të tërhiqej. “Projektet domethënëse duhet të bashkojnë dhe jo të ndajnë”, thuhej në një deklaratë të Affinity.” – mbyll krahasimin autori Filkins. 

Në Shqipëri, projekti nuk u tërhoq. 

Ligji ndryshon dhe shfaqet projekti 

Në këtë pikë revista vendos pranë njëra-tjetrës dy momente, ndryshimin e ligjit dhe shpalljen e projektit. 

“Nëse projekti në Shqipëri i bashkoi njerëzit, megjithatë, i bashkoi kundër Kushnerëve. Në shkurt të vitit 2024, partia e Ramës, e cila kontrollonte shumicën në parlament, miratoi një amendament që mundësonte ndërtimin e projekteve luksoze në zona të mbrojtura, përfshirë Zvërnecin. Disa javë më vonë, Kushner shpalli planet e tij, dhe ëndrra e tij nisi të përplasej me realitetin politik të Shqipërisë.” – citon lapsi.al shkrimin.

Pastaj historia zbret nga ligji në territor.

“Megjithëse Ivanka e kishte quajtur Sazanin “ishull privat”, zona kishte qenë prej kohësh e hapur për publikun. Ndërsa zhvillimi në Zvërnec ishte planifikuar të ndërtohej në mes të një zone natyrore të mbrojtur prej dyzet mijë akrash. Partnerët lokalë të Kushnerit rrethuan me gardh një zonë që kishte qenë një vend popullor për plazhistët. Shqiptarët nisën të ankoheshin se atij i ishin dhënë të drejta zhvillimi pa njoftim publik apo garë konkurruese dhe se amendamenti për të hapur tokat e mbrojtura ishte kaluar me nxitim në parlament. Rama lejoi madje ndërtimin e një aeroporti brenda zonës së mbrojtur.” 

Nga resorti te revolta politike 

Sipas autorit Dexter Filkins, projekti shumë shpejt pushoi së qeni vetëm një debat për Sazanin apo Zvërnecin.

“Pothuajse brenda natës, Rama u bë objekt i një zemërimi të gjerë dhe Kushner u kthye në një figurë negative, një plutokrat që kërkonte të transformonte një pjesë të madhe të vendit në një kënd lojërash për të pasurit. Sekreti rreth projektit i irritoi njerëzit; megjithëse pothuajse një e katërta e tij zotërohet nga biznesmenë shqiptarë, emrat e tyre fshihen pas një korporate offshore. Në qershor, banorët shembën gardhin përreth plazhit. Më pas nisën demonstratat publike. Çdo mbrëmje, njerëzit mblidheshin në sheshin kryesor të Tiranës dhe marshonin drejt rezidencës së Ramës, një milje më tej, duke brohoritur gjatë rrugës.”

Më pas autori shpalos zhvillimin e protestës, nga Kushneri tek sistemi. 

“Në fillim, protestuesit u përqendruan te ndalimi i projektit të Kushnerit. Por kur i vizitova, disa javë më vonë, objektivat e tyre dukeshin se kishin ndryshuar — tani synonin largimin e Ramës nga pushteti dhe rindërtimin e sistemit politik të Shqipërisë. “Kjo tani është shumë më e madhe se Jared Kushner”, më tha një natë Erlis Çela, profesor komunikimi në Tiranë, teksa marshonte me mijëra shqiptarë të tjerë. “Në këtë vend ka një grup shumë të vogël njerëzish me tepër para dhe, brenda natës, në errësirë, ata marrin të gjitha vendimet për vendin.”

Këtu projekti kthehet në simbol të mënyrës si perceptohet pushteti në Shqipëri.

Për shumë njerëz me të cilët fola, projekti i Kushnerit pasqyronte një të vërtetë shqetësuese për Shqipërinë: pasuria dhe pushteti i vendit mbaheshin nga një grusht oligarkësh, të cilët ishin pasuruar përmes aktiviteteve të paligjshme, si pastrimi i parave për grupe kriminale ndërkombëtare. Të ardhurat nga paratë e pastruara, thoshin ata, shiheshin gjithandej në Tiranë, në formën e ndërtesave me apartamente kryesisht bosh që shqiptarët i quajnë “banka betoni”. “

Rama ka krijuar këtë sistem ku oligarkët, politikanët dhe mediat punojnë së bashku dhe kjo u jep licencë të bëjnë pothuajse çfarë të duan”, më tha Fatos Lubonja, gazetar i cili ishte burgosur si i dënuar politik gjatë komunizmit. “Ramës i duhen njerëz si Kushner për të qenë fytyra e tij, për t’i siguruar mbështetje ndërkombëtare.”” – zbulon gazetari Filkins.

Lexo më shumë  Arabia Saudite mbyll tubacionin kryesor të naftës, rrezikohen eksportet drejt Evropës dhe Azisë

Rama nuk tërhiqet 

Përballë kësaj, Rama nuk shfaq asnjë dyshim. 

“Kushner heshti për demonstratat, por Rama mbeti i palëkundur. Ai ia atribuoi kundërshtimin ndaj resortit një klime politike të përhapur mes shqiptarëve të rinj. “Ka një ideologji të tërë atje — ideologjia antikapitaliste e Gjeneratës Z, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën dhe faktet”, tha ai. “Nuk shqetësohem për këto protesta. Nuk ka protestë që do ta ndalë këtë.”” 

Pastaj Filkins shkruan vetëm: Por një pengesë tjetër mund ta bëjë këtë. Dhe kjo pengesë është prona. 

Nga miliarderët te Minella Konomi

Pas jahteve, Davosit dhe investitorëve strategjikë, historia zbret me këmbë më në tokë. 

“Nga Tirana, udhëtova me makinë përgjatë bregdetit të Adriatikut drejt zonës që Kushner dëshiron të zhvillojë. Pranë Zvërnecit, kalova një manastir ortodoks të quajtur Shën Maria, një relike e Perandorisë Romake të Lindjes, dhe mbërrita në një treg. Atje, një grup banorësh vendas më thanë se pothuajse të gjithë zotëronin tokë brenda zonës së parashikuar për zhvillim. Kushner, thanë ata, ishte futur në një mosmarrëveshje ligjore shumëvjeçare që nuk e kuptonte. 

Një ish-vjelëse frutash në pension me emrin Minella Konomi më çoi në një kodër mbi Adriatik. Flamingo të bardha dhe skifterë këmbëkuq fluturonin mbi lagunë, e rrethuar nga një brez i gjatë dunash dhe plazhi. Konomi tregoi drejt një pike në largësi, që tha se shënonte parcelën e familjes së tij. Paraardhësit e tij kishin kultivuar misër dhe qepë atje që nga koha e osmanëve, më tha; toka kishte mbetur djerrë së fundmi, por ai kishte dokumente që provonin se kishte paguar rregullisht taksa për të. “Kemi qenë këtu njëqind vjet”, tha ai.”

Këtu hyn në histori Artur Shehu.

“Në vitin 2006, më tha Konomi, ishte informuar se toka e tij ishte përvetësuar nga Artur Shehu, një biznesmen shqiptar që më parë ishte hetuar për përfshirjen e dyshuar në trafik droge dhe emigrantësh. Nga ato hetime nuk doli gjë, por Shehu ishte larguar nga vendi pas asaj që policia e përshkroi si një shkëmbim zjarri me një bandë rivale. 

Shehu përfundoi në Miami Beach, ku mori azil politik duke pretenduar se aleatë të ish-qeverisë komuniste po e përndiqnin. Por ai vazhdoi të bënte biznes në Shqipëri, duke grumbulluar në fund një sipërfaqe të madhe toke rreth Zvërnecit. Parcela, thoshin vendasit, përfshinte edhe toka që me të drejtë u përkisnin atyre. “Shehu falsifikoi dokumentet”, më tha Konomi.”

Dhe pastaj një konflikt i vjetër pronësie takohet me projektin miliardësh.

“Në prill, një kompani që zhvillon projektin e Kushnerit i pagoi Shehut njëqind e njëzet e pesë milionë dollarë për tokën në Zvërnec. Dy muaj më vonë, prokurorët lëshuan një urdhër-arrest të ri për Shehun, nën dyshimin për trafik droge dhe pastrim parash. Në dokumentet e depozituara në një gjykatë shqiptare, ata argumentuan se toka e përfshirë në projektin e Kushnerit “dyshohet se është përfituar në mënyrë të paligjshme përmes falsifikimeve”. (Shehu i mohoi të gjitha akuzat.) Nëse gjykata vendos në favor të prokurorëve, projekti i Kushnerit mund të duhet të ndalet. Për Lubonjën, fati i resortit është një provë për të parë se sa larg ka arritur vendi i tij.

“Njerëzit mendojnë se sistemi i reformuar i drejtësisë në Shqipëri po funksionon”, tha ai. “Sipas meje, kjo është e pamundur. Është si një flotë anijesh që të gjitha ecin në një drejtim. Nuk mund ta kthesh mbrapsht vetëm me një anije të vogël.”” – e mbyll pjesën shqiptare autori Filkins, duke cituar Fatos Lubonjën dhe duke lënë një shije pesimiste mbi vendin e drejtuar nga një kryeministër që pavarësisht kundërshtive të popullit të tij, del dhe i bie gjoksit duke thënë se sa të jetë aty, projekti do të bëhet (tipari klasik i një autokrati).

Pse Shqipëria është e rëndësishme në këtë histori 

Pjesa shqiptare nuk është një devijim nga investigimi. Është një nga shembujt që Filkins përdor për të ilustruar tezën e tij për Kushnerin.

Sipas logjikës së shkrimit, lidhja politike krijon akses, aksesi krijon mundësi biznesi, dhe në një moment kufiri mes diplomacisë, pushtetit dhe interesit privat bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u dalluar.

Në Shqipëri, e cila duke ndjekur këtë linjë llogjike del nje vend lindor i ngjashëm me ato të Lindjes së Mesme që drejtohen nga mbretë-depsotë, një njohje në një superjaht pasohet nga një projekt rreth 4 miliardë dollarësh, statusi i “investitorit strategjik”, ndryshime ligjore për zonat e mbrojtura dhe një blerje toke prej 125 milionë dollarësh që më pas përfundon në qendër të një hetimi penal.

Në Arabinë Saudite, marrëdhënia politike me bin Salmanin pasohet nga miliarda dollarë investime në fondin privat të Kushnerit.

Dhe ndërsa vazhdon të kryejë misione diplomatike për Presidentin Trump, fondi i Kushnerit vazhdon të rritet. Sipas The New Yorker, në vitin 2025 investimet e reja nga Lindja e Mesme e çuan Affinity në më shumë se 6 miliardë dollarë.

Vetë revista tregohet e kujdesshme. Ajo nuk thotë se çdo marrëveshje është e paligjshme dhe as se ekziston provë direkte që lidh një vendim diplomatik me një pagesë private.

Por pyetja që ngre investigimi është pikërisht kjo: çfarë ndodh kur njeriu që negocion në emër të fuqisë më të madhe të botës bën njëkohësisht biznes miliardësh me njerëzit dhe qeveritë me të cilët negocion?

Përgjigjen më të ashpër Filkins e lë për fund, përmes juristes së etikës Virginia Canter:

“Nëse Kushner nuk do të ishte dhëndri i Presidentit, do të ishte nën hetim nga FBI-ja”, tha Virginia Canter, juristja e etikës. “Askush tjetër nuk mund t’ia hidhte paq kësaj.”

YouTube player