BotaKryesore

Dikur lobonte tek Putini për të bërë Lajçakun shef të OKB-së, tani kryeministri sllovak i kërkon Ukrainës të heqë dorë nga një pjesë e territorit

Kryeministri sllovak Robert Fico ka thënë se dhënia e një pjese të territorit ukrainas Rusisë, është mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, dhe përsëriti se është kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO, shkruan Politico.

“Duhet të ekzistojë një lloj kompromisi. Çfarë po presin, që rusët do të braktisin Krimenë, Donbasin dhe Luhanskun? Është jo reale”, tha Fico për televizionin publik sllovak RTVS, transmeton Telegrafi.

Fico mori detyrën në dhjetor të vitit të kaluar, pasi që partia e tij Smer fitoi në zgjedhjet e shtatorit me premtimin se do të ndalet së dërguari armë në Kiev, do të bllokojë anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në NATO dhe do të kundërshtojë sanksionet ndaj Rusisë.

Lexo më shumë  Rusët u dërguan në bazën ajrore të Nigerit të pushtuar nga trupat amerikane

Para takimit të planifikuar me kryeministri ukrainas Denys Shmyhal, Fico në një intervistë ka ripërsëritur kundërshtimin që Ukraina t’i bashkohet NATO-s.

“Do t’i them se jam kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe se do të vendosë veto”, shtoi kryeministri sllovak.

“Kjo do të ishte një arsye për Luftën e Tretë Botërore, asgjë tjetër. Ukraina nuk është vend i pavarur dhe sovran sepse është nën ndikimin dhe kontrollin total të Shteteve të Bashkuara”, tha Fico duke theksuar se Ukraina nuk do të merr nga Sllovakia “kurrfarë armësh”.

Sipas tij, Ukraina është një prej shteteve më të korruptuara në botë.

Lexo më shumë  “Kontroll mbytës mbi median”, gazetarët e RAI-t në grevë kundër qeverisë së Giorgia Melonit

Madje kryeministri sllovak javën e kaluar mbështeti homologun hungarez Viktor Orban lidhur me bllokimin e pakos së ndihmës të BE-së për Ukrainën që kap vlerën e 50 miliardë eurove.

Vlen të kujtohet që më 25 gusht 2016, kryeministri asokohe i Sllovakisë darkonte me Putinin në Moskë dhe lobonte për mbështetjen ruse që Ministri i tij i Jashtëm asokohe, Miroslav Lajçak, të bëhej Sekretari i Përgjithshëm i ardhshëm i OKB-së.

E gjitha kjo ndodhi pasi Rusia tashmë e kishte aneksuar Krimenë.

“Ne do ta bëjmë këtë absolutisht. Edhe një herë dua të theksoj se jemi të lumtur t’ju shohim dhe do të jemi të kënaqur t’i diskutojmë të gjitha këto çështje,” i përgjigjej Putini asokohe Ficos.

YouTube player