KryesoreLajme

Dick Marty në shënjestër të inteligjencës serbe: Të vritet dhe të fajësohet Kosova

Ka 16 muaj që ish-raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty, është duke u mbrojtur nga policia zvicerane, pasi që ka marrë kërcënime nga elementë radikalë të shërbimit inteligjent serb, ka shkruar të premten televizioni publik zviceran. Dyshohet se plani ka qenë që Marty të vritet nga vrasës profesionistë të angazhuar prej shërbimit serb, e që më pas të diskreditohet Kosova

Një hetim ekskluziv, televizioni publik zviceran raporton të ketë zbuluar se prej dhjetorit të vitit 2020, ish-raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty, është nën mbrojtje të policisë zvicerane. Ish-prokurori zviceran raportohet se qe kërcënuar me vdekje nga elementë radikalë të shërbimit të inteligjencës serbe. Gjithçka nisi 16 muaj më parë, raporton emisioni “Mise au Point” që bisedoi me Dick Martyn, në shtëpinë e tij në Ticino të Zvicrës, rajon ku flitet italishtja.

“Më 18 dhjetor 2020 mora një thirrje nga policia që më njoftoi se jam i kërcënuar me vdekje dhe më tha që do të futem menjëherë nën mbrojtje policore të nivelit më të lartë”, ka deklaruar Marty. Policia kishte konsideruar se rreziku është më i larti, ai i shkallës 5, dhe ia ofroi mundësinë Martyt për t’i ndryshuar identitetin dhe adresën.

“Shkalla e pestë është të zhdukesh, por për mua ishte tërësisht e papranueshme”, ka rrëfyer Marty. “Andaj kemi ngelur deri sot në nivel shumë të lartë: Shkallën 4”.

Të vendosur në shkallën 4 të mbrojtjes, Marty dhe bashkëshortja e tij qenë nën mbikëqyrje nga “policia e armatosur deri në dhëmbë” në shtëpinë e tyre për katër muaj e gjysmë. Duke ditur se ai është nën mbikëqyrje, ai ka shmangur të gjitha kontaktet.

“Në fund të 2020-s, më dërgoi një mesazh të fshehtë duke më kërkuar që të mos e kontaktoj më”, ka thënë ish-këshilltar socialist në Dhomën e Ulët të Parlamentit Federal të Zvicrës, Franco Cavalli, që është mik me Martyn. “Është shokuese të mendohet se këto gjëra mund të ndodhin në Zvicër”.

Sot, policë të tillë s’janë në detyrë. Por masat e mbrojtjes janë ende të pranishme. Shtëpia e Martyt është e mbushur me kamera dhe e pajisur me alarme dhe ka dhomë të sigurisë, ku Marty mund të fshihet në rast të ndonjë sulmi të madh. Policët janë fare pranë shtëpisë. Në udhëtimet e rralla, Marty bart jelek antiplumb, ka veturë që u reziston plumbave dhe përcillet nga automjetet me policë në rroba civile.

Lexo më shumë  Ministrja Hajdari: Në tri vitet e fundit 41 mijë biznese të regjistruara

“Kërcënimi me gjasë erdhi nga qarqe të caktuara të shërbimit të inteligjencës serbe që kërkoi nga bota e krimit, vrasësit profesionalë, që të më likuidonin thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve. Sa për vrasësit, ata do të ishin pjesë e ‘botës së fshehtë’. Ka veteranë specialistë në vrasjet me pagesa, me porosi, dhe që s’ka nevojë për shumë para që ta vrasin dikë”, ka thënë Dick Marty.

Hulumtimi i mediumit zviceran ka nxjerrë alarmin që e kishte ndezur policia e shtetit në dhjetor të 2020-s, duke u bazuar në informacionin që kishte marrë prej shërbimit inteligjent zviceran. Një burim ka thënë se dokumenti që ka marrë policia shkruante se “Dick Marty, sipas urdhrit të shërbimit sekret serb, duhet të vritet”. “Vrasja e Martyt duhet të kryhet nga serbët që ka kohë që kanë kryer misione të tilla për shërbimin sekret serb, që i ka trajnuar, dhe që thuhet se janë ‘profesionistë’ që do të kryenin vrasjen mjeshtërisht ‘pa lënë asnjë gjurmë’”. Sipas raportimit, një serb kishte futur armë në Zvicër në dhjetor të 2020-s. “Në mënyrë që të merrej vëmendja e mediave lidhur me aktakuzën e Hashim Thaçit, vrasja duhej t’i atribuohej Qeverisë kosovare/shqiptare (ish-UÇK) për ta diskredituar ndërkombëtarisht”, thuhet në raportimin për alarmin që është ngritur për planifikimin për vrasjen e Martyt dhe për fajësimin e Kosovës.

Gjithçka kishte ndodhur pak javë pasi Thaçi më 5 nëntor 2020 dha dorëheqje për të shkuar në Hagë për t’u gjykuar për krime lufte nga Gjykata Speciale. “RTS.ch”, ka kujtuar raportin e famshëm të Martyt për Këshillin e Evropës më 2010, nëpërmjet të cilit akuzoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për trafikim organesh gjatë luftës.

“Siç duket, një shërbim shtetëror dëshiron të më eliminojë për ta diskredituar kundërshtarin e vet. Kjo është absolutisht e papranueshme”, ka thënë Marty, duke kërkuar që autoritetet e Zvicrës të reagojnë shpejt e ashpër.

Lexo më shumë  Finalizohet draftligji për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”

Që nga viti 2020, shteti zviceran është përpjekur ta mbrojë fizikisht Martyn. Ai ka thënë se është falënderues, por ka shtuar se “s’mund të vazhdojë pafundësisht në këtë mënyrë”.

Për shkak që është konsideruar krim politik, është kërkuar autorizim nga Këshilli Federal që të hapet hetimi. Kjo ka ndodhur në gusht të 2021-s, por që ende s’ka pasur aktivizim diplomatik për të ulur kërcënimin, shkruan tutje mediumi.

Në fillim të shkurtit, Marty sërish ka kontaktuar me autoritetet. “U kam thënë se s’mund të vazhdojmë të kufizohemi vetëm në mbrojtjen e objektivit, pa pasur strategji për ta neutralizuar kërcënimin. S’jam vetëm unë. Kushdo që angazhohet në kërkimin e së vërtetës meriton jo vetëm mbrojtje, por edhe drejtësi. Ata meritojnë të ndiqen penalisht. S’mund ta tolerojmë këtë, dhe më duket se po e bëjmë”, ka shtuar Marty.

Pas letrës së Martyt, autoritetet ligjore kanë vendosur të dërgojnë policë në Beograd për të biseduar me kolegët serbë. Kjo Martyt s’po i mjafton.

“Kjo nënkupton që Prokurori Federal s’do të shkojë në Serbi dhe se s’do të lëshojë kërkesë për ndihmë juridike dhe që Berna do të heqë dorë nga veprimet diplomatike. E gjithë kjo pavarësisht se ka indikacione konkrete të një vrasjeje të planifikuar të një ish-raportuesi të Këshillit të Evropës dhe senatorit zviceran, nga shërbimet inteligjente të një vendi të huaj dhe vrasës profesionistë”, ka thënë Marty.

Dominique de Buman, ish-këshilltar, ka thënë se shteti s’duhet të harrojë një nga shërbyesit e kamotshëm të tij.

Nga autoritetet, përgjigja zyrtare ka qenë që çështja përfshin garantimin e sigurisë së njerëzve dhe ka komponentë politikë për shkak të kontekstit transnacional dhe se për rastin janë të përfshira shërbimet federale e kantonale.

Përgatiti Endrit Berisha bazuar në raportimet e “RTS.ch”/koha.net/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *