KryesoreLibri i javes

LIBRI I JAVËS/ARRATISJA NGA LINDJA, ORIENTALIZMI NGA NAIMI TE KADAREJA – ENIS SULSTAROVA

HYRJE

ARRATISJE NGA LINDJA

Në prag të formimit të qeverisë pas zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005, sekretari për marrëdhëniet me publikun i Partisë Demokratike në një intervistë për të përditshmen Shekulli, deklaron:

 Ju shprehni dyshime se mund të gjendemi përballë një kabineti të bindurish, pa asnjë vlerë politike dhe pa personalitet, të gjithë nën urdhrin e tij [Berishës]. Kjo më bën të qesh, sepse në fakt kjo është dëshira e kundërshtarëve tanë, që vijojnë të na akuzojnë se kryeministri Berisha nuk di të menaxhojë sipas stilit perëndimor, por vetëm sipas stilit oriental. Mos u frikësoni, prisni dhe pak dhe do ta shihni se kundërshtarët tanë, kudo qofshin, këtu apo jashtë Shqipërie, nuk do ta kenë dot në dorë as këtë shpresë të fundit. Ne do të krijojmë të parën qeveri oksidentale sui generis në historinë e Shqipërisë… Zotërinj, ne demokratët kemi dalë në pahun e kohës për ta bërë perëndimor shtetin shqiptar dhe do ta bëjmë, se në të kundërtën nuk do të mbahemi mend për asgjë të mirë (Ngjela, 2005; kursivet tonat).

Redaktorët e gazetës, duke e konsideruar shprehjen e mësipërme si thelbin e intervistës, në krye të faqes së parë kishin vënë këtë titull: “Ngjela: “Qeveria e re me frymë oksidentale”. Kumti që Ngjela kërkon t’i përcjellë bashkëbiseduesit dhe publikut mbështetet mbi një kundërshti midis Oksidentit dhe Orientit, apo Perëndimit dhe Lindjes, natyrshmëria e së cilës merret e mirëqenë. Lihet e nënkuptuar se Oksidenti, apo Perëndimi, përfaqëson diçka të mirë, të lartë, të dëshirueshme, përderisa Ngjela jep zotimin se jo vetëm që qeveria do të qeverisë sipas stilit perëndimor, jo vetëm se ajo do të jetë qeveria e parë perëndimore sui generis, por edhe se misioni i saj historik është bërja e shtetit perëndimor. Mosarritja e këtij qëllimi zhvlerëson të gjitha arritjet e tjera që mund të ketë qeveria (“në të kundërtën nuk do të mbahemi mend për asgjë të mirë”). Pra, Ngjela ka përmbledhur me një fjalë të vetme, shënuesin “Oksident”, të gjithë programin e qeverisë. E kundërta e qeverisjes oksidentale, mënyra despotike e qeverisjes jepet si karakteristikë e Orientit. Argumenti i fundit i opozitës socialiste, me të cilin ajo frikëson shqiptarët, është se Berisha do ta qeverisë vendin sipas mënyrës orientale. “Mos u frikësoni”, – thotë Ngjela, sepse e kundërta do të dalë e vërtetë dhe kundërshtarëve brenda dhe jashtë vendit do t’u shkasë prej duarve edhe ky gur i fundit me të cilin po qëllojnë qeverinë e PD-së dhe të aleatëve të saj. Bërja e Shqipërisë perëndimore, prej një qeverie perëndimore, nënkupton lëvizjen e shtetit dhe shoqërisë prej gjendjes së tanishme drejt një gjendjeje më të mirë në të ardhmen, drejt Perëndimit. Një shtet perëndimor përfytyrohet si i zhvilluar, i rregullt, i lirë, i drejtë, i paqmë, me mirëqenie etj. Lëvizja drejt tij quhet përparim. Kurse gjendja që mohohet, lihet pas në kohë emërtohet si lindore, ose orientale. Me Orientin shoqërohen kuptimet e prapambetjes, rrëmujës, tiranisë, korrupsionit, luftës, anarkisë, mjerimit etj. Brenda këtyre kuptimeve të Perëndimit dhe Lindjes e pozicionon veten dhe mazhorancën qeverisëse Ngjela. Ç’është e vërteta gjërat nuk rrodhën siç e priste ai. Në janar të vitit 2007, në prag të zgjedhjeve vendore, Ngjela do ta shihte veten të spostuar prej shumicës qeverisëse, kurse takimi i kundërshtarëve të vjetër politikë Berisha – Nano trumbetohej nga shtypi qeveritar si “Aleancë perëndimore kundër absurdit Rama” (Gazeta 55, 17.01.2007). Ngjela do të formonte partinë e tij, do të lidhej me Partinë Socialiste të drejtuar nga Edi Rama për hequr nga pushteti Berishën dhe do të angazhohej si publicist dhe jetëshkrues për të provuar e shpallur të kundërtën e asaj që thoshte në vitin 2005. Tani, atij i rezulton se qeverisja e Berishës është faza e fundit e përkuljes së tiranisë orientale shqiptare, që së shpejti do të rrëzohet nga shqiptarët e tharmit perëndimor.

Lexo më shumë  DW: Marrëveshja e Ohrit zyrtarisht pjesë e negociatave BE-Serbi

Rasti i intervistës së Ngjelës nuk është i veçuar, sepse që prej fillimeve të viteve 90 të shekullit të kaluar, ligjërimet politike, kulturore dhe shoqërore e paraqesin Shqipërinë dhe shqiptarët në një udhëtim të përfytyruar me vendmbërritje Perëndimin, por që më saktë mund të përshkruhet si një ikje, një arratisje, një shpëtim nga makthi që quhet Lindje. Perëndimi dhe Lindja artikulohen herë si dy botë të ndryshme, herë si dy fuqi misterioze, që ndikojnë fatet e shqiptarëve, herë si dy epoka kohore, herë si sisteme politiko shoqërore, herë si kultura, filozofi, fe, estetike, etikë mendësi apo të kundërta, duke formuar struktura kundërshtuese binare, të cilat nëse rastis që të takohen shkaktojnë çarje, anarki, çoroditje e konflikte, sepse nuk mund të bashkëjetojnë paqësisht. Ndërsa Perëndimi thuajse gjithmonë paraqitet Parajsa për t’u synuar nga shqiptarët, Lindja është Ferri, prej zjarrit të së cilit duhet qëndruar sa më larg. Fjalët “Perëndim” dhe “perëndimor” janë kthyer në fetishe semantike për gjithçka që pëlqehet, lakmohet, dëshirohet, nderohet, respektohet. Mungesat apo të kundërtat e tyre emërtohen si “lindore” apo “orientale”. Realiteti krijohet i ndarë në dy kallëpe reduktuese, neve na mbetet të vendosim ngjarjet, njerëzit, rrethanat kujtimet, idetë sendet në njërën nga dy kategoritë e paracaktuara: në njërën për t’i ruajtur e në tjetrën për t’i grumbulluar para groposjes, braktisjes, harresës. Nuk bëhet fjalë për shuarje, mjegullim dobësim të kufirit midis dy pjesëve, Shqipëria dhe shqiptarët thjesht duhet të kalojnë nga njëra pjesë në tjetrën, që përparimi të jetë thelbësor dhe i qëndrueshëm. Pra, të lihet pas Lindja e të shkohet në Perëndim. Ligjërimi “Perëndim Lindje” nuk është një dukuri vetëm e periudhës së paskomunizmit, në kuadër të dëshirës për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Në këtë libër do të tregojmë sesi “arratisja nga Lindja” është pjesë përbërëse e përfytyrimeve të elitave politike dhe intelektuale shqiptare mbi kombin shqiptar dhe modernizimin e tij që nga Rilindja Kombëtare e këndej, nga Në krahun tjetër, “arratisja nga Lindja” nuk është një qasje plotësisht origjinale për të kuptuar realitetin shqiptar dhe për të udhëzuar veprimin politiko-shoqëror. Kundërshtia binare Perëndim Lindje te ligjërimet politike dhe intelektuale shqiptare, është e importuar prej këndvështrimeve dhe koncepteve përkeqësuese për Orientin që u bënë pjesë e kulturës perëndimore, sidomos gjatë orës koloniale, në të cilën shtetet perëndimore evropiane sunduan mbi pjesën më të madhe të botës. Tërësia e këtyre këndvështrimeve dhe e arkivës së koncepteve, me anë të të cilëve Lindja ndërtohet si “tjetri” negativ i Perëndimit, është emërtuar “orientalizëm” studiuesi dhe intelektuali i njohur palestinezo-amerikan Eduard Said [Edward W. Said].

Lexo më shumë  Nisin zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut

Synimi i këtij libri është që të provojë ekzistencën e variantit shqiptar të orientalizmit, në frymën e një “historie të së tashmes”, sipas terminologjisë së filozofit francez Mishel Fuko [Michel Foucault]. Kapitulli i parë përbën kuadrin teorik dhe metodologjik për shtjellimet e mëtejshme, prandaj një lexim sado i përciptë i këtij kreu është i domosdoshëm për të ndjekur argumentin e librit. Kapitujt e mëpasshëm analizojnë shfaqje të orientalizmit shqiptar në disa periudha të historisë moderne të shqiptarëve: kapitulli i dytë analizon tekste të rilindësve në fund të shek. XIX dhe ne fillim të shek. XX; kapitujt tre dhe katër tekste të intelektualëve të shkruara e botuara në Shqipërinë e viteve 30 të shek. XX; kapitulli i pestë përqendrohet në vitet 60-80 të periudhës komuniste, Orientalizmi bashkëkohor shqiptar i viteve 1990-2013, shtjellohet në kapitullin gjashtë , por është i pranishëm edhe te kapitujt e tjerë. Kapitulli i fundit bën përmbledhjen e librit dhe paraqet argumentet për kapërcimin e orientalizmit në politikën dhe kulturën shqiptare.


Autori: Enis Sulstarova

Shtëpia botuese: Pika pa sipërfaqe, 2013


© RRUGA PRESS

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *