Opinion/Aktualitet

Detyrat jetike të demokracisë

Nga Javier Solana “Project Syndicate

Demokracia liberale është ende e gjallë, por ajo po shfaq shenja të qarta dobësie. Sipas organizatës “Freedom House”, bota ka përjetuar për 15 vite radhazi bërjen e hapave pas të demokracisë globale.

Në një përpjekje për të trajtuar valën në rritje të autoritarizmit, presidenti i SHBA-së Joe Biden ftoi së fundmi më shumë se 100 liderë botërorë në një samit virtual, që synon forcimin e demokracisë në nivel global. Për një spanjoll të brezit tim, ekzistojnë arsye të forta për ta vënë theksin tek demokracia.

Pasi kam jetuar një pjesë të jetës sime nën diktaturën e Francisco Franko, unë e di se shumë mirë çfarë do të thotë për një vend të zgjedhë hapjen, demokracinë dhe zhvillimin. La Transición, procesi politik i ndryshimit të regjimit në Spanjë nga diktatura në një demokraci kushtetuese, ishte një sukses historik.

Ai përfshiu krijimin e institucioneve të reja përfaqësuese, zhvillimin e një shteti të mirëqenies sociale dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Por mbrojtja e demokracisë si një sistem politik moral, i drejtë dhe praktik, nuk duhet të na nxitë ta përkufizojmë mjedisin ndërkombëtar thjesht si arena e përplasjeve midis demokracive dhe autokracive.

Tek e fundit, nuk ka asgjë të keqe që vendet me sisteme të ndryshme politike të takohen me njëri-tjetrin për të adresuar problemet konkrete globale. Por ajo që ka më shumë rëndësi, është që këto mbledhje të kontribuojnë në zgjidhjen e tyre.

Megjithëse pjesëmarrësit e Samitit për Demokracinë, u angazhuan për kauza shumë të rëndësishme, si mbrojtja e të drejtave të njeriut, takimi do të mbahet mend më shumë për vlerën e tij simbolike sesa për rezultatet.

Dëshmi për këtë është vendimi i presidentit Biden për të ftuar Tajvanin, që sigurisht do të thellojë tensionet me Kinën. Nga ana tjetër, nevoja për një qeverisje globale efektive, është më urgjente se kurrë në botën e sotme të paparashikueshme dhe të rrezikshme.

Përveç kërcënimit bërthamor që u shfaq gjatë shekullit të kaluar, ne duhet të përballemi tashmë me sfida të tilla si sulmet kibernetike, përdorimi i emigracionit si një armë, investimet në rritje në teknologjinë ushtarake, dhe me potencialin keqdashës të inteligjencës artificiale.

Ndarja e botës në dy kampe ideologjikisht të kundërta, siç u duk se bëri dhe samiti i fundit i Biden, krijon kësisoj një rrezik të madh gjeopolitik. Një ndarje midis vendeve të lira dhe autokracive, mund të përhapet edhe në organizatat kryesore ndërkombëtare, të cilat kanë një rol jetik në zgjidhjen apo menaxhimin e problemeve globale.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Për shembull, disa kohë më parë Organizata Botërore e Tregtisë pushoi së funksionuari për shkak të paaftësisë së saj për të hartuar dhe miratuar rregulla mbi tregtinë ndërkombëtare, që t’u përshtaten sisteme ekonomike të ndryshme.

Shtimi i një elementi të ndarjes ideologjike midis vendeve demokratike dhe jodemokratike në ndarjet ekzistuese brenda OBT-së, vetëm sa do ta vështirësojë gjetjen e zgjidhjeve. Dhe në rast se duam vërtet të shmangim pasojat e tmerrshme të një shkëputjeje të zinxhirëve të furnizimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, zgjidhja e këtyre mosmarrëveshjeve është shumë e rëndësishme.

Ndërtimi i sistemit shumëpalësh pas Luftës së Dytë Botërore, ishte vërtet një arritje historike. Por institucioneve të tij u mungojnë mjetet për të menaxhuar një botë gjithnjë e më të ndërvarur, komplekse dhe dinamike.

Këtë gjë e ka bërë më se të qartë edhe kriza e Covid-19. Njerëzimi ishte i papërgatitur për ta luftuar pandeminë, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë ishte qartazi e pa financuar. Kur ish-presidenti i SHBA-së Donald Trump, njoftoi në mënyrë të pamatur se po e tërhiqte SHBA-në nga OBSH-ja, Fondacioni Bill & Melinda Gates ishte gati të bëhej kontributori më i madh i vetëm i organizatës.

Pra, në vend se t’i theksojnë dallimet e tyre ideologjike me vendet e tjera, demokracitë duhet të njohin përgjegjësinë e tyre ndaj vetes dhe botës. Që të ringjallin legjitimitetin e tyre të brendshëm dhe atë ndërkombëtar, ato duhet të merren sidomos me 2 detyra jetike.

Detyra e parë është zvogëlimi i pabarazive ekonomike të brendshme. Demokracia e tregoi veten pas Luftës së Dytë Botërore, duke ndërtuar një shtet të mirëqenies sociale, që ndihmoi në garantimin e rritjes ekonomike dhe kohezionit social. Por ky kohezion ka pësuar pengesa të mëdha dekadat e fundit, dhe është dobësuar rëndë nga kriza financiare globale e vitit 2008 dhe pandemia e Covid-19.

Pabarazitë socio-ekonomike, të cilat karakterizojnë shoqëritë tona janë një kërcënim për demokracinë, pasi të jetuarit e jetëve gjithnjë e më të ndara nga njëri-tjetri, e bën më të vështirë pjesëmarrjen kolektive politike. Në fund të fundit, pabarazia e dëmton shumë aftësinë tonë për të vepruar si qytetarë.

Hapat pas në aspektin e demokracisë në shumë vende, burojnë pjesërisht nga pakënaqësia e qytetarëve, që e kanë humbur besimin se sistemi politik mund të ndryshojë rënien e gjatë të sigurisë ekonomike dhe standardeve e tyre të jetesës. Zhgënjimi politik që e pason atë, ka qenë një nga burimet kryesore të mbështetjes ndaj nacionalizmit populist.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Detyra e dytë e demokracive, është të ndjekin një kurs të qartë për krijimin e kushteve të nevojshme socio-ekonomike për zhvillimin e mëtejshëm të pjesën jugore të globit. Ky proces mund të lehtësojë edhe respektimin e vlerave demokratike në vendet në zhvillim.

Siç e ka treguar edhe përhapja e shpejtë e variantit të ri të koronavirusit, Omicron, ne e kemi një imperativ moral dhe praktik sigurimin e shpërndarjen e barabartë globale të vaksinave kundër Covid-19. Shkalla e vaksinimit në Afrikë është shumë e ulët.

Ndërsa shumë qytetarë në demokracitë e pasura, mund ta marrin tani dozën e tretë, vetëm 8 për qind e afrikanëve janë plotësisht të vaksinuar. Për më tepër, nuk mund të kishte një reklamë globale më efektive për demokracinë, sesa mundësimi i vaksinimit të shpejtë të njerëzve në vendet më të varfra.

Duke qenë se vaksinimi i 70 për qind të popullsisë së botës do të kushtonte vetëm 0.13 për qind të PBB-së së vendeve të G7-ës, demokracitë më të pasura kanë mundësinë e artë që ta forcojnë legjitimitetin e tyre ndërkombëtar.

Demokracitë mund ta ndihmojnë më tej kauzën e tyre, duke grumbulluar vullnetin e duhur politik për të përmbushur zotimin e tyre për t’i ndihmuar vendet e jugut të globit të financojnë tranzicionin e tyre të gjelbër në fushën e ekonomisë.

Në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike të vitit 2009 në Kopenhagë, vendet më të pasura premtuan të jepnin 100 miliardë dollarë në vit për vendet në zhvillim, që t’i ndihmonin ato të përballonin koston e përshtatjes. Por ekonomitë e zhvilluara nuk e kanë mbajtur këtë premtim.

Duke përmbushur premtimin e tij të fushatës zgjedhore presidenciale të vitit 2020, për të mbajtur një Samit për Demokracinë, Biden ka treguar se ai nuk është si Trump. Por kjo mund të mos mjaftojë. Bashkëpunimi me dikë që është ideologjikisht i ngjashëm, është diçka shumë e ndërlikuar.

Ta bësh këtë me dikë që ka një botëkuptim të ndryshëm, dhe ndoshta edhe në kundërshtim me tëndin, është shumë më e vështirë. Ndërsa ne duhet që ta forcojmë demokracinë, vlerat tona themelore nuk duhet të na pengojnë të bashkëpunojmë me vendet e tjera për të zgjidhur sfidat globale më urgjente. Unë e besoj sinqerisht se pikërisht këtë e kërkon demokracia. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *