Lajme

Deputeti Rrustemi kërkon ekstradimin e terroristit Radoiçiq në Kosovë: Serbia nga njëra anë glorifikon terroristët, nga ana tjetër kinse i arreston

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se organizatori i sulmit të 24 shtatorit në veri, Millan Radoiçiq, duhet të ekstradohet në Kosovë dhe të japë përgjegjësi ligjore në gjykatat e Kosovës.

Rrustemi ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë.

“Është farsa e radhës e Serbisë, në njërën anë i glorifikon terroristët e vrarë, në anën tjetër kinse i arreston, Serbia duhet të japë përgjegjësi para bashkësisë ndërkombëtare për sulmin terrorist, për aktin e agresionit ndaj integritetit territorial të Kosovës. Radoiçiqi duhet të gjykohet nga gjykatat e Kosovës, ai duhet të ekstradohet në Kosovë për të dhënë përgjegjësi ligjore këtu. Duhet të gjinden mekanizmat që Radoiçiqi të nxirret para përgjegjësisë, para institucioneve të Kosovës, para gjykatave të Kosovës dhe të trajtohet nga gjykatat e Kosovës”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Ministria e Infrastrukturës mbështet komunën e Ferizajt me dy projekte infrastrukturore në vlerë 600 mijë euro

Sipas tij, plani i këtij sulmi të dështuar ishte aneksimi i veriut të Kosovës.

“Bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, nuk mundet të kalojë si e pafajshme si shtet nga një situatë e tillë që ka rrezikuar stabilitetin në gjithë rajonin. Është plan për aneksim të veriut të Kosovës, plan qartazi politik i mbështetur nga autoritetet e Serbisë nëpërmjet një grupi paramilitar e terrorist. Vuçiqi po e kopjon qartazi Millosheviqin në një kontekst të caktuar, por edhe vetë Putinin. Po mos të dështonte, do të kishim sjellje krejt të ndryshme të Serbisë lidhur me këtë sulm”, është shprehur ai.

Rrustemi ka thënë se faktori ndërkombëtar duhet të vendosë masa ndaj Serbisë, ashtu siç e kanë cilësuar sulm terrorist atë që ndodhi të dielën e 24 shtatorit në veri.

Lexo më shumë  Osmani takon Greenfield, flasin për mbështetjen amerikane për avancimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare

Deputeti i LVV-së më tej e ka cilësuar të gabuar deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se kontrolli në veri të Kosovës duhet të merret nga KFOR-i.

“Deklarata e z.Rama është e gabuar. Policia e Kosovës është reaguesi i parë në mënyrë të padiskutueshme. Pa paragjykuar motivet, referencat, informacionet, deklarata e z.Rama është e gabuar dhe jo vetëm për faktin që është në linjë me kërkesën e Aleksandar Vuçiqit që ta marrë kontrollin KFOR-i duke e larguar Policinë e Kosovës, por për shkak se nuk mund dhe nuk duhet që veriu i Kosovës të trajtohet si pjesë specifike”, ka deklaruar ai.

Rruga Press

YouTube player