KryesoreOpinion/Aktualitet

Demokracia nuk është Budallokraci

Nga Donik Sallova

Umberto Eco i quante rrjetet sociale si “forume të budallenjve”. Sipas tij, budallenjtë apo idiotët kanë ekzistuar gjithmonë, por audienca e tyre nuk shkonte përtej rrethit familjar dhe një grupi të ngushtë miqsh. Ndërsa sot, interneti dhe veçanërisht rrjetet sociale ua kanë mundësuar këtyre idiotëve që budallakitë e tyre t’i plasojë në rrethe shumë më të gjëra, përkatësisht që këto budallaki të marrin mbështetje masive prej sivllezërve budallenj tanimë të asocuar në këto forume.

Në shoqëritë si kjo e jona, ku nuk kemi ndonjë traditë të gjatë të institucioneve e forumeve vlerore dhe rolit të tyre në shoqëri, si universitete shekullore apo institucione religjioze si celula të kulturës kombëtare etj., respektivisht kur për 20 vite pas çlirimit “politika e korrupsionit” ka shkatërruar pothuajse çdo autoritet vleror me sado pak traditë, atëherë ndikimi i këtyre “forumeve të budallenjëve” ka tendencën e përfshirjes gjithnjë e më të madhe në procese reale shoqërore e politike.

Duke e ndjerë vetën shumicë në këto forume, budallenjtë po duan të paraqiten edhe si shumicë reale në shoqëri, përkatësisht që mendimi i tyre të mos injorohet e përçmohet, siç është bërë rëndom në histori më budallenjtë, por ky mendim të vlerësohet e të merret parasysh. Budallenjtë tanimë e konsiderojnë vetën shumicë dhe demokracinë sistemin e tyre përmes së cilit ata duhet të përfillen.

Lexo më shumë  Osmani në OKB: Serbia ditë më parë i testoi dronët iranianë në kufi, ky është mesazhi i saj për fqinjët

Kështu, budallenjtë duan të bëhen vendimmarrës dhe budallallëqet e tyre t’i kthejnë në norma, ligje e rregulla, duan të ndryshojnë kushtetuta e të përcaktojnë kahje të orientimeve kulturore, politike e strategjike në emër të kombit. Problemi më i madh me budallenjtë nuk është se ata nuk janë të aftë të kuptojnë, të thellohen, të analizojnë, të jenë objektivë etj., por fakti se ata janë të manipulueshëm dhe të paaftë të përcaktojnë se cili është interesi publik e kombëtar i shoqërisë. Njerëz me qëllime armiqësore ndaj shoqërisë sonë kanë zbuluar tek “forumi i budallenjëve” instrumentin për të grumbulluar rreth vetës dhe ideve të tyre masa njerëzish që në kohëra të tjera nuk do t’i grumbullonin kurrë.

Teoricienët e regjimeve politike që nga Aristoteli e deri tek Sartori e Fukuyama gjithnjë e kanë evidentuar demokracinë si një formë e qeverisjes që rrezikon të degjenerojë si pasojë e faktit që masat e paformuara mund të manipulohen lehtë nga armiq të interesave të shtetit. Rrjetet sociale dhe asocimi virtual i budallenjëve në 2016 e sollën një budalla në krye të shtetit fanar të demokracisë. Megjithatë, në përgjithësi përballë këtij rreziku, shoqëritë e konsoliduara dhe kombet historike, përmes emancipimit kanë arritur ta themelojnë demokracinë si regjimin më të mirë e më progresiv. Revolucionet kombëtare që u paraprinë demokracive moderne, me gjakun e derdhur i përcaktuan vijat e kuqe të interesit të kombit sovran të cilat s’mund të cënoheshin as prej despotësh e as prej shumicash të manipuluara e instrumentalizuara.

Lexo më shumë  Kurti u bën thirrje komuniteteve joshumicë të regjistrohen

Demokracia e interesit kombëtar përbën një trup vendimmarrës i cili nuk përbëhet vetëm nga të gjallët e një kohe, por edhe nga të rënët për idealet kombëtare të të gjitha kohërave. Në kontekstin tonë, idealet kombëtare, kulturore e identitare të themeluara nga Rilindja Kombëtare Shqiptare, duke përfshirë edhe orientimin kah Perëndimi të kombit shqiptar, s’mund të cënohen nga asnjëlloj shumice haxhiqamilësh, gjaku i derdhur për çlirim e bashkim kombëtar sipas idealeve të Kuvendit të 1912-ës s’mund të revidohet nga asnjëlloj demokracie totalitare Evnerësh, Fadilësh e Titosh, ideali i burgut të Adem Demaçit e Ukshin Hotit s’mund të vlerësohet nga asnjë lloj demokracie e masave të nënshtruara e pasive, sikurse rënia legjendare e Adem Jasharit, me flamur, për liri e bashkim, nuk mund të lejojë kurrë që në Kosovë në emër të demokracisë multietnike të prodhohet monstrumi politik i quajtur “budallo-kosovo-centrizëm”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *