ArgumentKryesore

Deklarata e ministres serbe për Kosovën, ngre shqetësime për vazhdimin e narrativës për spastrimit etnik ndaj shqiptarëve

Shkruan Dejona Mihali

Snezhana Paunoviq, 51 vjeçarja, ministre aktuale në Serbi, anëtare e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), partisë së themeluar nga Slobodan Millosheviqi dhe prej vitesh pjesë e koalicionit qeverisës me SNS-në e Aleksandar Vuçiqit, deklaroi: “Po të isha unë Millosheviqi në vitin 1998, do të kryeja spastrimin etnik të Kosovës.”

Së pari, kjo deklaratë tregon se narrativa e viteve ’90 nuk është shkëputur nga një pjesë e rëndësishme e elitës politike në Serbi. Gjuha e spastrimit etnik vazhdon të përdoret jo si diçka që duhet dënuar, por si një opsion që mund të artikulohet publikisht.

Së dyti, deklarata lë të kuptohet se, për një pjesë të kësaj elite politike, problemi nuk është politika kriminale e regjimit të Millosheviqit, por fakti se ajo nuk e arriti rezultatin që ata e konsiderojnë të dëshirueshëm. Nuk vihet në dyshim logjika e dhunës,vihet në dyshim vetëm fakti që ajo nuk prodhoi rezultatin politik të synuar. Pra, spastrimin efektiv dhe përfundimtar.

Më pas, Paunoviq u përpoq ta “korrigjonte” deklaratën duke thënë se kishte parasysh që shqiptarët, nëse nuk donin të jetonin në Serbi, “të shkonin në shtetin e tyre amë”. Por ky “sqarim” e rëndon edhe më shumë deklaratën. Ajo nuk e tërhoqi deklaratën për spastrimin etnik, vetëm u përpoq ta arsyetonte atë me idenë e largimit të shqiptarëve nga vendi i tyre.

Ky arsyetim është historikisht dhe politikisht i paqëndrueshëm. Shqiptarët e Kosovës nuk janë një popullsi e ardhur në Kosovë gjatë epokës moderne dhe nuk janë produkt i ndonjë projekti kolonizues. Ata përbëjnë popullsinë shumicë historike të Kosovës. Edhe shteti shqiptar, në kufijtë e tij të vitit 1913, nuk u krijua sepse aty përfundonte shtrirja e kombit shqiptar, por si rezultat i vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912–1913), e cila la jashtë shtetit shqiptar një pjesë të madhe të territoreve të banuara me shumicë shqiptare, përfshirë Kosovën. Për këtë arsye, të flasësh për “dërgimin e shqiptarëve të Kosovës në shtetin amë” do të thotë të kërkosh largimin e një popullsie historike nga vendi i saj.

Lexo më shumë  Deputeti shqiptar në Serbi: Do të inicioj kërkesën për shkarkimin e ministres Paunoviç

Në thelb, kjo është çështje e së drejtës historike dhe politike të një populli për të jetuar në vendin e vet. Asnjë popull nuk humbet këtë të drejtë sepse një shtet ose një elitë politike pretendon sovranitet mbi territorin ku ai jeton. Në të drejtën ndërkombëtare moderne, legjitimiteti politik nuk ndërtohet duke mohuar ekzistencën e popullsisë së një territori, por duke njohur të drejtat e saj. Pikërisht mohimi i kësaj të drejte ka qenë pikënisja e kolonizimeve, dëbimeve me forcë dhe spastrimeve etnike gjatë historisë.

Përfytyrojeni të njëjtën logjikë të zbatuar ndaj shqiptarëve të Shqipërisë: një pushtues t’u thotë një ditë “largohuni nga Shqipëria dhe shkoni në shtetin tuaj amë, në Kosovë”. Tingëllon absurd. Askush nuk do ta pranonte një pretendim të tillë. E pra, pikërisht po aq absurd është t’u thuash shqiptarëve të Kosovës të largohen nga vendi ku kanë jetuar historikisht.

Deklarata bëhet edhe më paradoksale nga fakti se Snezhana Paunoviq ka lindur në Pejë. Ajo flet për largimin e njerëzve me të cilët ka ndarë të njëjtin qytet, të njëjtën hapësirë dhe të njëjtën histori.

Spastrimi etnik nuk fillon me dëbimin. Fillon me mohimin e së drejtës së një populli për të jetuar në tokën e vet.

Projektet kolonizuese ndërtohen pikërisht mbi këtë logjikë. Së pari mohohet lidhja historike e popullsisë me territorin, më pas mohohet legjitimiteti i pranisë së saj, në fund, dëbimi paraqitet si zgjidhje politike. Kur kjo logjikë mbështetet nga dhuna shtetërore, ajo prodhon dëbime masive, spastrim etnik, krime kundër njerëzimit dhe, në rrethana të caktuara, edhe gjenocid. Kështu ka ndodhur në shumë raste të shekullit XX.

Lexo më shumë  Fondi i Kursimeve Pensionale arrin rekord historik investimesh - Kurti: 312 milionë euro kthim bruto në gjysmën e parë të vitit

Kjo është arsyeja pse kjo deklaratë nuk mund të trajtohet si një provokim mediatik apo si një lapsus. Ajo ngre pyetje serioze për mënyrën se si një pjesë e klasës politike në Serbi e sheh ende luftën në Kosovë, përgjegjësinë për krimet e kryera dhe raportin me të kaluarën e shtetit të tyre gjenocidal.

Ka edhe një fakt që e bën këtë deklaratë shumë më të rëndë.

Snezhana Paunoviq që nga prilli i vitit 2025 drejton Ministrinë e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, institucionin përgjegjës për funksionimin e administratës shtetërore, të vetëqeverisjes lokale dhe marrëdhëniet e pushtetit qendror me komunat në Serbi, përfshirë Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën.

Prandaj, kur pikërisht ministrja përgjegjëse për administratën dhe pushtetin lokal flet për “spastrimin etnik të Kosovës”, kjo deklaratë nuk mund të ndahet nga realiteti me të cilin përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës. Pasivizimi i adresave dhe praktikat e tjera diskriminuese administrative, të cilat janë konstatuar edhe në procese gjyqësore ndërkombëtare, tregojnë se logjika e spastrimit nuk manifestohet vetëm me forcë ushtarake. Ajo mund të ushtrohet edhe përmes administratës, duke synuar zbrazjen graduale të një territori nga popullsia e tij.

Ky është realiteti i një shteti kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe i një qeverie që ka nisur dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara një ministre përgjegjëse për pushtetin lokal dhe të drejtat administrative të qytetarëve artikulon publikisht gjuhën e spastrimit etnik ndaj një populli.

Rruga Press

YouTube player