KryesoreLajme

Dejan Raçiq dhe Milan Jovanoviq akuzohen për krime lufte, gjykohen në mungesë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë kanë nisur dy procese gjyqësore ndaj dy të pandehurve serbë, të akuzuar në mungesë për dhunë seksuale gjatë luftës. Milan Jovanoviq dhe Dejan Raçiq janë të akuzuarit e parë në mungesë për dhunimin si krim lufte

Dy procese të reja gjyqësore në mungesë për krime të luftës kanë nisur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Dejan Raçiq dhe Milan Jovanoviq akuzohen për krimin e luftës – dhunim.

Seancat për këto raste janë të mbyllura për të mbrojtur privatësinë e të mbijetuarave, por në seancat e shqyrtimeve fillestare për këta dy të akuzuar, që po gjykohen ndaras, janë lexuar versione të redaktuara të aktakuzave.

Prokurori special Ilir Morina, gjatë leximit të versionit publik të aktakuzës për Dejan Raçiqin, tha se ai ishte rezervist i forcave ushtarake serbe.

Lexo më shumë  Gërvalla: Paqja në Evropë mund të sigurohet vetëm duke ndalur të gjithë së bashku Rusinë dhe Serbinë

“Duke e ditur për ekzistimin e një sulmi të tillë me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar. Me këtë ka kryer veprën penale ‘krime lufte kundër popullsisë civile’ nga neni 142 i Kodit Penal të Ish-Jugosllavisë, aktualisht i inkriminuar si krim kundër njerëzimit nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.7 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë prokurori Morina.

E i pandehuri tjetër, Milan Jovanoviq, sipas prokurorisë, ishte pjesë e forcave policore të Serbisë.

“I pandehuri Milan Jovanoviq në kohën e luftës në Kosovë ishte si pjesëtar i forcave policore serbe gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullatës civile shqiptare në tërë territorin e Kosovës. Duke e ditur ekzistimin e një sulmi të tillë me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore në bashkëkryerje me persona të tjerë deri tani të paidentifikuar, ka kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar”, ka theksuar prokurori Morina.

Lexo më shumë  “E pashë një person të maskuar me armë në dorë” – policia jep detaje nga tentim vrasja ndaj Marko Jablanoviqit

Avokatëve mbrojtës gjykata ua ka dhënë 30 ditë afat për kundërshtimin e aktakuzës dhe provave.

Gjatë luftës në Kosovë janë dhunuar rreth 20 mijë shqiptarë, shumica gra. Gjyqtarëve të Departamentit Special u janë ndarë edhe dy raste të tjera për gjykim në mungesë për dhunë seksuale gjatë luftës.

E, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke u zhvilluar edhe një proces tjetër në mungesë, ai ndaj Çedomir Aksiqit, i akuzuar për krime lufte, përfshirë edhe për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut.

Rruga Press

YouTube player