Opinion/Aktualitet

Dashuri e vjetër e spiunazhit rus për Shqipërinë? Incidenti i Gramshit dhe një pjesë nga libri “Rusët po vijnë”

Nga Shaban Murati

“….Ka dalë një lidhje direkte e emrit të Shqipërisë me përpjekjen për grusht shteti në Mal të Zi. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se institucionet e specializuara ruse dhe serbe, që kanë organizuar operacionin e grushtit të shtetit në Mal të Zi, kanë përfshirë në hartat e tyre operative edhe emrin dhe territorin e Shqipërisë.

Prokurori i Malit të Zi, Milivoje Katniç, deklaroi në datën 21 tetor 2016 se një nga grupet kriminale, që do të merrte pjesë në grushtin e shtetit, kishte planifikuar të hynte në Mal të Zi nga territori i Shqipërisë.

Profesori i njohur amerikan i çështjeve ballkanike, Daniel Server, shkruante në 27 tetor 2016 se një pikë hyrje e njërit nga grupet kriminale, që do të merrte pjesë në grushtin e shtetit në Mal të Zi, do të ishte kufiri me Shqipërinë.

Pyetja më e thjeshtë, që mund të bëjë lexuesi i zakonshëm, është se përse institucionet e specializuara ruse dhe serbe kishin planifikuar  futje nga territori i Shqipërisë, kur atyre do t’u duhej ta kalonin dy herë kufirin shqiptar, edhe kur të hynin në Shqipëri, edhe kur të dilnin për në Mal të Zi?

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Përse duhet t’i dilnin nga Shqipëria forcat diversioniste, që niseshin nga Serbia, kur për ta kufiri malazez është më miqësor se kufiri shqiptar? Çfarë sigurie kishin ata në territorin shqiptar, që e quanin më të përshtatshme Shqipërinë, se sa hyrjen nga Serbia dhe nga Kroacia?

A duhet të përjashtohen supozimet se në mesin e këtyre grupeve kriminale dhe paraushtarake me preferenca të habitshme për kufirin shqiptar, mund të kishte edhe shtetas të Shqipërisë dhe të Kosovës, si forca mercenare të paguara nga Rusia dhe Serbia?

Është e kuptueshme se pyetjet, që duhet t’i bëjnë vetes me këtë rast zyrat shtetërore dhe organet e specializuara shqiptare, duhet të jenë më të thella dhe më zhbiruese.

Heshtja, që u mbajt në Shqipëri për ngjarjet në shtetin fqinj të Malit të Zi dhe për grushtin e dështuar të shtetit atje, vjen era sponsorizim. Implikimi i konfirmuar i shtetasve serbë dhe rusë e dëshmon grushtin e shtetit si operacion i përbashkët ruso-serb, gjë që të bën mendosh më gjerësisht për implikimet dhe pasojat, që mund të ketë strategjia ruse e ndryshimit të regjimeve në Ballkan për të arritur ndryshimin dhe devijimin e politikave atlantike dhe properëndimore.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Shqipëria nuk është jashtë kësaj strategjie dhe as është e imunizuar. Nuk e theksova rastësisht më sipër se heshtja, që u mbajt dhe po mbahet për zhvillimet negative rreth Malit të Zi, është e sponsorizuar nga shtetet antiatlantike, që kërkojnë trazira dhe tensione në Ballkan, dhe në radhë të parë nga Rusia.

Faktorët prorusë në Shqipëri, në politikë, në media, në shoqatat joqeveritare fitimprurëse, në qarqet akademike dhe fetare, shënojnë një fuqizim të pazakontë në dy vitet e fundit. Ka një strategji të qartë ruse për krijimin e një klime filoruse në opinionin publik shqiptar nëpërmjet glorifikimit të përditshëm të forcës ushtarake dhe të lavdisë ruse dhe të presidentit rus…”

31.10.2016 / Shaban Murati, “Rusët po vijnë”, 2022, fq.122

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *