Lajme

A po fliste për Ramën? Kurti: Ka kryeministra që i ndalojnë gazetarët të bëjnë pyetje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka mbajtur sot edhe një konferencë për media ku është përgjigjur ndaj të gjitha pyetjeve të gazetarëve që janë shtruar.

Kurti të mërkurën në konferencë foli gjatë dhe shpalosi detaje nga takimi që zgjati me orë në Bruksel mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai në këtë rast sqaroi vendimin e Kosovës për targat ilegale serbe dhe theksoi se Republika e Kosovës nuk prodhon më targa të UNMIK-ut dhe kjo do të jetë e pamundur sa të jetë ai në udhëheqje të Qeverisë.

E pas pyetjeve të shumta kah fundi i konferencës në disa pyetje nga gazetarë serbë, Kurti tha se është një kryeministër demokratik që “i lut” gazetarët t’i bëjnë pyetje dhe se me të nuk ndodh e kundërta.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti në Gjermani: Kosova e vendosur për anëtarësim në NATO dhe BE

Ai pati edhe një porosi për gazetarët.

“Diku kryeministrat ndalojnë të bëhen pyetje. Kishte qenë mirë zonja gazetare që të bëni pyetje. Ka kryeministra që i ndalojnë gazetarët të bëjnë pyetje, ama unë jam kryeministër që i lus gazetarët të bëjnë pyetje. Prandaj, është mirë që kolegët serbë ta kuptojnë sa demokratik është vendi ynë. Kryeministri e lut gazetaren”.

Pavarësisht se kryeministri Kurti nuk e bëri të qartë tekstualisht se për cilin kryeministër bëhet fjalë kur ai thotë se ka të tillë që i ndalojnë gazetarët të bëjnë pyetje, në rajon janë dy udhëheqës të cilët shquhen për qasje autoritare sidomos ndaj gazetarëve apo mediave që nuk bëhen lavatriçe për larjen e “pisllëqeve” të pushtetit të tyre; ata janë Edi Rama në Shqipëri dhe Aleksandër Vuçiq në Serbi. Dhe nga të dy, kryeministër është vetëm Edi Rama.

Lexo më shumë  “Serbia po frikëson dhe shantazhon qytetarët e Kosovës”- Qeveria shpalos detaje tjera nga biseda telefonike Kurti-Macron

Ky i fundit më parë ka provuar që të kalojë edhe ligjin që e pagëzoi me emrin “anti-shpifje”, i cili u kritikua shumë si nga brenda Shqipërisë, poashtu edhe nga Bashkimi Evropian, duke u konsideruar si ligj që vë në rrezik të mëtejshëm lirinë e medias dhe lehtëson kontrollimin e saj prej qeverisë.

Përveç gjuhës së vazhdueshme fyese ndaj gazetarëve, së fundmi, kryeministri Rama vendosi edhe që ta përjashtojë një gazetar nga salla e konferencave të Kryeministrisë, sepse nuk i pëlqeu kur ai pyeti rreth dyshimeve për një aferë nepotiste ku pretendohet se është përfshirë njëra prej ministreve të Qeverisë Rama. Masën (përjashtimin) që shpiku kryeministri Rama ndaj gazetarit e quajti “rehabilitim” 6-mujor.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *