Daily Mail: Xhaka nën hetim për trukim të mundshëm… përfshihet edhe mafia shqiptare
Gazeta angleze, “Daily Mail” i ka kushtuar një artikull pretendimeve nga hetuesit anglezë lidhur me një karton ndëshkimi të dhënë ndaj Granit Xhakës në Premier Ligën Angleze, në fitoren e Arsenal kundër Leeds sezonin e kaluar.
Sipas Daily Mail, hetuesit po e shqyrtojnë një komplot të dyshuar kriminal ku përfshihet mafia shqiptare dhe një ish-futbollist profesionist i cili është dënuar për trukim ndeshjesh më parë.
Sportsmail ka zbuluar në muajin qershor se hetimi i Federatës angleze të Futbollit për kartonin e verdhë të çuditshëm të Xhakës për humbje kohe dhjetorin e kaluar, iu kalua Agjencisë Kombëtare të Krimit, NCA, e cila e udhëheqë luftën e Britanisë së Madhe kundër krimit të rëndë dhe të organizuar.
Hetimi i Federatës së Futbollit të Anglisë u shkaktua nga modele të dyshimta bastesh që u shfaqën në fund të fitores 4-1 të Arsenalit në Elland Road, me 52,000 funta të vëna bast për Xhakën që u ndëshkua në 10 minutat e fundit të lojës.
Xhaka u ndëshkua me karton të verdhë nga gjyqtari Andre Marriner në minutën e 86-të pasi vonoi të ekzekutonte një goditje dënimi, pavarësisht se Arsenali po fitonte 4-1 dhe kishte kontroll të plotë të lojës.
Pamjet e video-incidentit e shfaqin mesfushorin me origjinë nga Kosova duke qëndruar mbi topin për rreth 20 sekonda, duke mos e goditur atë e duke vonuar lojën, përpara se të ndëshkohej me karton.
Më tutje, sipas Sportsmail, atyre i është thënë se hetuesit nga NCA, kanë zbuluar prova të shumave të konsiderueshme të basteve në kriptovaluta në tregje që nuk janë të rregulluara në këtë vend, me një pjesë të madhe të aktivitetit që mendohet se ka ndodhur në Shqipëri.
“DailyMail” shkruar se NCA po i shqyrton gjithashtu pretendimet se Alban Jusufi, sulmuesi suedezo-shqiptar i dënuar me pesë vjet pezullim për trukim ndeshjesh nga gjykatat suedeze në vitin 2017, përfitoi shuma të mëdha parash duke vënë bast që Xhaka të ndëshkohej.
41-vjeçari ishte shpallur fajtor për korruptimin e portierit të AIK-ut, Kyriakos Stamatopoulos, me 150,000 funta për të mos performuar mirë përpara një derbi kundër IFK Gothenburg në vitin 2017. Federata e Futbollit e Suedisë e shtyu ndeshjen pasi u raportua për trukim të ndeshjes.
Xhaka, i cili pritet të luajë për Arsenalin kundër Crystal Palace të premten mbrëma. Tani për tani, nuk ka asnjë sugjerim për keqbërje nga ana e tij, as nuk është e qartë se kush mund të jetë i përfshirë në ndonjë komplot.
Arsenali dhe Federata e Futbollit të Anglisë nuk pranuan të komentojnë lidhur me këto zhvillime të enjten mbrëma. Mësohet se ata nuk kanë marrë asnjë informacion të fundit nga grupi hetimor./Daily Mail
Rruga Press