Opinion/Aktualitet

Çun Lajçi i ashpër ndaj PDK-së: Vuçiqi e mori sinjalin; – s’ke nevojë për Vagnerin, se kauboj ke sa të duesh n’Parlamentin e shqiptarëve

Shkruan Çun Lajçi

Lueje kuletën se shqiptarët i blenë ma leht seç kujton!

Mbramë s’isha n’Shëngjinin e vitit 23. Po kthehesha kujtimeve mbramë, të mesnatave, kur dilnim nga Kinema Rinia e futeshim n’korzon e Prishtinës, tue spjegua filmin me Gjinën, Bardonë, Llankaster, Vejn e Bekimin!

E puthi! E palloj! E preu! E vjerri! E lidhi për kaktusi! Mizat e krymbën n’shkretinë!

Rrugicave të Prishtinës ua spjegonim filmat, atyne që s’kishin pare me shkua n’kinema e qyteti zhurmonte me emna yjesh deri të konviket, aty ku sot rrin si fantazmë kisha e Milloshit!

Sa e bukur! Gojë qibritli! Fytverdhë! Sy filxhan! Vetull fiskajë! Belin unazë!

Sa i shpejt n’kobure! Sa i leht mbi kal! Sa grushtfortë! Sa spiune ajo bjondja – Dhe Prishtina bahej ekran i madh me aktore e aktor holivudi mesnatave të çdo stine!

Lexo më shumë  Demokracia triumfoi në Hungari, Vuçiqi në frikë nga ndryshimet që po vijnë

Kjo zhurmë m’erdhi mbramë n’Shetitorën e pastërt të Shëngjinit nga kosovarët që e kan si t’vetën. Madje madje, s’lexon gja tjetër pos; – Restorant Prizreni, Gjakove, Suhareke, Hasi, thua ti se nji Kosovë e Re asht ringritë n’Shëngjinin e heshtun!

Shëtisnin pushuesit tue i tjerrë grushtët n’Parlamentin e Kosovës, njisoj si ne n’vitet 70-ta, kur i spjegonim filmat!

– Me ujë e stërpiku! S’u ba nami! E flladiti pak se ishte tepër nxeht!

– Ç’iu desht atij picimulit me gjuejtë me shishe plastike. Ajo nuk thehet!

– Ata me sprej e tym lotsjellës i qorronin! Këta me ujë!

– Ky Xhejms Bondi e kishte grushtin e randë! Syzet i fluturuen ministrit! E la pa sy! Terr ia bani!

Dhe qesheshin pushuesit n’Shëngjin!

– Ku mbeti burrnia? Nji grua u fut ndërmjet dhe prap ky kauboi grushtonte! Pse nuk ia dha nji flakareshë Mimit, që po flet me shkije, po ministreshën donte me shkye!

Lexo më shumë  Rusia ka ndikim të madh në Serbi, ndërsa pushteti aktual në Beograd e pëlqen këtë fakt

Fliste njeni e tjetri e shetitorja bahej ekran filmi!

Unë i dëshpëruem, shkrova n’ranën e hedhun buzë detit: – I treguem Evropës se shqiptari i untë e serbi i pitë janë të barabartë!

– Lakmitar për pasuni i pari e lakmitar për toka i dyti!

Vuçiqi e mori sinjalin; – s’ke nevojë për Vagnerin, se kauboj ke sa të duesh n’Parlamentin e shqiptarëve që ta bajnë argatin për rubla e dinar! Lueje kuletën se shqiptarët i blenë ma leht seç kujton! Për pare ta shesin jo vetëm veriun, po edhe jugun!

– Kallxoje kuletën e Cecën e çaraveshu!

Rruga Press

YouTube player