Opinion/Aktualitet

Çmimet po na “thyejnë në mes”. Sa para paguan më shumë çdo familje pas shtrenjtimit të madh

Eduart Gjokutaj-Altax*

Kostoja e ushqimeve në Shqipëri u rrit me 13.9 përqind në Korrik 2022 krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë[1], ndërsa në qershor 2022 kjo kosto u rrit me 13.2 përqind sipas publikimit të fundit të Bankës Botërore[2], bazuar tek INSTAT.

Me fillimin e vitit 2022 dhe fundin e vitit 2021, shumë konsumatorë shqiptarë përjetuan, për herë të parë në jetën e tyre “mpirjen” monetare, të cilën e krijon rritja e çmimeve. Më shumë se një vit pas pandemisë, ata po përballen me një prirje tjetër të panjohur kur bëhet fjalë për aksesin te ushqimet: çmimet më të larta për ushqimet, transportin dhe një rritje në tërësi i kostos së jetesës.

Për mbi 1/4 e familjeve shqiptare, tashmë disa produkte dhe shërbime janë bërë të paarritshme.

Rritja e paralajmëruar e kostos në sektorin e ushqimit, rritja e çmimeve të mallrave bujqësore, pengesat e transportit dhe kërkesa e fortë e konsumatorëve kanë çuar në rritjen më të lartë vjetore të çmimeve të ushqimeve në mbi tre dekada dekadë dhe në rritjen më të lartë vjetore të çmimeve të ushqimeve që nga fillimi i viteve 1990.

Rritja e çmimeve botërore të ushqimeve për prodhuesit po krijon pasiguri dhe po shkakton shqetësime në publik. Kjo situatë tashmë në tregun shqiptar është reflektuar nga ulja e kërkesës konsumatore dhe nga rënia e besimit në ekonomi[3].

Konsumatorët në Shqipëri po përjetojnë rritje edhe më të larta për shkak të varësisë më të madhe nga importet e ushqimeve. Përçimi i efektit nga çmimet e prodhimit në çmimet e konsumit është më i madh për ekonominë tonë se për vendet e rajonit më të organizuara dhe më të zhvilluara se Shqipëria, për arsye të dobësive që ka tregu shqiptar.

Ndërkohë, ndër grupet sociale më të prekura nga efekti i inflacionit janë kategoritë e individëve/familjeve me të ardhura të ulëta, sepse ky nivel i konsumatorëve zakonisht shpenzon një pjesë relativisht të madhe të të ardhurave të tyre për ushqim e pije (45.3% të buxhetit mujor)[4].

Një faktor shtesë rreziku është mbivlerësimi i Lekut kundrejt Euros dhe zhvlerësimi kundrejt dollarit amerikan. Mbivlerësimi i lekut ndaj euros nga një analizë e gjithë treguesve që lidhen me euron duket se ndikohet për shkak të rritjes së të ardhurave nga Pastrimi parave të pista, prej eksportit, turizmit dhe daljeve neto të kapitalit. Ndërkohë, në këtë fund gushti leku ka një zhvlerësim të tij ndaj dollarit amerikan në këto 8 muaj me të paktën 10.3% krahasuar me janarin 2022. Një arsye kryesore mendohet se vjen meqenëse shumica e mallrave ushqimore/karburantet tregtohen në dollarë amerikanë, vendet me monedhë më të dobët si Shqipëria kanë parë rritje të faturave të importit të tyre ushqimore.

Kështu, ushqimi po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë në Shqipëri si dhe në gjithë vendet e rajonit.

Duke marrë për bazë se për familjet me dy persona pa fëmijë (përgjithësisht nga familjet e pensionistëve) shpenzojnë jo më pak se 44.9% vetëm për ushqime dhe 3.6% për pije alkoolike e duhan, vetëm nga kjo rritje e inflacionit me një mesatare 7 mujore prej 10.3%, atëherë pesha monetare e rritur në buxhetet e tyre është me të paktën 3.700 lekë/muaj, por pa përfshirë këtu kostot e tjera të jetesës (transport, arsim, shëndetësi, mirëmbajtje banese, qera, etj) të rritura. Nëse shtojmë edhe koston e rritur të transportit, të shpenzimeve për shëndetësi, për arsim, për veshje, për mirëmbajtje banese dhe të tjera (hotele, kafe, restorante)[5], atëherë llogaritjet na tregojnë se nevojiten edhe të paktën 1.800 lekë të tjera shtesë nga efekti i “taksës” së inflacionit.

Bazuar te kostoja e rritur e çmimit të ushqimeve të një familje me dy persona (pensionistë) mundet të përdoret si referenca nga ku mund të llogaritet ndikimi i inflacionit edhe në familje që kanë fëmijë apo edhe pjesëtarë më shumë se dy persona.

Për çdo individ shtesë në familje rritja e kostos vetëm për ushqime është mesatarisht 1.700 lekë në muaj.

Lexo më shumë  Qeveria e re serbe me dy zv.kryeministra rusë

Në këtë llogaritje të bazuar në të paktën dy statistika (konsumi dhe buxheti i familjeve) shihet se kostoja bazike për familjen me dy persona arrin në nivelin e 5.500 lekë në muaj. Për çdo individ shtesë në familjet me më shumë se dy persona, kostoja e rritur mujore është mesatarisht 1.800 – 2.000 lekë.

Pra për një familje me 4 persona, efekti i “taksës” së inflacionit si pasojë e rritjes së çmimeve është deri në 9.000 – 9.500 lekë në muaj. Kjo tendencë vjen në rritje, pasi llogaritjet që paraqiten në këtë analizë bazohen te mesatarja e inflacionit nga Janari deri në Korrik 2022.

Në rast se inflacioni do të vijojë rritjen, atëherë për çdo 1% rritje të tij do të reflektohet një rritje në shpenzimet e familjeve me 4 persona me të paktën 900 lekë në muaj.

Por, nëse llogaritim vetëm këtë efekt të inflacionit duket se paketa e rezistencës sociale me një ndihmë mujore prej 3.000 lekë në muaj/individ arrin të paktën të përballojë mesatarisht peshën e shpenzimeve të rritura nga inflacioni. Nga ky krahasim ka familje që shpenzojnë më pak (qytetet e vogla dhe periferike), por ka që shpenzojnë më shumë (kryeqyteti dhe qytetet e mëdha).

Në fakt, shumica e familjeve me të ardhura të ulta varen nga remitancat (dërgesat e valutave nga jashtë vendit). Nisur nga një llogaritje e bazuar te Euro dhe paundi që janë dy valutat që kanë peshën kryesore në remitancat[6], atëherë zhvlerësimi i Euros ndaj Lekut (4.5% më ulët për periudhën 8 mujore 2022) ka ndikim me të paktën 32.5 milion euro më pak në të ardhurat e familjeve për të përballuar kostot e rritura.

Nisur nga fakti që indeksimi që nevojitet për të përballuar kostot e rritura për pensionet është miratuar indeksimi në normën 3.3%[7] shihet se llogaritjet për familjet me dy persona (kryesisht pensionistë) kanë një shtesë të pensionit të tyre me të paktën 6.000 lekë për vetëm muajt Prill – Qershor 2022.

Ndërsa, rritja e pagave për infermierët, mjekët, mësuesit me 6% nga muaji Korrik 2022, rritja e pagave të ushtarakëve me 30%, si dhe rritja e pagave për institucione të caktuara në nivele të ndryshme në dy kategoritë e para është më së shumti një indeksim që mundet të ndikojë për përballimin e 90% të ndikimit të inflacionit deri më tani dhe një rritje që shkon në barazvlerësim të sistemit të pagave për ushtarakët, të cilët nuk kanë parë rritje deri më sot.

Natyrisht, që indeksimi i pagave mundet që të ndikojë në mbajtjen e konsumit edhe për pak kohë pa u tkurrur në nivele të ulëta.

Por, kjo nuk vlen për gjithë punonjësit e tjerë të sektorit publik dhe privat që nuk kanë patur asnjë indeksim në pagat e tyre.

Kategoritë me paga të paindeksuara, që përbëjnë ¾ e gjithë të punësuarve formalë të tregut të punës në Shqipëri duhet të mjaftohen vetëm me uljen e shpenzimeve të tyre. Në shumë familje kjo mund të përkthehet në ulje të nivelit të jetesës deri në kufijtë e varfërisë. Në familje të tjera, kjo do të thotë në mohimin e shpenzimeve të nevojshme për shëndetësi, mobilim dhe mirëmbajtje, si dhe në mos shkuarjen me pushime verore. Për të tjerë, kjo rritje do të thotë mospërballim i ushqimeve bazike dhe energjisë.

Me një analizim paraprak edhe të statistikave nga INSTAT rreth shfrytëzimit të njësive akomoduese formale në sezonin veror shihet se është në nivele më të ulëta nga turistët vendas. Kjo qasje e familjeve shqiptare është e ndikuar edhe nga kjo pasiguri e të punësuarve, të cilët janë në momente kritike për vijimësinë e përballimit të kostos së jetesës, që pritet të rritet edhe më tej.

Lexo më shumë  Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë

Nisur nga kjo situatë mjaft e paprecedent për konsumatorin shqiptar, ku nga njera anë përballet me kurbën rritëse të produkteve që ata shpenzojnë përditë dhe nga ana tjetër është kurba ulëse e zhvlerësimit të të ardhurave mujore, atëherë nevojitet që të prezantohen opsione për ta parandaluar një krizë gjithpërfshirëse, ku rënia e konsumit do të ishte humbja e madhe e ekonomisë dhe fillimit të trazirave sociale të ndikuara nga trokitja e pamundësisë së kostove të rritura në dyert e shumë familjeve me të ardhura të ulta.

Opsionet gjithsesi publiku shqiptar i pret nga qeveria për politikat sociale dhe ato fiskale, si dhe Banka e Shqipërisë për sa lidhet me tregun monetar dhe atë të këmbimit.

Banka Qendrore dhe qeveria normalisht që po e monitorojnë inflacionin.

Politika monetare si politika kryesore që rekomandohet të përdoret është përdorur duke ndryshuar normat e interesit bankar. Aktualisht shihet se me vendimet e saj do të ulë kërkesën e ekonomisë, duke rezultuar në rritje ekonomike më të ulët, bashkë me inflacion më të ulët.

Ndërsa parandalimi i inflacionit është tentuar me rritjen e normave të interesit, duket se ulja me ritme të paprecedenta të zhvlerësimit të Euros ndaj Lekut ka ulur në mënyrë të menjëhershme fuqinë blerëse. Në fakt, rritja e normave të interesit duke mos rritur furnizimin me para është metoda që përdoret nga vendet e zhvilluara për të kontrolluar inflacionin. Por, tregu monetar shqiptar ka shumë elementë të ndryshëm nga tregjet ku rekomandohet përdorimi i kësaj metode. Në mungesë të furnizimit me para, atëherë bonot qeveritare duhet të kishin fituar terren edhe më shumë se deri më sot, pasi kanë ndikimin e tyre në kontrollin e inflacionit. Blerja e Euros në tregun e këmbimit herë pas here është një metodë e pamjaftueshme.

Shpenzimet e qeverisë, huamarrja publike dhe taksat përbëjnë politikat fiskale për luftimin e Inflacionit.

Nëse shkaktari kryesor pas inflacionit janë shpenzimet e qeverisë, atëherë ato mund të rregullohen duke rritur shpenzimet sociale dhe pakësuar shpenzimet e tjera. Kërkesa konsumatore do të rritej edhe më tej nëse furnizimi me para direkt te individët me të ardhura të ulta do të rritej për të përballuar ofertën e tregut të brendshëm.

Në pamundësi të një huamarrje të afërt, atëherë furnizimi me para direkt është një instrument monetar, por me prapavijë fiskale për të parandaluar rritjen e inflacionit duke e orientuar paranë direkt te individët që do ta konsumojnë atë, por me këtë rast paguhen edhe ato borxhe që qeveria i ka individëve të saj dhe që i ka në proces likujdimi.

Ndërkohë, në përgjegjshmërinë e një politike fiskale të dedikuar ndaj situatës do të duhej që të vendoseshin norma më të larta tatimore për kategorinë e individëve që fitojnë të ardhura të larta duke synuar që pjesa e tyre e pashpërndarë e të ardhurave nga pasuria tashmë të funksionojë për periudhë të tillë mjaft dramatike për të ardhmen. Një normë më e lartë e tatimit mbi të ardhurat mund të reduktojë shpenzimet, kërkesën dhe presionet inflacioniste nëpërmjet politikës fiskale.

Vendosja e kufijve të çmimeve, të cilat në parim u menduan se mund të ndihmonin në zbutjen e presioneve inflacioniste duke u përpjekur të shërbejnë si instrumenta administrativë për të përshtatur çmimet e kontrolluara me pagat aktuale, realisht në praktikë nuk arritën ta përmbushin dot funksionin e tyre.

Në këtë drejtim, kontrolli i gjithë institucioneve drejt abuzivizmit në treg me çmimet, lufta ndaj evazionit e bazuar te një vullnet i pakorruptuar, si dhe dialogu politik dhe gjithpërfshirës edhe me ekspertët, shoqërinë civile, sindikatat dhe organizatat e biznesit dhe të tjerë përfaqësues të shoqërisë janë një përgjigje që ndikon direkt dhe indirekt ndaj situatës së rritjes së çmimeve./abcnews/

*Titulli është i redaksisë. Titulli i autorit: Taksa e inflacionit mund të ulet

[1] https://tradingeconomics.com/albania/food-inflation

[2] https://thedocs.worldbank.org/en/doc/40ebbf38f5a6b68bfc11e5273e1405d4-0090012022/original/Food-Security-Update-LXVII-July-29-2022.pdf

[3]https://www.bankofalbania.org/Politika_Monetare/Vrojtimet/Vrojtimi_i_bizneseve_dhe_i_konsumatoreve/Analiza_VBBK_korrik-2022.html

[4] http://www.instat.gov.al/media/9072/abf-2020.pdf

[5] http://www.instat.gov.al/media/10394/ick_korrik_2022.pdf

[6] https://www.bankofalbania.org/rc/doc/_Raporti_Remitancat_12168.pdf

[7] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2022/04/VKM-nr.-188-dat%C3%AB-30.3.2022.-1.pdf

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *