Opinion/Aktualitet

Çfarë përmasash ka abuzimi me tenderat?

“Korrupsioni endemik vijon të minojë sundimin e ligjit dhe rrezikon zhvillimin ekonomik. Investitorët e huaj citojnë korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, një mungesë transparence në prokurimet publike, ekonominë informale dhe zbatimin e dobët të kontratave, si disa prej problemeve më të mëdha në Shqipëri”

Kështu prezantohet Shqipëria në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve të vitit 2021.

YouTube player

Vitin e kaluar, institucionet shqiptare shpenzuan rreth 150 miliardë lekë ose mbi 1,2 miliard euro në gati 4.500 procedura prokurimi, thënë ndryshe, tendera. Ndonëse në pandemi, e kundër vullnetit të shprehur në publik për të kursyer, vlera e tenderuar gjatë viti 2020 ishte gati 2 herë më e lartë se ajo e një viti më parë.

Një shifër që rritet çdo vit, e bën që natyrshëm të lindë pyetja, nëse të gjitha këto fonde shpenzohen në mënyrë të drejtë dhe efeciente. Pra me sa prej këtyre parave abuzohet? Sa i gjerë është fenomeni, si ndodhin abuzimet dhe pse nuk ndëshkohen përgjegjësit?

Një ish-gjyqtar dhe anëtar i Gjykatës Kushtetuese, një ish-drejtor për auditimin e buxhetit në Kontrollin e Lartë të Shtetit, një ekspert për ekonominë dhe ish-drejtues në administratën publike, si dhe një reporter investigativ i fokusuar tek çështjet e korrupsionit, tregojnë se si ka lulëzuar loja e pistë në mënyrën se si shpenzohen paratë e shqiptarëve.

Për të kuptuar se sa fonde janë përvetësuar në mënyrë të pandershme përgjatë viteve, duhet të shohim së pari se sa janë shpenzuar në formën e tenderave. Në 6 vitet e fundit, sipas raportit të Agjencisë së Prokurimit Publik, në vend janë shpallur 35,727 procedura prokurimi në shërbime, mallra dhe punë të tjera civile, mesatarisht 6 mijë në vit. Në total, nga buxheti i shtetit janë vënë në dispozicion të kompanive që garojnë për këto tendera, fonde në vlerën e 686,7 miliard lekëve.

Në shifra praktike, Komisioni Europian llogarit se prokurimet përbëjnë çdo vit 1/10 e ekonomisë shqiptare.

“Vlera e tregut të prokurimeve publike në Shqipëri gjatë 2020-s ishte sa 9.4% të PBB-së, nga 4.8% që ishte në vitin 2019. Rritja u ndikua kryesisht nga rindërtimi pas tërmetit dhe një rënie e PBB-së për shkak të ndikimit ekonomik të COVID-19. Në vitin 2020, numri mesatar i ofertave për tender ishte 2.57 krahasuar me 2.37 në 2019 dhe 3.05 në 2018.”
Komisioni Europian

Lexo më shumë  Kur do ketë Tirana guximin t’i kujtojë Athinës gjenocidin grek në Shqipëri në 1914?

Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë që ka për detyrë kontrollin ekonomik e financiar të institucioneve, përfshirë këtu edhe shpenzimet e parasë publike. Sipas raporteve të KLSH, gjatë vitit të kaluar janë konstatuar shkelje në 191 procedura prokurimi, me vlerë mbi 12 miliardë lekë, ose rreth 48% e fondeve të audituara, çka tregon një shkallë shumë të lartë parregullsie. Por nisur nga fakti se gjatë një viti kalendarik auditohen një numër i kufizuar institucionesh, e pastaj një pjesë e tenderave që ato kanë shpallur, llogaritja e dëmit real të shkaktuar bëhet më e vështirë.

Sipas KLSH gjatë 2020-ës, dëmi në fushën e prokurimeve arriti në 553 milionë lekë, nga të cilat 126 milionë vetëm tek investimet publike, ndërsa efekti negativ arrit në 3.7 miliardë lekë.

Shifra të larta, por që mund të jenë në të vërtetë edhe më të larta. Pas mbi 4500 procedurash tenderimi të vitit të shkuar, të dhënat nga Komisioni i Prokurimit Publik, organit që trajton ankesat e operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në garë dhe ka të drejtën të urdhërojë ndryshimin e kritereve apo fituesit të garës, tregojnë se nga janari në dhjetor 2020 u paraqiten 741 ankesa.

Sipas KPP-së, gjatë vitit 2020 numrin më të madh të ankesave e zunë ato në lidhje me procedurat e prokurimit për kontratat për shërbime me 342 të tilla, prej të cilave 94 ankesa janë për shërbimin e ruajtjes fizike, për kontratat për mallra me 317 ankesa, duke vijuar me ankesat për kontratat për pune publike me 73 ankesa.

Ndryshe nga më herët, kur një pjesë e madhe e këtyre pakënaqësive rrëzoheshin, Komisioni i Prokurimit Publik pranoi një numër të konsiderueshëm ankesash nga operatorët ekonomikë ndaj institucioneve publike. KPP pranoi 329 ankesa nga 741 të paraqitura, duke u dhënë të drejtë rreth 50 për qind të ankuesve.

Sipas ekspertit Besnik Muçi, vetë mënyra se si është i ndërtuar sistemi i prokurimeve, krijon një konflikt interesi që çon pashmangshmërisht në cedim të detyrave apo edhe abuzim me paranë publike: “Jemi në konflikt interesi të pastër. Në Shqipëri, institucioni që ka fondin publik në dispozicion, prokuron fondin publik, përgatit dokumentet e tenderit, zgjedh operatorin fitues dhe njëkohësisht kontrollon operatorin fitues për cilësinë e shërbimit ose mallit. Pra, duke e zgjedhur kompaninë që do i marrë lekët dhe duke e kontrolluar atë, do të cedojë në një nga fushat”.

Lexo më shumë  Bushati: Telefonata e Ramës ndaj medias italiane, si thirrja e një kapo bande

Edhe sikur të mos kishte mekanizma kontrolli apo institucione që monitorojnë dhe auditojnë tenderat, për të faktuar praninë e fenomenit; një element që dëshmon abuzimet është përdorimi i fondit limit. Në parim, arsyeja pse kemi tendera është për të marrë ofertën më të mirë, duke nxitur konkurrencën mes operatorëve dhe duke ulur rrjedhimisht çmimin. Në vendin tonë, efektiviteti i prokurimeve, pra diferenca midis fondit limit dhe ofertës fituese vitin e shkuar ishte vetëm 8%. Sipas ekspertëve ky është një flamur i kuq. Një zgjidhje që mund të reduktonte fenomenin sipas Muçit është ndryshimi i sistemit të prokurimit.

Por në sytë e ekspertëve, kultura e ngulitur e korrupsionit do të gjente gjithmonë shtigjet për abuzim. Ndërsa të ndershmit, thjesht do të dekurajoheshin për të marrë pjesë në këto procedura.

Sipas ekonomistit Pano Soko, kjo mori abuzimesh me tenderat, krahas tjetërsimit të parave që do të duhet të shkonin për të mira për qytetarët, krijon një tjetër problem të madh për ekonominë: “Korrupsioni është ndoshta arsyeja e parë për gjendje ku ndodhet vendi ynë. Paranë që duhej të futej në sistemin ekonomik të vendit, e nxjerr dhe e fut nëpër shtëpitë e zyrtarëve”.

Me kalimin e viteve dhe forcimin e kuadrit ligjor apo shtrëngimin e procedurave, korrupsioni në tendera ka shfaqur pak ose aspak shenja përmirësimi.

Në serinë e ardhshme do t’ ju tregojmë se si kryhen abuzimet me paranë publike. Ekspertët do të bëjnë një skanim të procedurave të tenderimit, për të nxjerrë në pah metodat që përdoren më shumë për të paracaktuar fituesin e garës.

Ky është një prodhim i A2 CNN
Gazetar: Angelo Haruni
Operator: Andi Haxhihyseni, Endrit Aga, Tedi Arifi, Muharrem Latifi
Montazh dhe Postproduksion: Eliona Baliaj
Postproduksion Audio: Mersin Imeraj
Arkiva: Dorina Ethemaj
Grafika: Grejsi Shehu
Kryeredaktor: Elert Yzeiri

Ky material u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Përmbajtja e saj është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe të Partnerëve. /A2CNN/


YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *