Lajme

Boshnjakët i paralajmërojnë ukrainasit: E gjatë është rruga e drejtësisë

Ky është mesazhi nga të mbijetuarit e luftës së brendshme të Bosnjës 1992-95, të cilët i kanë kushtuar vitet që pasuan ritregimit dhe rijetimit të traumës së tyre me shpresën për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë dhe për të faktuar të dhënat historike

Pavarësisht se si përfundon lufta e Rusisë në Ukrainë, vënia e drejtësisë për abuzimet e të drejtave të njeriut gjatë konfliktit do të jetë pashmangshmërisht një proces i gjatë dhe i dhimbshëm për ata që mbijetojnë për të treguar mizoritë që kanë dëshmuar.

Ky është mesazhi nga të mbijetuarit e luftës së brendshme të Bosnjës 1992-95, të cilët i kanë kushtuar vitet që pasuan ritregimit dhe rijetimit të traumës së tyre me shpresën për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë dhe për të faktuar të dhënat historike.

“Për mua është personale. Unë jam ende në kërkim të eshtrave të vëllait. Nuk mund të vazhdoj më. Nuk mund të fokusohem në diçka tjetër dhe t’ia kthej shpinën”, ka thënë Edin Ramuliq nga qyteti veriperëndimor i Bosnjës, Prijedor.

Kampet e vdekjes

Ramuliqi ishte 22-vjeçar i diplomuar në universitet kur, në prill 1992, ai dhe të afërmit e tij meshkuj, përfshirë babanë dhe vëllanë më të madh, u arrestuan nga serbët e Bosnjës, së bashku me mijëra civilë të tjerë joserbë nga Prijedori dhe fshatrat përreth, për t’u dëbuar pastaj nga zona. Ata do të burgoseshin, torturoheshin e vriteshin.

Më shumë se 3.000 joserbë, përfshirë 102 fëmijë, u vranë në Prijedor. Disa u ekzekutuan në shtëpitë e tyre ose në rrugë, të tjerët në tri kampe burgu ku të burgosurit iu nënshtruan rrahjeve, përdhunimeve, sulmeve seksuale dhe torturave. Vëllai, xhaxhai dhe katër kushërinjtë e Ramuliqit nuk u mbijetuan kampeve.

Sikurse dëshmitë grafike të vrasjeve dhe torturave në Bucha, në rrethinën e Kievit, që u shfaqën në fillim të këtij muaji pasi forcat ruse u tërhoqën nga zona, zbulimi nga gazetarët ndërkombëtarë i kampeve në Prijedor në gusht 1992 provokoi zemërim global dhe thirrje nga liderët botërorë që përgjegjësit të mbahen para përgjegjësisë.

Një proces u vu në lëvizje nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara për të krijuar një gjykatë të posaçme të OKB-së për krimet e luftës për ish-Jugosllavinë. Kur u krijua në Hagë më 1993, ishte gjykata e parë ndërkombëtare që hetoi dhe ndoqi akuzat për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid që nga gjykatat në Nuremberg dhe Tokio pas Luftës së Dytë Botërore.

Në fillim askush nuk mendoi se do të funksiononte, sepse qasja e hetuesve në skenat e krimit në Prijedor dhe gjetkë në Bosnje u bllokua për vite me radhë, dhe liderët politikë të serbëve të Bosnjës dhe Serbisë fqinje vazhduan të mohojnë abuzimet e të drejtave të njeriut dhe të fshehin dokumentet dhe të paditurit.

Drejtësi e vonuar

Drejtësia vonoi. Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës i kohës së luftës, Radovan Karaxhiq dhe komandanti i tij ushtarak, Ratko Mlladiq, ishin arratisur nga drejtësia ndërkombëtare deri në fund të viteve 2000, kur u kapën në Serbi.

Lexo më shumë  Osmani homazhe në Prekaz: Betohemi para varreve të Jasharëve se do të mbrojmë çdo cep të Kosovës

Por në kohën kur u mbyll në vitin 2017, gjykata kishte dënuar 83 zyrtarë të lartë politikë dhe ushtarakë të kohës së luftës, shumica e tyre nga Bosnja. Haga gjithashtu transferoi një mori provash dhe çështjesh kundër të dyshuarve të rangut më të ulët në vendet e tyre të origjinës në Ballkan.

Të dëshpëruar për të gjetur informacione për fatin e të dashurve të tyre dhe për ta detyruar botën të pranojë vuajtjet e tyre, të mbijetuarit si Ramuliqi ndryshuan jetën e tyre, duke krijuar grupe mbështetëse për dëshmitarët e mundshëm, duke mbledhur informacione për personat e zhdukur dhe duke përkujtuar viktimat.

“Kam kaluar muaj të panumërt të jetës sime në salla të ndryshme gjyqi (si dëshmitar), duke dëgjuar avokatët mbrojtës duke u përpjekur të mohojnë provat”, ka treguar Ramuliq. “Ndodh ndonjëherë që njerëzit që ju njihni se janë fajtorë lirohen për shkak të mungesës së provave, por ia vlen”.

Ramuliç ende nuk e di se ku janë eshtrat e vëllait të tij ose saktësisht se kush e vrau atë dhe si, por dënimet e gjykatës, në të cilat kishte ndihmuar me ofrimin e provave, “janë gjëja më e vlefshme që kemi, sepse e vërteta e bazuar në prova që përmban ato nuk mund të injorohen dhe mohohen përgjithmonë”.

Gjenocidi serb në Srebrenicë

Të mbijetuarit e krimeve të luftës të kryera gjatë luftës së Bosnjës 1992-95 thonë se viktimat e shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Ukrainë duhet të mësojnë nga përvoja e tyre në luftën për drejtësi, por që së pari duhet të bëjnë paqe me faktin se arritja e saj do të jetë në mënyrë të pashmangshme proces i gjatë dhe i dhimbshëm


Para luftës Munira Subashiqit, ishte shitëse, grua dhe nënë e dy djemve. Asgjë nuk e përgatiti atë për atë që do të bënte pasi humbi burrin dhe djalin në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, në të cilën u vranë 8.000 burra dhe djem. Ishte episodi i vetëm i luftës së Bosnjës që u përkufizua ligjërisht si gjenocid.

Mes kërkimit të vazhdueshëm për të dashurit e tyre të zhdukur, Subasiqi dhe një numër grash të tjera krijuan organizatën “Nënat e Srebrenicës”, dhe u angazhuan në protesta në rrugë dhe veprime të tjera të drejtpërdrejta për të qëndruar në sy të publikut dhe për të kërkuar gjetjen e varrezave masive, identifikimin e mbetjeve mortore dhe përgjegjësit e masakrës u sollën para drejtësisë. Deri më sot, pothuajse 90 për qind e atyre që raportohen të zhdukur nga rënia e Srebrenicës janë gjetur.

“Ne i dinim emrat e vrasësve, i mblodhëm dhe ndamë informacionin me prokurorët, vizituam çdo varrezë masive, kërkuam informacione se ku mund të ndodheshin të tjerët. Ne nuk i kemi lënë rehat duke kërkuar drejtësi”, tha Subashiq. “Nënat e Ukrainës do të duhet të bëjnë të njëjtën gjë”.

Lexo më shumë  Sulmohet me granatë dore ndërtesa e komunës së Zveçanit

Subasihq, së bashku me dhjetëra të tjerë, dëshmuan para gjykatës së OKB-së për krimet e luftës për ish-Jugosllavinë, duke ndihmuar mbylljen prapa hekurave të afër 50 zyrtarëve serbë boshnjakë të kohës së luftës, të dënuar kolektivisht me mbi 700 vjet burg.

Megjithatë, për të arritur atje, Subashiq dhe gra të tjera të Srebrenicës duhej të kapërcenin dhimbjen e ballafaqimit të vazhdueshëm me njerëzit, “të cilët u përpoqën të fshihnin se fëmijët tanë kanë ekzistuar ndonjëherë, të cilët në thelb pretendonin se ne nuk ishim kurrë nëna, se kurrë nuk lindëm askënd”.

Model serb i mohimit nga Rusia

“Mohimet e Rusisë për masakrat që ushtarët e saj po kryejnë tani në Ukrainë, për mua tingëllojnë njësoj si mohimi i gjenocidit të Srebrenicës”, tha Subashiq. “Por nëse të mbijetuarit janë këmbëngulës, e vërteta do të mbizotërojë”.

Sa i përket drejtësisë absolute, në Bosnjë mbetet e parealizueshme. Lufta e Bosnjës vrau 100.000 njerëz, shumica e tyre civilë, dhe mbi 2 milionë, ose mbi gjysma e popullsisë së vendit, u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Tri dekada që nga fillimi i saj, rreth 7.000 prej të zhdukur të luftës mbeten të pagjetur dhe gjyqësori boshnjak ka një numër të madh prej mbi 500 çështjesh të pazgjidhura të krimeve të luftës, që përfshijnë rreth 4.500 të dyshuar. Ndërsa vitet kalojnë dhe dëshmitarët dhe të dyshuarit plaken, sëmuren ose vdesin, shumë nga çështjet që mbeten të hapura ka të ngjarë të mos arrijnë kurrë në gjyq.

Jasminka Gjumhur, ombudspersonja e të drejtave të njeriut në Bosnjë, u emërua muajin e kaluar nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut për të shërbyer si anëtare e komisionit të tij prej tre personash për të hetuar shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut gjatë pushtimit rus të Ukrainës.

“Është shumë e rëndësishme që ne të dimë nga përvoja se çfarë informacioni është i rëndësishëm për të vërtetuar provat e abuzimeve të të drejtave të njeriut dhe së drejtës humanitare dhe cilat fakte mund të ndihmojnë më vonë organet përkatëse gjyqësore për të provuar përgjegjësinë penale individuale për shkelje të tilla”, tha Gjumhur.

“Komisioni nuk është një organ që do të vendosë përgjegjësi penale për shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës (në Ukrainë), por është një mekanizëm për mbledhjen e fakteve që mund të ndihmojnë në vendosjen e përgjegjësisë penale individuale”, shtoi ajo.

Megjithatë, Gjumhur paralajmëroi se ishte e rëndësishme që të mbijetuarit e abuzimeve të të drejtave të njeriut dhe krimeve të mundshme të luftës në Ukrainë të kuptojnë “se rruga e tyre drejt drejtësisë do të jetë e gjatë dhe e pasigurt, se do të kërkojë shumë sakrifica prej tyre dhe se gjatë rrugës nuk ka gjasa për të gjetur shumë aleatë”, të cilët do të jenë po aq të përkushtuar sa edhe ata në kërkimin e së vërtetës.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *