KryesoreLajme

Borrell rekomandon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Kosovës, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në bllok, që kanë pasur qasje në raportin e shefit të diplomacisë së BE-së.

Burimet cituan rekomandimin e bërë nga Borrelli në raportin e tij ku thuhet se:

“Duke marrë parasysh hapat që ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit të vitit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit që të marrë qëndrimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionalë”.

Në rekomandimin e tij, Borrell ka shkruar se “vendimi nga ana e Këshillit do të ishte sinjal politikë dhe do të kontribuonte në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Prishtinë-Beograd, që lehtësohet nga BE-ja, mund të ecë përpara.

Lexo më shumë  Votë Ramës, shuplakë Kosovës

Nga Kosova pritet që ta shfrytëzojë këtë mundësi për të vepruar në mënyrë të uljes së tensioneve të evitojë veprimet e pakoordinuara, thuhet në raportin e Borrellit, sipas burimeve diplomatike në BE.

Në këtë raport, Borrell ka përmendur në mënyrë specifike kërkesat që i ishin bërë Kosovës vitin e kaluar, të cilat lidhen me veprimet e njësive speciale të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të shtetit – të banuar me shumicë serbe – si dhe me ushtrimin e funksioneve nga ana e kryetarëve shqiptarë të katër komunave në veri.

Lexo më shumë  Rezultat i ngushtë në Lezhë, PS në avantazh me vetëm 1.7%

Në raport, Borrell ka shkruar se BE-ja do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet në veri të Kosovës si dhe veprimet e Kosovës dhe Serbisë, të cilat, sipas tij, nuk duhet të krijojnë tensione të reja.

Për raportin e Borrellit pritet të diskutohet në takimin e 19 qershorit të Komitetit politik dhe të sigurisë së BE-së (PSC). Në bazë të diskutimeve do të shihet pastaj se a do të vendoset për heqjen e masave të vendosura ndaj Kosovës. Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, heqja e masave ndaj Kosovës mund të jetë në rend dite edhe në takimin e Këshillit për punë të jashtme, që zhvillohet në nivel ministrash më 24 qershor. /REL/

YouTube player