Borrell rekomandon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Kosovës, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në bllok, që kanë pasur qasje në raportin e shefit të diplomacisë së BE-së.
Burimet cituan rekomandimin e bërë nga Borrelli në raportin e tij ku thuhet se:
“Duke marrë parasysh hapat që ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit të vitit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit që të marrë qëndrimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionalë”.
Në rekomandimin e tij, Borrell ka shkruar se “vendimi nga ana e Këshillit do të ishte sinjal politikë dhe do të kontribuonte në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Prishtinë-Beograd, që lehtësohet nga BE-ja, mund të ecë përpara.
Nga Kosova pritet që ta shfrytëzojë këtë mundësi për të vepruar në mënyrë të uljes së tensioneve të evitojë veprimet e pakoordinuara, thuhet në raportin e Borrellit, sipas burimeve diplomatike në BE.
Në këtë raport, Borrell ka përmendur në mënyrë specifike kërkesat që i ishin bërë Kosovës vitin e kaluar, të cilat lidhen me veprimet e njësive speciale të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të shtetit – të banuar me shumicë serbe – si dhe me ushtrimin e funksioneve nga ana e kryetarëve shqiptarë të katër komunave në veri.
Në raport, Borrell ka shkruar se BE-ja do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet në veri të Kosovës si dhe veprimet e Kosovës dhe Serbisë, të cilat, sipas tij, nuk duhet të krijojnë tensione të reja.
Për raportin e Borrellit pritet të diskutohet në takimin e 19 qershorit të Komitetit politik dhe të sigurisë së BE-së (PSC). Në bazë të diskutimeve do të shihet pastaj se a do të vendoset për heqjen e masave të vendosura ndaj Kosovës. Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, heqja e masave ndaj Kosovës mund të jetë në rend dite edhe në takimin e Këshillit për punë të jashtme, që zhvillohet në nivel ministrash më 24 qershor. /REL/
Rruga Press