Lajme

Bislimi: Në takime private, Vuçiqi e pranon që duhet ta njohë Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pranon në takime private para zyrtarëve në Bruksel se duhet ta njohë Kosovën, por që për këtë duhet kohë, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Në një intervistë për RTK2, Bislimi ka thënë se çdo vonesë në arritjen e zgjidhjes përfundimtare në dialogun me Serbinë e dëmton sigurinë dhe paqen në rajon. Sipas tij, është e vështirë të normalizohen raportet pa njohje reciproke.

“Vuçiq në takime private para zyrtarëve në Bruksel thotë se e kupton që duhet ta njohë Kosovën, por duhet të përgatitet terreni në Serbi, duhet kohë dhe pastaj në publik thotë se nuk do ta njohë kurrë. Njohja reciproke do të kontribuonte në shfrytëzimin shumë më të mirë të resurseve që ka Kosova dhe Serbia, të cilat ne mund t’i ofrojmë edhe Evropës. Por ajo që ne u përpoqëm të vërtetojmë në Bruksel është se përparimi i Kosovës nuk varet nga vetë njohja. Njohja është e rëndësishme për ne, kontribuon për paqen, por Kosova mund të zhvillohet pa njohje. Në fakt, ne kemi dokumentuar gjatë 18 muajve të fundit se në këtë rast njohja dhe normalizimi i kontribuojnë më shumë Serbisë sesa Kosovës”, ka thënë Bislimi.

Lexo më shumë  Kryeministri australian pranon me krenari rrënjët arbëreshe: Kam lidhje me Shqipërinë

Bislimi ka deklaruar po ashtu se Kosova e ka rritjen më të madhe ekonomike ndonjëherë në rajon. Sipas tij, Kosova ka progres të madh edhe në sundimin e ligjit, gjë e cila, siç ka thënë ai, nuk mund të thuhet për Serbinë. Shefi i ekipit negociator të Kosovës ka shtuar po ashtu se, “nëse njohjen reciproke e shohim si peng, atëherë Serbia është më shumë se Kosova peng i kësaj njohjeje reciproke”.

Këtë deklaratë të Bislimit, drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka cilësuar si “gënjeshtër”.

“Me deklaratat e fundit, shefi negociator i Prishtinës, Besnik Bislimi, po i vazhdon rrenat e tij. Deklarata që në takimet në Bruksel, presidenti Aleksandar Vuçiq ka thënë se e kupton që duhet ta njohë pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë, por që duhet kohë, s’është rrena më e paturpshme që ai ka thënë, por edhe hipokrizi e tij, që e përdor gjatë gjithë procesit të dialogut. Duket se në të gjitha deklaratat e tij, përfshirë këtë, Bislimi niset nga vetja”, ka thënë Petkoviq.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *