Lajme

Biserko: Perëndimi është i vetëdijshëm se Asociacioni për të cilën insiston Beogradi është i papranueshëm

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se retorika e presidentit të Serbisë duket se po bëhet gjithnjë e më radikale me afrimin e afatit për zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes së Ohrit dhe të Brukselit.

Ajo ka komentuar paraqitjet publike të Aleksandar Vuçiçit, ku dominuan dhe ranë në sy më shumë se më parë ofendimet e drejtuara ndaj Bashkimit Evropian, QUINT-it dhe bashkësisë ndërkombëtar në përgjithësi.

Vuçiç mori si shkas që t’i thërriste të gjithë bashkë gënjeshtarë për faktin se nuk është formuar Asociacioni i komunave me shumicë serbe, si dhe pritja që pas zgjedhjeve në veri të Kosovës, në të cilat serbët nuk marrin pjesë, qeveria e Kosovës, në kuptimin e pushtetit, do t’i “marrë” ato komuna dhe në këtë mënyrë gjen argumente për panevojshmërinë e formimit të Asociacionit.

“Është e qartë se Vuçiç është nën presion gjithnjë e më të madh nga BE-ja dhe SHBA-ja, veçanërisht kur bëhet fjalë për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Të gjithë ata që vijnë në Beograd e theksojnë si prioritet”, shpjegon për “Danas” Biserko, sjelljen e presidentit të Serbisë.

Fakti që Vuçiç pengoi pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet në veri të Kosovës, sipas Biserkos, tregon se ata ende janë një levë e rëndësishme për provokimin dhe destabilizimin e Kosovës.

“Në të njëjtën kohë, gjithmonë theksohet se Asociacioni është një prioritet që kërkon pjesëmarrjen e serbëve, jo vetëm në zgjedhje, por edhe në institucione”, vlerëson ajo.

Lexo më shumë  Atentati ndaj vëllait të Aleksandar Jabllanoviqit, flet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veriun e Mitrovicës

Biserko thotë se duhet pasur parasysh se Rusia është kryesuese e Këshillit të Sigurimit dhe se çështja e Kosovës do të shqyrtohet më 27 prill, si dhe se Rusia dëshiron me çdo kusht të marrë pjesë në zgjidhjen e nyjës së Kosovës edhe pse ka humbur kredibilitetin ndërkombëtar.

“Siç qëndrojnë gjërat, Vuçiç ende nuk ka vendosur se cilën anë do ta mbajë. Po kalkulohet shumë edhe me atë se si Rusia do ta përfundojë luftën në Ukrainë dhe nëse do të marrë pjesën që pushtoi. Kjo u jep shpresë strategëve serbë se Serbia do të jetë në gjendje të realizojë projektin e saj ‘Bota Serbe’. Kjo, natyrisht, përfshinë edhe idenë e ndarjes së Kosovës”, thotë Biserko.

Megjithatë, shton ajo, si SHBA ashtu edhe BE janë padyshim kundër çdo ndryshimi kufijsh.

“Ambasadori amerikan në Bosnje e Hercegovinë, Michael Murphy, në një intervistë për N1 të Sarajevës dje, ka përsëritur shprehimisht disa herë se SHBA-ja është për një Bosnje e Hercegovinë të plotë dhe sovrane. Dodik gjithashtu po radikalizon edhe retorikën e tij tashmë ofenduese dhe të egër, e cila është pasojë e shtrëngimit të unazës rreth tij. Mali i Zi në këtë moment po kalon një periudhë shumë të trazuar, sepse elita e Beogradit ka komplotuar për të zhvlerësuar pavarësinë, sovranitetin dhe identitetin malazez. Nuk jam e sigurt se Perëndimi po e merr parasysh sa duhet këtë”, thekson Biserko.

Lexo më shumë  Hakerët rusë sulmojnë faqet e institucioneve, Gërvalla: Rusia po kryen sulm hibrid ndaj Kosovës

Ajo kujton se Kurti dhe Vuçiç do të takohen më 2 maj në Bruksel.

“Pala kosovare është e obliguar që në takimin e 2 majit në Bruksel, siç thotë Escobar, të dalë me një ‘draft të realizueshëm’ [të Asociacionit]. Dhe Perëndimi është i vetëdijshëm se Asociacioni, për të cilën insiston Beogradi, është një opsion i papranueshëm. Beogradi nuk ka shumë zgjedhje, sepse varet në çdo mënyrë nga Perëndimi. Mbështetja te Rusia dhe Kina do të thoshte rrënim dhe shembje të mëtejshme të këtij vendi. Edhe pse shpirti i tij është në Rusi, nuk jam i sigurt se Vuçiç është aq racional sa të kuptojë se Serbia është Evropë. Do të jetë merita e tij historike nëse zgjedh BE-në, por do të jetë edhe përgjegjësia e tij e madhe nëse e lë Serbinë në errësirë”, thotë Biserko.

Ajo thekson më tej se “në vend se të ballafaqohet me një përcaktimi të tillë dhe në emër të kësaj të dekontaminojë hapësirën publike dhe mediatike nga rusofilia dhe gënjeshtrat dhe mitet e ndryshme, Vuçiç vazhdon të manipulojë opinionin publik dhe të terrorizojë çdo opinion kritik dhe racional”.

“Prandaj retorika e tij merr përmasa kaq të frikshme”, shpjegon ajo.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *