Gjykata Kushtetuese pezullon vendimin e Ramës për aplikimin e gjobave ndaj protestuesve
Gjykata Kushtetuese ka pezulluar pjesërisht zbatimin e aktit normativ të qeverisë për ndryshimet në ligjin “Për tubimet”, duke ndalur aplikimin e gjobave për bllokimin e rrugëve gjatë protestave.
Vendimi u mor më 26 nëntor, pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga disa shoqata dhe mbështetës të protestave qytetare, të cilët kanë kërkuar edhe shfuqizimin e plotë të aktit normativ.
“Në përfundim të shqyrtimit, Mbledhja e Gjyqtarëve, me shumicë votash, vendosi:
1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës për pezullim.
2. Pezullimin e zbatimit të nenit 5 të aktit normativ, në pjesën që shton nenin 24/1, pika 2, të ligjit “Për tubimet”. Kjo dispozitë parashikon sanksion administrativ për bllokimin e rrugëve automobilistike ose të akseve rrugore gjatë një tubimi, me pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit”,- thuhet në njoftim.
Kujtojmë se qeveria miratoi më 28 tetor 2026 aktin normativ që ndryshonte ligjin “Për tubimet”, duke parashikuar gjoba administrative për qytetarët që bllokojnë rrugët automobilistike gjatë protestave. Ky vendim u kundërshtua nga disa shoqata dhe mbështetës të protestave qytetare, të cilat iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar pezullimin dhe shfuqizimin e tij.
Rruga Press

