KryesoreLajme

BIRN: Qeveria ngre agjenci për mbetjet pa zgjidhur ende kolapsin me inceneratorët

Këshilli i Ministrave vendosi të mërkurën të ngrejë Agjencinë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve – një strukturë në varësi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me funksion koordinues dhe monitorues në menaxhimin e integruar të mbetjeve përmes ekonomisë qarkulluese, që synon nxitjen e ndarjes në burim dhe riciklimin.

Ngritja e Agjencisë duket se shënon një pikë kthese në strategjinë 10-vjeçare të qeverisë për menaxhimin e mbetjeve përmes kontratave prej qindra milionë eurosh për ndërtim inceneratorësh, të cilat po hetohen për korrupsion dhe pastrim parash nga Prokuroria e Posaçme.

Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike i tha BIRN se ngritja e Agjencisë duket se lidhet me fondet e donatorëve gjermanë për ngritjen e disa landfilleve rajonale, me synim riciklimin e mbetjeve urbane.

“Shpresoj që të mos ketë lidhje me inceneratorët” – tha Tabaku, ndërsa shtoi se qeveria duhet të sqarojë gjithashtu se ku shkuan paratë publike që u përdorën për inceneratorët, të cilët nuk janë në punë ose nuk janë ngritur fare si në rastin e Tiranës.

Lexo më shumë  Presidentja Osmani për donacionin në QKUK: Rikthim i dinjitetit për pacientët

“Krijimi i kësaj agjencie tregon pikërisht këtë; që inceneratorët për të cilët u angazhuan 430 milionë euro dhe janë paguar 160 milionë për 3 inceneratorë që nuk funksiojnë, tashmë janë duke e ndryshuar në një drejtim tjetër,” shtoi Tabaku.

Pas shpërthimit të aferës së inceneratorëve dhe dënimeve ndaj ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputetit socialist, Alqi Bllako dhe dhjetra zyrtarëve të tjerë, qeveria ka bërë pingpong me autoritetin përgjegjës për menaxhimin e infrastrukturës së mbetjeve.

Në nëntor të vitit të kaluar, kjo përgjegjësi iu hoq Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës- Kanalizimeve, e cila mbikëqyrte gjithashtu kontratat koncesionare të inceneratorëve. Për ekspertët e mjedisit, ngritja e kësaj agjencie i shërben menaxhimit të fondeve të huaja që jepen për këtë qëllim, pa i dhënë zgjidhje menaxhimit të mbetjeve dhe pyetjes se çdo të ndodhë me inceneratorët që nuk punojnë.

Ornela Çuçi, eksperte e mjedisit dhe ish-zv.ministre përgjegjëse për këtë sektor i tha BIRN se krijimi i agjencisë, siç është formuluar në VKM, nuk e zgjidh problemin e menaxhimit të mbetjeve. Ajo shpjegoi se sektori i mbetjeve funksionon përmes 5 hallkave, të cilat ende nuk kanë ndërlidhje me njëra-tjetrën; sistemi i politikave, krijimi i standardeve që lidhet me strategjitë, masterplani, infrastruktura, funksionimi dhe monitorimi.

Lexo më shumë  Kurti në ‘STEMinists’24’: Zhvillimi i shtetit - përparimi i qytetarëve

“Nuk ka një entitet qendror për të menaxhuar situatën e mbetjeve nga A te ZH dhe bëhet një agjenci për të mentoruar disa projekte” – tha Çuçi për BIRN. “I gjithë sistemi është në prag kolapsi” – shtoi ajo, ndërsa ngriti pyetjen se është ende e paqartë se kush do t’i menaxhojë objektet fundore të menaxhimit të mbetjeve, të cilat njihen si objekte të rëndësisë kombëtare bazuar në masterplanin kombëtar.

Edhe eksperti i mjedisit, Rodion Gjoka, i tha BIRN se duket se ngritja e agjencisë ka të bëjë me ndonjë kërkesë nga programe donatorësh që merr mbështetje financiare ministria e Mjedisit. “Bën këto manovra për të justifikuar paratë,” tha ai, duke e konsideruar menaxhimin e mbetjeve një çështje të pazgjidhur. /Marrë nga Reporter.al

Rruga Press

YouTube player