Berat Buzhala , zëri i korit të shurdhër, ai që dikur predikonte themelimin e Gjykatës Speciale si një “çlirim moral e politik” për Kosovën – tash derdh lot krokodili, fërkon sytë në çdo studio televizive, e përmend Hashimin, Jakupin dhe të tjerët me patetikën e një burri që s’i ka mbetur më maskë për të hequr
KAMELEONI I DREJTËSISË DHE LOTI i KROKODILIT
Autor : Lirim Gashi
Në një ditë vere të mbushur me pluhurin e padrejtësisë, në vitin 2019, Xhavit Haliti – njeriu që ka ndërruar ngjyrat më shpesh se çdo kameleon ballkanik – më tha me një krenari të verbuar:
“Gjykata Speciale është e jona. Është nën ombrellën e Gjykatës Kushtetuese dhe nën hijen e Kuvendit tonë.”
E shikova drejt e në sy, dhe ia thashë troç siç ia thotë njeriu një vegle të përdorur:
“Kjo ‘Gjykatë raciste’, që sipas trurit tënd ,,gjenial” është nën hijen e Kuvendit tonë, do të ulët këmbëkryq mbi kulmin e shtetit tonë dhe do të dhiejë jo vetëm në gojën tënde por edhe në gojën e të gjithë atyre që me entuziazëm e votuan ngaqë do të dëshmohet si përbindësh juridik.”
Sepse e vërteta, kur lind nga dhimbja dhe nga drejtësia e mohuar, nuk ka më nevojë për protokoll.
Dhe ja ku jemi sot:
Berat Buzhala , zëri i korit të shurdhër, ai që dikur predikonte themelimin e Gjykatës Speciale si një “çlirim moral e politik” për Kosovën – tash derdh lot krokodili, fërkon sytë në çdo studio televizive, e përmend Hashimin, Jakupin dhe të tjerët me patetikën e një burri që s’i ka mbetur më maskë për të hequr.
Por çfarë është ky veçse një aktrim i pistë ?
Çfarë është kjo veçse një shfaqje e neveritshme për publikun e lodhur?
A nuk ishe ti, Berat, që e përqafoje me pasion idenë e themelimit të saj, me pretekstin se nëse të pandehurit dilnin të pafajshëm, Kosova do të shpëtonte nga një barrë turpi?
Po kush të tha ty o i gjorë se drejtësia ndërtohet mbi “nëse”?
Apo mos ndoshta e ngatërrove drejtësinë me skenarin e një emisioni tënd?
E gjithë kjo farsë është mbështetur mbi një iluzionin grotesk: që Gjykata Speciale do të funksiononte si ato të Kosovës, ku drejtësia fshihet në sirtarët e partive, ku dosjet nuk hapen pa urdhër nga lart dhe ku prokurorët mbushin gojën me moral, ndërsa xhepat me para shantazhi.
Por kjo nuk është më ajo arenë. Në këtë fushë, dardha doli me bisht.
E çfarë ndodhi pastaj?
Pasi e humbën kontrollin mbi këtë përbindësh juridik, që vetë e ndërtuan me duart e tyre, filluan të bërtasin:
“Faji është i Vetëvendosjes!”
Sikur të ishte Vetëvendosja ajo që votoi për themelimin e kësaj gjykate, e jo Partitë e PLANCIT të DERRIT dhe LDK-ja.
Sikur të ishte Albin Kurti që e mbështeti me duart përpjetë.
Sikur të ishte Lëvizja që i dha dritën jeshile një mekanizmi që sot po i gllabëron vetë.
Jo, jo! Kjo nuk është më thjesht hipokrizi – kjo është një rrugë për në ferrin moral. Një urë mashtrimi që e lidh të shkuarën kriminale me të tashmen e qyrravitur.
A ka fyerje më të madhe për popullin e Kosovës, sesa kur ata që e shtruan tryezën për vampirin juridik që thith gjak nga viktimat, sot luajnë viktimën?
A ka ironi më të ndyrë sesa kur autorët e një padrejtësie historike paraqiten si dëshmitarë të pafajshëm të një tragjedie që vetë e prodhuan?
Këta njerëz nuk kanë më të drejtë të flasin për drejtësi.
Sepse drejtësia nuk buron nga ata që e përdhosën.
Nuk zbret nga ata që i zhdukën provat e krimeve të Serbisë dhe e mbushën Kosovën me akuza për çlirimtarët.
Ata s’kanë më të drejtë as të qajnë.
Sepse lotët e tyre janë lot gjarpri – dhe çdo pikë që u rrjedh nga sytë e shëmtuar është helm për të ardhmen e drejtësisë kosovare.
Rruga Press