Lajme

BE: Qeveria shqiptare bllokoi tenderin tonë për Kadastrën elektronike

Në shtator të vitit të kaluar, Bashkimi Europian përmbylli një tender 1.85 milionë euro për ngritjen e sistemit të integruar të informacioni kadastral dhe të tokës në Shqipëri (referuar si ACLIS).

Kontrata, e cila është pjesë e një program për ngritjen e sistemit të ri elektronik të Kadastrës dhe dixhitalizimit total të pronave, u fitua nga një bashkim prej dy kompanish, sllovenja Synergise dhe shqiptarja Datech.

Por sapo kompanitë do të nisnin punën, qeveria shqiptare dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës njoftuan Bashkimin Europian për anullimin e saj sepse do t’i bënin tenderat vetë.  

““Autoritetet shqiptare njoftuan BE-në për zhvillimin e mëtejshëm paralelisht të sistemit ekzistues të IT-së dhe nisën një tender të ri për përmirësimin dhe mirëmbajtjen e tij. Si rezultat, aktivitetet në kuadër të projektit/kontratës ACLIS janë ndalur derisa të arrihet një zgjidhjeje përmes një marrëveshjeje të ndërsjellë mes Shqipërisë dhe BE-së,” konfirmoi zyra e delegacionit të BE-së në Tiranë për Oligarkia.al.

Në dyshim gjithë projekti

Kontrata 1.85 milionë euro që Bashkimi Europian akordoi për kompanitë Synergise dhe Datech ishte vetëm e para prej disa të tillave. Ato janë pjesë e një projekti me vlerë totale 15.7 milionë euro të financuar me grant nga Bashkimi Europian.

Ky sistem parashikon ngritjen e sistemit të ri elektronik të Kadastrës dhe dixhitalizmin e plotë të hartës kadastrale, regjistrit të pronave dhe çdo transaksioni në tregun e pasurive të patundshme në Shqipëri. Tashmë i gjithë ky projekt me vlerë 15.7 milionë euro është në dyshim.

Lexo më shumë  Kurti kërkon mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE

“Aktualisht, diskutimet me qeverinë shqiptare janë ende në vazhdim. Në fillim të javës së ardhshme presim të marrim një përgjigje/kërkesë zyrtare nga qeveria shqiptare. Ju rekomandojmë që kërkesën tuaj t’ia drejtoni autoriteteve përkatëse shqiptare për ndihmë të mëtejshme,” u përgjigj delegacioni i BE për Oligarkia.al.

Portali pyeti Agjencinë Shtetërore të Kadastrës se pse vendosi që të ndalë kontratën e BE-së për ngritjen e sistemit të ri elektronik të pronave dhe të procedonte me tender paralel për zhvillimin e sistemit ekzistues për të cilin BE thotë se është problematik dhe me teknologji të vjetëruar. Por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk mori një përgjigje.

Faktori AKSHI

Menjëherë sapo autoritetet shqiptare njoftuan Bashkimin Europian për bllokimin e projektit të pronave, në 26 qershor Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit shpalli papritmas një tender me vlerë 4.4 milionë euro për përmirësimin e sistemit ekzistues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Vetëm tre ditë pas shpalljes së tenderit, kryeministri, shefja e AKSHI-t dhe shefja e re e Kadastrës dolën një aktivitet të përbashkët publik për të parandaluar ndryshime rrënjësore në Kadastër.

Lexo më shumë  Ministria Vitia për aparaturën e Mjekësisë Bërthamore: Fjalë e fundit e teknologjisë

“Ditën e hënë, datë 3 korrik Kadastra nuk është më e aksesueshme. Nga e hëna askush nga ju nuk do të bëjë asgjë. Askush brenda Kadastrës nuk do u përgjigjet. Çdo gjë do të jetë online pa asnjë kontakt fizik,” iu drejtua Rama deputetëve dhe ministrave të PS.

Ndërsa shefja e AKSHI-t tha se tani do të dixhitalizohet i gjithë procesi. “Do kemi siguri për çdo veprim, për çdo ndryshim ku qytetarit do t’i shkojë njoftim për çdo ndryshim të bëre në pronën e tij,” tha Karçanaj.

Pikërisht dita e këtij aktiviteti është dhe dita kur sistemi dixhital i Kadastrës hyri në kolaps. Që prej 3 korrikut sistemi i Kadastrës thuajse nuk punon më dhe qytetarët po përballen me zvarritje pafund me shërbimet që ofron Kadastra.

Të tre ngjarjet nuk janë të pa lidhura me njëra-tjetrën. Anulimi i projektit të BE-së, hapja e tenderit nga AKSHI dhe kolapsi i Kadastrës janë shkak-pasojë të njëra tjetrës. Veprime, për të cilat shumë dyshojnë se përveç babëzisë për tendera, fshehin qëllime edhe më okulte se kaq. Ato që lidhen me sigurinë e pronës së shqiptarëve. Këto janë dyshim që duhet t’i qartësojë SPAK sepse dikush po fut duart tek Kadastra./OLIGARKIA

Rruga Press

YouTube player