Bota

BE për nderimet në Serbi ndaj Mlladiqit: Kriminel lufte, glorifikimi i tij nuk ka vend në BE ose në vendet kandidate për në BE

Bashkimi Evropian ka reaguar pas vdekjes së Ratko Mlladiq, ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpska, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në një deklaratë të zëdhënësit të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), BE-ja shpreh solidaritet me viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre, duke i cilësuar konfliktet e armatosura të viteve ’90 në Ballkanin Perëndimor si “ndër momentet më të errëta të Evropës në historinë e saj të kohëve të fundit”.

“Ratko Mlladiq ishte një kriminel lufte i dënuar i cili kishte kryer krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit”, thuhet në deklaratë.

Lexo më shumë  Franca e shqetësuar nga fitorja e së djathtës ekstreme në Gjermani

Mlladiq vdiq ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Në vitin 2017, Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë e dënoi atë për rolin e tij në krimet e kryera gjatë luftërave në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë.

BE-ja ka paralajmëruar gjithashtu kundër çdo përpjekjeje për glorifikimin e figurës së Mlladiqit, mohimin e gjenocidit apo revizionizmin historik.

“Çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat më themelore evropiane dhe nuk kanë vend në BE ose në vendet kandidate për në BE”, theksohet në deklaratë.

Lexo më shumë  Musk uron AfD-në pas fitores, kryeministri polak: Vetëm idiotët dhe tradhtarët gëzohen

Sipas BE-së, pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor mbeten thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët.

Bashkimi Evropian deklaron se do të vijojë të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet për pajtim dhe stabilitet rajonal, si dhe në gjetjen e zgjidhjeve përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse për mosmarrëveshjet dhe çështjet rajonale e dypalëshe që lidhen me trashëgiminë e konflikteve të së kaluarës.

Rruga Press

YouTube player