BotaKryesore

BE kërkon që të hetohen parregullsitë në zgjedhjet në Serbi: E drejta për të protestuar duhet respektuar, dhuna ndaj qytetarëve e papranueshme

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të hetohen rastet e akuzave për parregullsi gjatë zgjedhjeve që u mbajtën në Serbi më 17 dhjetor dhe që të ruhet qetësia.

Lajmin e bëri të ditur zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, duke u përgjigjur në pyetje rreth zhvillimet e fundit në Serbi, ku po vazhdojnë protestat me kërkesa për anulimin e zgjedhjeve dhe shpalljen zgjedhjeve të reja.

“Ankesat për parregullsi në zgjedhje duhet të hetohen dhe të adresohen në mënyrë të duhur. Përderisa e drejta për protesta paqësore duhet të respektohet, dhuna nuk është zgjidhje dhe është e papranueshme”, tha ajo.

Lexo më shumë  Drejtori Gërvalla: RTK po funksionon në mënyrë të pavarur më shumë se kurrë

Partia Progresive Serbe (SNS) e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shpallur fitore në të gjitha nivelet.

Misioni vëzhgues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha më 18 dhjetor se zgjedhjet u përshkruan me parregullsi serioze, keqpërdorim të fondeve shtetërore, me fushatë negative dhe përhapje të frikës.

Ndërkaq, eurodeputetët kanë kërkuar hetim të pavarur për të gjitha parregullsitë në zgjedhjet serbe.

Lexo më shumë  Të pasurit që po ikin nga “qeveria shtypëse” në Serbi po shkojnë drejt Malit të Zi

Shtetet e Bashkuara po ashtu u kanë bërë thirrje autoriteteve në Serbi që të hetojnë pretendimet për parregullsi të bëra nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Më 24 dhjetor, lista opozitare, “Serbia kundër dhunës” – që ka organizuar disa protesta kundër rezultatit zgjedhor – protestoi para Kuvendit Komunal në Beograd, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve.

YouTube player