Bota

BE-ja pranon të fillojë negociatat e anëtarësimit me Bosnje dhe Hercegovinën

Udhëheqësit e BE-së kanë rënë dakord që të nisin negociatat me Bosnje-Hercegovinën për anëtarësimin e saj në bllok, ndërsa theksuan se vendi ballkanik do të duhet të ndërmarrë më shumë reforma përpara se të fillojnë bisedimet.

Ky vendim shihet si hap historik për Bosnjën, pasi vendit i janë rritur shpresat se mund të largohet nga destabiliteti i shënuar nga rivalitetet etnike dhe kërcënimet e shkëputjes ndër vite.

“Urime! Vendi juaj është pjesë e familjes evropiane. Vendimi i sotëm është një hap kyç në rrugën tuaj drejt BE-së”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Edhe pse Bosnja ka qenë një kandidat zyrtar për anëtarësim në BE që nga viti 2022, asaj i është dashur të zbatonte një sërë reformash përpara se të merrte ‘dritën e gjelbërt’ për fazat e tjera, shkruan the Guardian.

Lexo më shumë  Shtatë të vdekur nga sulmi me dronë ukrainas në Belgorod të Rusisë

Brukseli njoftoi javën e kaluar se vendi kishte përfunduar disa nga hapat e kërkuar, por reformat gjyqësore dhe zgjedhore ende nuk janë ndërmarrë.

“Vendimi mbart me vete një valë optimizmi për qytetarët, institucionet, autoritetet dhe gjithë shoqërinë boshnjake”, u shpreh Elvira Habota, zyrtare boshnjake për integrimin evropian.

Nisja e negociatave për anëtarësim e vë Bosnjën në fillimin e një procesi të gjatë reformash të mëtejshme që zakonisht zgjasin shumë vite përpara se një vend të anëtarësohet përfundimisht në BE.

Kjo pasi siç dihet, edhe fqinjët rajonal të saj si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, dhe Shqipëria, janë tashmë duke u përpjekur për t’u anëtarësuar, por ende mbeten larg.

Lexo më shumë  Partia socialiste franceze reagon në lidhje me vizitën e presidentit kinez në Francë: Xi Jinping përfaqëson shtypjen dhe autoritarizmin brenda Kinës

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se tani Bosnja është “plotësisht në linjë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së”.

Gjithashtu, ajo vuri në dukje hapat e mëtejshëm të dialogut për të përfshirë në dosjet e brendshme penale vendimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Ndryshe, lufta në Ukrainë ka rigjallëruar përpjekjet e BE-së për t’u zgjeruar në Evropën Lindore dhe Qendrore, me shtetet e saj anëtare që ranë dakord të fillojnë bisedimet edhe me Ukrainën dhe Moldavinë.

YouTube player