Argument

BE-ja “mbyll hundët” për Pasaportat e Arta dhe Amnistinë Fiskale, teksa shqiptarëve u ka ikur nuhatja

Në raportin e Progresit për Shqipërinë vendi paralajmërohet se nismat për amnistinë fiskale dhe të ashtuquajturat “pasaporta të arta” rrezikojnë të bien ndesh me normat e Bashkimit Evropian.

Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku  dhe ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian, Christiane Hohmann mbajtën sot një konferencë lidhur me Raportin e Progresit 2022 për Shqipërinë.

Ambasadorja tha se KE (Komisioni Evropian) ka këshilluar t’i jepet fund dhënies së nënshtetësisë në këtë lloj forme, por theksoi se secili vend duhet të vendosë vetë. Ndërsa bisedimet për amnistinë fiskale janë duke vijuar.

Hohmann: BE respekton sovranitetin e cilitdo shtet për të vendosur se çfarë skemash do të ketë për dhënien e nënshtetësisë. Por kjo lloj skeme do të vinte në pah disa risqe që janë shprehur qartë në rajon.  KE sugjeroi që shtetet t’i jepnin fund dhënies së nënshtetësisë në këtë lloj forme. Secili shtet duhet të vendosë vetë se si do të vazhdojë me këtë çështje. Për sa i përket amnistisë fiskale, ne po vijojmë bisedimet.

Balluku: Unë do ta nis nga amnistia. Së pari Komisioni vë në dukje që është bërë një progres për luftën kundër pastrimit të parave. Ky është vlerësim i Komisionit përmes këtij elementi. Sipas Komisionit Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër krimit të organizuar.

Për sa i përket amnistisë fiskale, vlerësimi në raport është hipotetik. Pra mund të vërë në rrezik progresin në luftën kundër pastrimit të parave dhe është e paevitueshme që ky vlerësim të  jetë hipotetik duke qenë që sot e kësaj dite mbetet akoma një draft që e kemi të hapur për diskutim, me partnerët tanë. Ne e garantojmë ambasadoren dhe Komisionin që ky do të jetë një progres që do të vijojë diskutimet dhe nuk do të qëndrojmë pa marrë parasysh qëndrimet e Komisionit.

Ndërsa për pasaportat e arta i jemi referuar praktikave të vendeve të tjera të BE, të cilat sot e kësaj dite i kanë këto programe nën proces, vazhdojnë dhe i aplikojnë. Ne i jemi referuar atyre për atë që i sjellin endit dhe benefitet që kanë marrë duke u bazuar në eksperiencat më të mira të këtyre vendeve evropiane.

Disa javë më parë, Komisioni Evropian ka paditur në gjykatë Maltën për skemën e saj të shitjes së pasaportave, edhe pse vendi ishullor e ka shfuqizuar ligjin që në vitin 2020.

Përveç Maltës, Komisioni i ka kërkuar edhe Qipros që të heqë dorë nga skema. Të dyja vendet kanë shitur pasaporta për disa vite, në një vlerë që përllogaritet në rreth 10 miliardë dollarë, nga 2010 deri në 2020.

Shitjen e pasaportave po e mendon edhe Shqipëria. Në një vendim të miratuar në fund të muajit korrik, qeveria i hap rrugë bashkëpunimit me PPP me kompani private. Ideja nuk është e re. Ajo qarkullon prej disa kohësh, por në të shkuarën është kritikuar në raportet e Komisionit Europian, që paralajmëron pasoja negative në rrugën e integrimit.

Propozimi për Pasaporta të Arta dhe Amnisti Fiskale kanë alarmuar Bashkimin Evropian, ashtu siç këta propozime duhet të merrnin reagim edhe më të ashpër brenda Shqipërisë.

Orientimi i Shqipërisë në drejtim të një ekonomie joprodhuese, e bazuar në tregti importi, në turizëm dhe shërbime, ka rezultuar një strategji e dobët, pasojat e të cilës vendi po i sheh më qartazi në kohën e një krize ekonomike globale. Çka po duket sot në Shqipëri është se një ekonomi e bazuar në tregti, turizëm, e centralizuar në pak investitorë të brendshëm të lidhur me pushtetin, ekonomi e mbajtur gjallë nga krimi i organizua, i mirëmbajtur dhe i nxitur nga qeveritë shqiptare ndër vite, nga paraja e pistë e injektuar në treg, nuk garanton ekonomi të shëndoshë që përballon kriza të këtij lloji, si kjo krizë post-Covid dhe lufta mes Ukrainës dhe Rusisë.

E nga ana tjetër, këtë model ekonomik të dështuar e ka bërë të mundur linja politike e qeverive shqiptare nën devizën që shprehet se Shqipëria nuk mund “të bëhet”, ajo veçse mund të mbijetojë pafundësisht. E teksa Shqipëria mbijeton në format e lartpërmendura, e ndërkohë që gjysma e popullsisë shqiptare ka braktisur vendin, ata që drejtojnë vendin në formën e klanit jetojnë, pasurohen, në raport të zhdrejtë me mbijetesën dhe varfërimin ekonomiko-politike të Shqipërisë.

Kësaj krize qeveria shqiptare dhe kryeministri i saj, Edi Rama nuk po mund t’i përgjigjet me një formulë tjetër, veç asaj të Pasaportave të Arta dhe Amnistisë Fiskale. Kjo ekonomi shterpë dhe e kapur, sipas kryeministrit Rama mund t’ia dalë vetëm nëse në treg injektohen një sasi e jashtëzakonshme parash të dyshimta. Dhe këto para do të vijnë me një kosto edhe më të madhe se sa koston e krizës aktuale. Pasaportat e Arta dhe Amnistia Fiskale janë dorëzim përfundimtar i sigurisë kombëtare dhe ekonomisë shqiptare në duart e secilit person dhe vend me agjendë të dëmshme për Shqipërinë dhe në duart e secilit kriminel që paratë të cilat do të zbardhë i ka bërë në rrugët e kartelit, të cilat fillojnë që në Shqipëri, ecin nëpër Evropë Perëndimore dhe mbarojnë në Ekuador.

Këto dy akse politiko-ekonomike antishqiptare, që në një skemë potenciale mund t’i quanim “aksi Rusi-Shqipëri” i Pasaportave të Arta dhe “aksi Ekuador-Shqipëri” i Amnistisë Fiskale, nuk janë asgjë më shumë se sa finalizim fatal i atij projekti të gjatë, i cili përpilohet në pavetëdijet e mendjeve dhe vullneteve të dobta të udhëheqësisë shqiptare, dhe në vetëdijet e mendjeve dhe zyrave të personave dhe atyre vendeve në agjendat e të cilave Shqipëria është e destinuar të aneksohet ekonomikisht dhe të shuhet politikisht.

Këto propozime, nëse realizohen, mund t’i kushtojnë shumë rëndë Shqipërisë dhe shqiptarëve, në lidhje edhe me liberalizimin e vizave, duke çuar potencialisht drejt heqjes së regjimit të lëvizjes pa viza.

Duket se Bashkimi Evropian është i vetëdijshëm për gjithë këtë. Por a janë shqiptarët?

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *