Art & Kulturë

BE financon rikonstruksionin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit

Muzeu Arkeologjik i Durrësit pritet ti nënshtrohet rikonstruksionit të dytë brenda dy dekadave të fundit.

Muzeu arkeologjik i Durrësit së shpejti do ti nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, që parashikon ndërhyrje jo vetëm në godinën kryesore.

Projekti i financuar nga Bashkimi Europian, por që nuk është paraqitur ende zyrtarisht, merr parasysh edhe ndërtimin e një godine të re, që do të shërbejë për sistemimin e fondit të objekteve arkeologjike si dhe për zyrat e administratës.

Ai synon gjithashtu të riformatojë dhe zgjerojë jo vetëm eksponatet brenda godinës, por të risistemojë edhe ekspozitën e muzeut të hapur në oborrin që e rrethon ndërtesën aktuale.

Punonjësit e Muzeut kombëtar të arkeologjisë në Durrës janë të shqetësuar për transferimin e detyruar të të gjitha objekteve arkeologjike gjatë periudhës së rikonstruksionit.

Drejtori i këtij Muzeu, Alban Ramohito tha për BIRN se projektuesit kërkojnë largimin e përkohshëm të të gjithë objekteve të ekspozuara, si dhe të të gjithë materialeve të fondit, rreth 13 mijë të tillë, të cilat nuk janë studiuar ende nga arkeologët.

“Por lëvizja e tyre jashtë godinës së Muzeut, përveç vështirësive teknike që ka, mund të bëhet vetëm kur objektet të jenë siguruar nga rreziqet e mundshme të transferimit dhe dëmtimeve të tjera të paparashikuara – shpreh shqetësimin e tij drejtori Ramohito.

E vetmja mënyrë për të përcaktuar vlerën financiare të sigurimit të një objekti nga rreziqet është njohja e çmimit të tij, por materialet arkeologjike të ekspozuara në muzeun më të madh këtij lloji në vend kanë vlera të pallogaritshme.

Vendosja e një çmimi p.sh. për monumentin e Perëndeshës Gea, që është instaluar në hyrje të Muzeut është i pamundur, duke patur paraqysh edhe vlerën historike të vetë zbulimit të saj në qendër të qytetit antik.

Lexo më shumë  Taravari-Peter Vanhoutte: Rruga evropiane e RMV-së do të jetë në duar të sigurta

Drejtuesit e muzeut, të cilët janë njohur me detajet e ndërhyrjeve ndërtimore në godinën kryesore, si dhe me ndryshimet që priten në pjesën e oborrit, tashmë po kërkojnë zgjidhje për sistemimin e objekteve në një mjedis të përshtatshëm dhe të sigurtë.

Muzeu, dy rikonstruksione në 10 vjet

Muzeu aktual arkeologjik i Durrësit do ti mbyllë dyert me një afat të pacaktuar për herë të dytë brenda 20 vjetësh nga përurimi i tij.

Në shtator 2011 qeveria shqiptare akordoi 102 milion lek për rikonstruksionin e plotë të godinës.

Punimet zgjatën afro tre vjet dhe kaluan mes shumë peripecish, të cilat u pasqyruan në cilësinë e punimeve si dhe në mangësitë e sistemit të kondicionimit dhe në instalimet e tjera të muzeut.

Projekti për rikonstruksionin e ardhshëm të godinës kryesore të Muzeut arkeologjik të Durrësit do të zbatohet me një pjesë të fondit prej 40 milion euro, që Bashkimi Europian ka vënë në dispozicion të monumenteve të qarkut Durrës-Krujë.

Një pjesë e madhe e tyre u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

Disa dëme në strukturën ndërtimore janë konstatuar edhe në godinën e muzeut arkeologjik të Durrësit, i cili pikërisht në atë periudhë kishte marrë edhe statusin e Muzeut Arkeologjik Kombëtar.

Drejtori Ramohito tha se projekti i ri parashikon veç hyrjes, edhe një dalje të veçantë për vizitorët, ndërsa fondet dhe administrata do të vendosen në një godinë tjetër që do të ndërtohet në krah të oborrit.

Punimet sipas tij do të zgjasin 6-8 muaj dhe gjithçka do të ndiqet UNOPS Albania.

Lexo më shumë  Taravari-Peter Vanhoutte: Rruga evropiane e RMV-së do të jetë në duar të sigurta

Platforma e munguar për dy katet e boshatisura

Aktualisht ky është Muzeu i vetëm funksional në qytetin bregdetar, pasi goditja sizmike e dy viteve më parë dëmtoi rëndë godinën e Muzeut Etnografik, dyert e të cilit vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Muzeu i ri arkeologjik I Durrësit është përuruar në prill të vitit 2002, pas një odiseje 20 vjeçare që nga hedhja e themeleve të tij.

Objektet kryesore që u transferuan nga godina e vjetër e Muzeut, prej pesë dekadash në një vilë 2-katëshe pranë shëtitores bregdetare, zunë vend në eksponatet e katit të parë ku dëshmohet periudha e antikitetit në qytetin antik.

Dy katet e tjerë vijojnë të jenë bosh e të të pasistemuar, dhe planet për krijimin e pavioneve të mesjetës dhe të arkeologjisë nënujore nuk janë realizuar ende.

Restauratori dhe skulptori Qazim Kërtusha, tha për BIRN se për krijimin e ekspozitave në dy katet që qëndrojnë të boshatisur prej gati 20 vitesh duhet përgatitur një platformë e mirëfilltë shkencore.

“Këtë mund ta bëjnë vetëm arkeologët e Institutit përkatës, por edhe arkitektë e historianë të instituteve të tjerë – shton Kërtusha.

Pavijonet mund të sistemohen sipas sistemit kronologjik të datimeve apo të gjetjeve, por ato me siguri do të mbështeten në numrin e madh të objekteve që qëndrojnë në fondet e muzeut në pritje të studimit nga ana e arkeologëve.

Sipas skulptorit Qazim Kërtusha “muzeu arkeologjik i qytetit me një histori 3,000 vjeçare ka një rëndësi të madhe për të gjithë rajonin”.

“Objektet e tij janë vetëm maja e ajsbergut për gjithçka është dëmtuar, apo që ende ruhet në nëntokën muze të Durrësit – përfundon restauratori dhe skulptori Kërtusha.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *