Lajme

Bashkitë ankohen se qeveria i ka lënë në baltë për menaxhimin e mbetjeve

Komisioni Parlamentar i Ligjeve u përball të mërkurën me ankesa të bashkive për fonde të pamjaftueshme që qeveria ka parashikuar në buxhetin e vitit 2024 për sektorë të deleguar si menaxhimi i mbetjeve apo menaxhimi i pyjeve, ndërsa kërkuan më shumë fonde për investime.

Në transfertën e pakushtëzuar të qeverisë për njësitë vendore parashikohet mbështetje buxhetore për menaxhimin e mbetjeve urbane për një pjesë të bashkive, ndërsa një pjesë tjetër nuk marrin asnjë mbështetje për këtë sektor, ku përfshihet dhe bashkia Tiranë.

Kryetarja e Bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa, duke folur në emër të 6 bashkive të qarkut Fier u ankua se buxheti ka parashikuar mbështetje buxhetore për shumë bashki në qarqet ku ka nisur depozitivimi i mbetjeve në landfille apo inceneratorë, por për bashkitë e këtij qarku nuk ka asnjë lek.

“Pavarësisht kërkesës që kemi bërë në 2022 dhe në 2023 të 6 kryetarët e bashkive që të futeshim në këtë program, sepse na është rritur kosto e transportit në inceneratorin e Fierit, do të doja të merrej parasysh të mos e kishim 0 lekë,” apeloi ajo para komisionit. Sefa shtoi se përveç kostove të transportit, këto bashki kanë dhe një tarifë 140 lekë për ton për mbetjet që depozitojmë në incenarotin e Fierit.

Kërkesën e Sefës e mbështeti deputetja socialiste e këtij qarku, Antoneta Dhima, e cila e cilësoi një shqetësim faktin që ishin lënë jashtë skemës së mbështetjes buxhetore për këtë sektor vetëm bashkitë e qarkut Fier.

“Asnjë bashki nuk ka fonde për këtë kompetencë të deleguar,” tha ajo.

Sipas Dhimës, bëhet fjalë për 73.4 milionë lekë në total për 6 bashkitë, ku 25 milionë kërkohen vetëm nga Bashkia Fier.

Lexo më shumë  Zëdhënësi i Qeverisë thotë se qindra zyrtarë publikë janë arrestuar për keqpërdorime të ndryshme

Edhe kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u ankua për mungesë grantesh për të mbuluar funksionet e deleguara në kuadër të decentralizimit të shërbimeve dhe e quajti të drejtë kërkesën e Sefës për fonde shtesë në lidhje me menaxhimin e mbetjeve urbane.

“Po na zë frika të flasim për decentralizimin kur shohim të dhënat financiare që ne mbulojmë nga të ardhurat e bashkisë,” tha Llatja.

“Bashkia mbulon 76 për qind të fondit për menaxhimin e mbetjeve,” shtoi ai, duke kërkuar rritje të grantit për këtë sektor dhe sektorë të tjerë të deleguar.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, Fran Ibrahimi, tha se i mirëkuptonte kërkesat e bashkive, por sipas tij, politikat e mekanizmit të financimit për mbetjet i ka bërë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Buxheti parashikon një fond prej 714 milionë lekësh si transfertë e pakushtëzuar sektoriale për njësitë e vetëqeverisjes vendore për mbetjet urbane e shpërndarë vetëm për 30 nga 61 bashki. Janë lënë jashtë bashkitë e qarkut Fier, të cilat janë të detyruara që në vitin 2021 që të depozitojnë mbetjet në inceneratorin e ndërtuar në Fier, i cili aktualisht funksionon vetëm si landfill.

Edhe bashkia e Tiranës është me 0 lekë në këto transferta të buxhetit të shtetit, por nënkryetari Andi Seferi në dëgjesë në komision nuk e përmendi në mënyrë të veçantë këtë pikë në kërkesat e tij për buxhetin e ri.

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi në shtator një shtesë fondi prej 600 milionë lekësh për landfillin e Sharrës, pasi kërkesat e kryebashkiakut Erion Veliaj në qeveri për mbështetjen buxhetore ranë në vesh të shurdhër.

Në projeksionet e transfertave të pakushtëzuara, qeveria parashikon fonde për mbetjet për bashkitë Krujë, Durrës, Vorë, Kamëz, Shijak, dhe Kavajë për depozitim në landfillin e Sharrës.

Lexo më shumë  Dita kombëtare e të zhdukurve, Osmani: Pas anëtarësimit në KiE, familjarët e të pagjeturve do të mund të padisin Serbinë

Po ashtu do të mbështeten bashkitë; Malësi e Madhe, Shkodër, Vau i Dejës, Pukë, Fushë Arrëz, Lezhë dhe Kurbin për depozitivimin në zonën e menaxhimit të mbetjeve Shkodër.

Mbështetje në këtë sektor marrin edhe bashkitë Himarë, Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, Memaliaj, Këlcyrë, Përmet, Libohovë dhe Dropull, për dërgimin e mbetjeve në zonën e menaxhimit të mbetjeve Gjirokastër.

Sipas projekt-ligjit të buxhetit, qeveria i delegon bashkive menaxhimin e mbetjeve duke parashikuar që ato të përballojnë kostot shtesë të transportit me të ardhurat e tyre.

Nëpërmjet kontratave konçensionare dhjetra milionë euro u shpenzuan nga qeveria për ndërtimin e Inceneratorit të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, ndërsa të treja kontratat janë të konfiskuara dhe dhjetra zyrtarë, një ish-ministër dhe ish-deputet janë në burg për dhënien e tyre.

Gjatë dëgjesës në komision, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbian Mazniku, foli për rritje të buxhetit me mbi 10 për qind për njësitë vendore, por kryebashkiakët e cilësuan këtë rritje pa ndikim real në shërbimet që ato oferojnë për qytetarët.

Kërkesat e bashkive për rritje fondesh u mbështetën dhe nga Shoqata për Autonomi Vendore dhe Instituti për Bashkitë Shqiptare.

Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore, Adelina Farrici, tha se fondi nuk ishte i mjaftueshëm për realizimin e nevojave të njësive vendore. “Nuk ka rritje në funksion të investimeve,” tha ajo duke iu referuar transfertës së pakushtëzuar për sektorët e deleguar.

Farrici po ashtu e cilësoi diskriminuese përcaktimin e nivelit të pagave në krahasim me pagat buxhetore dhe ripërsëriti kërkesën e viteve të mëparshme për kalimin e taksës minerare në buxhetet vendore./BIRN

Rruga Press

YouTube player