Lajme

Bashkitë 55 milionë euro borxhe të akumuluara, 2 në prag falimenti

15 nga 61 bashki të vendit janë zhytur në borxhe, ndërsa dy prej tyre janë në prag falimenti. Pra, 25% e pushtetit vendor nuk ka para për të shlyer pagesat e mbledhura ndër vite. Në fund të vitit 2021, totali i detyrimeve të prapambetura ndaj të tretëve që kanë akumuluar këto bashki, arrin në vlerën 6.6 miliardë lekë të rinj ose rreth 55 milionë euro.

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, vërehet se pesë bashkitë me borxhin më të madh të grumbulluar janë Kavaja, Tirana, Vora, Malësia e Madhe dhe Pogradeci.

Borxhe problematike kanë edhe Durrësi, Lezha, Kamza, Belshi dhe Fieri. Disa prej tyre janë në vështirësi serioze ekonomike në pamundësi për të kryer investime e ndërkohë dy prej tyre Kavaja dhe Vora të konsideruara në rrezik falimenti.

“Vora dhe Kavaja janë dy bashki që në raport me çfarë gjenerojnë ekonomikisht, ky nivel borxhi i vë në vështirësi të mëdha financiare, në ato vështirësi që shkojnë në atë termin e falimentimit që unë nuk dua ta përdor, por realisht këto bashki janë në pamundësi për të ofruar shërbime me cilësinë dhe sasinë e duhur”, thotë Agron Haxhimali nga Shoqata e Bashkive.

Kavaja kryeson listën e bashkive debitore. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave për vitin 2021, Bashkia Kavajë ka një borxh prej plot 820 milionë lekësh të rinj.

Vendin e dytë e zë Bashkia Tiranë me 653 milionë lekë të rinj detyrime ndaj të tretëve.

Ndërkaq, Bashkia Vorë ka një borxh prej 515 milionë lekësh duke u renditur e treta në të gjithë Shqipërinë, pavarësisht se konsiderohet një bashki e vogël.

Në analizën e komponentëve kryesorë të detyrimeve të prapambetura të evidentuara deri në fund të 2021, vërehet se më shumë se gjysmën e totalit të detyrimeve të prapambetura e zënë detyrimet ndaj palëve të treta për projekte të investimeve publike. Ndërkohë që detyrimet që burojnë nga shërbimet e kryera nga palë të treta si dhe pagesat për gjyqe të humbura zënë vendin e dytë dhe të tretë.

Bashkia Vorë dhe Bashkia Kavajë përmbushin kriterin e gjendjes së vështirësisë serioze financiare të përcaktuar në ligj pasi detyrimet e tyre të prapambetura zënë mbi 80% të shpenzimeve vjetore për vitin 2021. Referuar të dhënave zyrtare, Bashkia Vorë pjesën më të madhe të detyrimeve të prapambetura i ka akumuluar ndaj palëve të treta për projekte të investimeve publike. Ndërkohë që Bashkia Kavajë pjesën më të madhe të detyrimeve të prapambetura i shënon nga detyrimet e prapambetura për energjinë elektrike ndaj OSHEE.

Lexo më shumë  Ministri Aliu siguron se punimet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë do të përfundojnë brenda afateve

“Borxhi më i madh që ka Bashkia Kavajë prej shumë vitesh është ai me OSHEE, prej më shumë se 10 vitesh, ku në këtë borxh nuk përfshihet vetëm detyrimi që ka bashkia Kavajë për ndriçim, për energji elektrike, por ka edhe kamata dhe detyrime të tjera të cilat e rrisin në mënyrë eksponenciale borxhin ose detyrimin e bashkisë ndaj OSHEE”, tregon Guxim Kola, nënkryetar i Bashkisë Kavajë.

Pra, një pjesë të madhe të borxhit të akumuluar bashkitë e kanë nga vendimet gjyqësore që kanë cilësuara të gabuara largimet e dhjetëra punonjësve nga puna. Kjo do të thotë se qytetarët e këtyre bashkive kanë paguar me taksat e tyre një kosto të dyfishte; e para dhënia e shpërblimit të largimeve të padrejta nga puna, që në disa raste shkojnë deri në mbi 20 paga për person; dhe e dyta kostoja e re për të paguar për të njëjtin vend pune një punonjës të ri të vendosur rishtazi.

Pesë bashkitë me borxhin më të lartë të grumbulluar nga vendimet gjyqësore për vitin 2021 janë Durrësi, Pogradeci, Dibra, Kavaja dhe Tirana.

Në total, bashkitë e vendit kanë një detyrim prej 695 milionë lekësh të rinj që ka ardhur prej vendimeve gjyqësore.

Bashkia Dibër është po ashtu një nga bashkitë me detyrime të prapambetura. Sipas listës së bashkive me më shumë detyrime të prapambetura Bashkia e Dibrës ndodhet në vendin e 14. Në kthimin e përgjigjes me shkrim për Unpublished, Bashkia Dibër tha se stoku i borxhit deri në fund të prillit ishte në vlerën afro 270 milionë lekë të rinj i ndarë sipas disa grup detyrimesh. Detyrimet më të mëdha financiare në Bashkinë Dibër janë për investimet, nga vendimet gjyqësore, AKUM, FZHR dhe Ministria Arsimit.

Bashkia Dimal ose ish-Ura Vajgurore është mes 15 bashkive me detyrime të prapambetura megjithëse jo në nivele shqetësuese sa bashkitë që përmendëm më lart.

Kryetarja e Dimalit tha ndër të tjera për Unpublished se borxhi është ulur këto vitet e fundit dhe se këto detyrime nuk kanë ndikuar në investimet në këtë bashki. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave Bashkia Dimal ka një detyrim të pashlyer prej 133.5 milionë lekësh të reja.

Lexo më shumë  “E pashë një person të maskuar me armë në dorë” – policia jep detaje nga tentim vrasja ndaj Marko Jablanoviqit

Qeveria qendrore nga ana tjetër ka dhënë një mbështetje financiare për një pjesë të këtyre bashkive dhe detyrimeve të prapambetura që ato kanë. Mbështetja prej 500 milionë lekësh duket se nuk u ka shkuar të gjitha bashkive dhe nga sa raportohet nga vetë bashkitë, ka qenë kryesisht një mbështetje simbolike.

Bashkia Dibër tha në përgjigjen e saj ndër të tjera se, nuk ka përfituar nga qeveria fonde të veçanta për likuidimin e vendimeve gjyqësore apo detyrimeve të tjera kontraktuale.

Kryetarja e Bashkisë Dimal i tha Unpublished se kishte marrë gjithsej 10 milionë lekë të rinj ose rreth 10 për qind të totalit të borxhit të akumuluar.

Për disa problemi ka qenë kryesisht nga kontributi i keq që ka dhënë politika në këto institucione vendore, duke i konsideruar njësitë e qeverisjes vendore si një vend për të punësuar militantët dhe lënien mënjanë të profesionistëve.

E nëse flasim më konkretisht për shërbimet që ofrojnë bashkitë e vendit, sipas raportit të Shoqatës së Bashkive për vitin 2021, mbulimi me ujësjellës është (77%), kanalizime (51.9%) dhe është i pamjaftueshëm dhe pengon zhvillimin ekonomik, veçanërisht në zonat më të varfra urbane periferike. Në 2021, kohëzgjatja e furnizimit me ujë për qytetarët ishte për 13.79 orë në ditë, që është njësoj me vitin 2020 duke mos shënuar asnjë progres.

Ndërkaq, gjatë vitit 2021, sipas sistemit informatik financiar të Qeverisë, numri total i punonjësve faktikë për 61 njësitë e qeverisjes vendore rezultoi 34,804 punonjës. Krahasuar me vitin 2020, evidentohet një rritje me 757 punonjës më shumë. 39 nga 61 bashki të marra në analizë kanë shtuar numrin e punonjësve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku spikasin veçanërisht Bashkia Tiranë (+333 punonjës), Bashkia Kamëz (+113 punonjës) dhe Bashkia Durrës (+67 punonjës).

Pra, disa prej bashkive shqiptare duket se e kanë të pamundur të marrin frymë prej borxheve që kanë grumbulluar për shkak të keqmenaxhimit të financave duke sjellë një kosto e cila do kërkon miliona euro dhe shumë vite të shlyhet.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *