Lajme

Bankat: Përkeqësimi i mundshëm i ekonomisë, rrezik kryesor

Bazuar në rezultatet e vrojtimit të Bankës së Shqipërisë mbi perceptimet e sektorit bankar rreth rreziqeve sistemike, rezulton se rreziku i përkeqësimit të ekonomisë së vendit ka vijuar të evidentohet si rreziku kryesor gjatë gjysmës së parë të vitit 2021.

Sektori bankar vlerëson përkeqësimet e mundshme të ekonomisë reale si rrezikun kryesor për sistemin financiar në vend. Bazuar në rezultatet e vrojtimit të Bankës së Shqipërisë mbi perceptimet e sektorit bankar rreth rreziqeve sistemike, rezulton se rreziku i përkeqësimit të ekonomisë së vendit ka vijuar të evidentohet si rreziku kryesor gjatë gjysmës së parë të vitit 2021.

Megjithatë, perceptimi mbi nivelin e këtij rreziku është zbutur gjatë periudhës, ndikuar nga ecuria pozitive e aktivitetit ekonomik, pas lehtësimit së masave kufizuese të lidhura me pandeminë.

Në të njëjtën kohë, është zbutur disi edhe perceptimi i përgjithshëm mbi rrezikun e kredisë nga të gjitha subjektet, i cili shihet i lidhur drejtpërdrejt me rrezikun e përkeqësimit të ekonomisë. Rinisja e aktivitetit në sektorët ekonomikë të prekur nga pandemia, si sektori i transportit ndërkombëtar, tregtisë dhe turizmit, ka zbutur shqetësimin e bankave mbi situatën e ardhme financiare të bizneseve dhe familjeve, si dhe perceptimin e rrezikut të goditjeve nga jashtë.

Lexo më shumë  Instituti Ndërkombëtar Republikan: Shqipëria dhe Kosova, vendet më pro-perëndimore në Ballkanin Perëndimor! Serbia në krah të Rusisë

Por, nga ana tjetër, zgjerimi i borxhit publik në raport me PBB-në, për shkak të rritjes së kostove të administrimit të situatës së pandemisë, ka rritur shqetësimin e sektorit bankar mbi qëndrueshmërinë e tij dhe ka evidentuar nevojën e masave për rikthimin e prirjes rënëse të tij. Ashtu si edhe gjatë vitit të kaluar, bankat vijojnë të evidentojnë shfaqjen e disa rreziqeve të reja të lidhura me periudhën e pandemisë si rreziku operacional dhe rreziku kibernetik, si rezultat i rritjes së përdorimit të teknologjisë në përmbushjen e aktivitetit të tyre.

Besimi i bankave në qëndrueshmërinë e sistemit financiar ka rezultuar në rritje në gjashtëmujorin e parë të vitit, krahasuar me periudhën e kaluar dhe me një vit më parë, duke u rikthyer në nivelet e para të pandemisë. Ky besim mbetet i kënaqshëm dhe i pandryshueshëm kur diskutohet për të ardhmen afatshkurtër, por disi në rënie kur diskutohet për një të ardhme më afatgjatë.

Lexo më shumë  Konjufca në takim me deputetin italian, Loperfido shprehu mbështetjen e Italisë për rrugën e Kosovës drejt BE-së

Sektori bankar gjykon se, pavarësisht sfidave që kanë karakterizuar mjedisin e brendshëm dhe të jashtëm gjatë dy viteve të fundit, sistemi financiar në vend ka mbetur i qëndrueshëm dhe i mirëkapitalizuar, në gjendje për të përthithur humbjet e mundshme.

Por, sipas bankierëve, zhvillimet e pandemisë të lidhura me përhapjen e variantit Delta të koronavirusit, kanë treguar se pasiguria mbi gjendjen e shëndetit publik dhe pasojat mbi ekonominë në tërësi, mbeten të pranishme. Përveç pandemisë, në javët e fundit rimëkëmbja ekonomike po përballet me një sfidë të re, të lidhur me rritjen e çmimit të produkteve energjetike dhe ushqimeve.

Marrë nga Monitor

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *