Lajme

Bankat mbajnë rreth 510 milionë euro obligacione në valutë të qeverisë shqiptare

Ekspozimi i sektorit bankar ndaj obligacioneve të qeverisë shqiptare në valutë të huaj në fund të muajit tetor kishte vlerën e rreth 460 milionë eurove.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, në lekë, vlera e konvertuar ishte rreth 55.7 miliardë lekë, në rritje me 4.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, ekspozimi i bankave tregtare shqiptare ndaj obligacioneve në Euro të qeverisë është rritur më tej gjatë muajit nëntor, pas emetimit të Eurobondit të parë 10 vjeçar të qeverisë shqiptare. Sipas burimeve nga tregu, bankat blenë rreth 7% deri në 8% të Eurobondit prej 650 milionë eurosh. Kjo e çon ekspozimin total ndaj borxhit publik në valutë të huaj në një shumë të përafërt prej rreth 510 milionë eurosh ose rreth 62 miliardë lekësh. Ky portofol është krijuar gradualisht në dekadën e fundit, pasi qeveria shqiptare nisi të emetonte instrumente borxhi në valutë të huaj, kryesisht në Euro, si në tregun e brendshëm, ashtu edhe në tregjet ndërkombëtare.

Lexo më shumë  Komandanti i KFOR-it: Ngjarjet në Kosovë ndikuan te siguria në rajon, dërguam 1,000 trupa

Portofoli i obligacioneve në valutë të qeverisë shqiptare në bilancet e bankave shënoi një rritje të ndjeshme veçanërisht në tremujorin e dytë të vitit të kaluar, pas shpërthimit të pandemisë. Në atë periudhë, qeveria shqiptare emetoi një obligacion dyvjeçar prej 120 milionë eurosh në tregun e brendshëm, si edhe Eurobond prej 650 milionë euro në tregjet ndërkombëtare. Bankat ishin financuesi kryesor i obligacionit kombëtar, por edhe një ndër blerësit kryesorë të Eurobondit.

Në vitet e fundit, bankat i kanë parë titujt e borxhit në Euro të qeverisë shqiptare si një alternativë mjaft fitimprurëse për të investuar likuiditetet e bollshme që ato disponojnë në monedhën europiane. Rritja e e këtyre ekspozimeve është favorizuar edhe nga politikat e Bankës së Shqipërisë, që i ka njohur obligacionet e qeverisë në valutë si instrumente me peshë rreziku zero për efekt të llogaritjes së raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit. Banka qendrore ka mbajtur një qasje disi liberale në këtë drejtim, edhe për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia. Por, në situatën aktuale ku shqetësimet për një rritje të afërt të normave të interesit po shtohen, një ekspozim i lartë në borxhin e qeverisë shqiptare në valutë të huaj paraqet rreziqe në rritje. Duke filluar nga viti i ardhshëm, investimet e reja të bankave në Eurobondet e qeverisë shqiptare do të njihen me peshë rreziku 100%. Kjo do ta kufizojë mundësinë e bankave për të rritur investimin në këto tituj me ritmet e dy viteve të fundit.

Lexo më shumë  Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave, eurodeputeti holandez: Shtetet anëtare të KiE-së iu përulen Serbisë

Ekspozimi i bankave në këtë segment të borxhit të qeverisë shqiptare ngelet relativisht i vogël. Këto instrumente përbënin vetëm 3% të totalit të aktiveve të sektorit bankar në fund të tetorit, ndërsa me Eurobondin e nëntorit kjo peshë mund të ketë shënuar një rritje të lehtë. Megjithatë, ekspozimi total në borxhin e qeverisë shqiptare, përfshirë instrumentet në lekë, ka përmasa të konsiderueshme dhe arrin në rreth 26% të totalit të aktiveve të sektorit bankar./MONITOR/

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *