Avokati i Popullit: Kodi Civil të sigurojë të drejta të barabarta për komunitetin LGBT+

Marrëdhëniet familjare të personave me sekse të njëjta duhet të njihen dhe të definohen me Kodin Civil, pa asnjë dallim dhe në të njëjtën mënyrë sikurse personat me sekse të kundërta.

Ky është opinioni i Avokatit të Popullit, i cili është publikuar të premten, më 27 prill, në faqen e internetit të këtij institucioni.

Sipas opinionit të këtij institucioni, këtë e garanton Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi.

“Avokati i Popullit vlerëson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës duke mos përcaktuar shprehimisht se e drejta e martesës është e drejtë e ‘burrit dhe gruas’, nuk paraqet asnjë pengesë për të konstatuar se privimi i personave me sekse të njëjta nga e drejta e martesës, paraqet shkelje të së drejtës për të mos u diskriminuar në bazë të orientimit seksual”, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit.

Lexo më shumë  Qeveria bullgare jep dorëheqjen, Kiril Petkov: Do të rikandidoj sërish për kryeministër

Për më shumë, ai vlerëson se formulimi aktual i Projektkodit Civil për lejimin e bashkësive të regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta, “pa e definuar qartë se çfarë paraqet një bashkësi e regjistruar civile dhe duke përcaktuar se kushtet dhe procedura për njohjen e këtyre bashkësive të rregullohen me ligj të veçantë, nuk paraqet zgjidhje dhe nuk i reflekton të drejtat e garantuara me Kushtetutë”.

Avokati i Popullit ka vlerësuar se Projektkodi Civil, në kuadër të rregullimit të marrëdhënieve familjare, duhet të përcaktojë shprehimisht njohjen e marrëdhënieve të personave me sekse të njëjta.

Opinionin e tij, Avokati i Popullit ia ka dërguar ministres së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe ka njoftuar kryeministrin Albin Kurti.

Më 16 mars të këtij viti, Projektkodi Civil nuk ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës pasi 29 vota ishin kundër, 28 për dhe katër deputetë kanë abstenuar. Në sallë, në momentin e votimit ishin 77 deputetë nga 120 deputetë, por 16 prej tyre nuk morën pjesë në votim.

Mospajtimet e deputetëve ishin pikërisht lidhur me nenin, i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë. Votat kundër ishin për të ndaluar që të mundësohet kjo bashkësi civile.

Më herët edhe krerët e bashkësive fetare në Kosovë kishin kundërshtuar lejimin e “bashkësive civile”, pasi thanë se ripërkufizohet familja dhe martesa.

Më 17 mars, me moton “Homofob, s’e vend në Kuvend”, është mbajtur një protestë para Kuvendit të Kosovës në shenjë pakënaqësie ndaj mosmiratimit të Projektkodit Civil. Protestuesit dënuan gjuhën e përdorur nga disa deputetë gjatë seancës së Kuvendit.

Po të njëjtën ditë, Ministria e Drejtësisë paralajmëroi se do ta ridërgojë Projektkodin Civil në Kuvend, por nuk dha më shumë detaje se a do ta ndryshojë Projketkodin, apo do ta riprocedojë të njëjtin.

Rruga Press

Leave a Reply

Your email address will not be published.