Autostrada gjermane ku nuk ka kufi shpejtësie
Pak pika të tjera referimi përfaqësojnë Gjermaninë më shumë se sistemi i saj i autostradave, apo siç i quajnë gjermanët “Autobahn”.
Gjatë dekadave, ajo është shndërruar nga një pjesë utilitare e infrastrukturës kombëtare në një ikonë kulturore që ka sjellë vepra arti, albume, mallra anembanë globit — madje edhe emrin e një pijetoreje irlandeze.
Por pse është bërë kaq legjendare dhe çfarë raporti kanë gjermanët me “Autobahn-in” e tyre sot? Më e rëndësishmja, a është e vërtetë që mund të vozitësh aq shpejt sa të duash në të?
Ideja e ndërtimit të autostradave që lidhin qytetet në zgjerim të Gjermanisë pas Luftës së Parë Botërore u konceptua në Republikën e Weimarit të pasluftës. Rruga e parë publike e këtij lloji u përfundua në vitin 1932, duke lidhur Këlnin dhe Bonin. Ende ekziston – sot, është pjesë e “Autobahn 555”.
Pasi Hitleri u ngrit në pushtet në 1933, ai përdori “Autobahn” për përfitime politike, duke emëruar Fritz Todt si “Inspektor të Përgjithshëm të Ndërtimit të Rrugëve Gjermane” dhe duke e ngarkuar atë me rritjen e rrjetit të autostradave.
Rezultatet e vërteta të atij zgjerimi të autostradës ishin të pakta, megjithatë, dhe ndërtimi mbështetej gjithnjë e më shumë te punëtorët e detyruar dhe të burgosurit e kampeve të përqendrimit pas shpërthimit të luftës në vitin 1939.
Pas luftës, shumica e autostradave ekzistuese në Gjermaninë Perëndimore u riparuan dhe u vunë përsëri në përdorim, me një program zgjerimi që filloi në vitet 1950.
Gjatë Luftës së Ftohtë, disa pjesë të autostradës u projektuan për të funksionuar si fusha ajrore të improvizuara për trupat aleate në rast të një pushtimi sovjetik.
Ndërkohë, në RDGJ (Gjermania Lindore), autostradat përdoreshin kryesisht për trafikun ushtarak dhe automjetet e prodhimit shtetëror.
Që nga viti 1953, termi zyrtar për autostradat gjermane ka qenë Bundesautobahn, “autostrada federale”. Tani ka një autostradw 13,000 kilometra të gjatë, duke e renditur atë ndër sistemet rrugore më të gjata dhe më të dendura në botë.
Shumica e seksioneve kanë dy, tre apo edhe katër korsi në secilin drejtim, plus një korsi të përhershme emergjence.
Përderisa për shumë gjermanë autostrada është një pamje e përditshme, e pazakontë, fansat e vërtetë ende e vlerësojnë atë. Një prej tyre është edhe arkitekti i Këlnit, Christian Busch.
“Gjithmonë ka zhvillime teknike që bëjnë një përmirësim të dukshëm për përdoruesin”, thotë ai.
Autostradat financohen nga taksat dhe mirëmbahen nga vetë shteti gjerman, dhe jo nga rajonet ku kalon. Makinat kanë akses falas, por që nga viti 2005, kamionët duhet të paguajnë një “maut” (taksë).
“Autobahn” ka gjithashtu forcën e vet policore, Autobahnpolizei, shpesh duke përdorur makina policie pa shenja, të pajisura me kamera video për të dokumentuar shkeljet e shpejtësisë.
E vetmja gjë që shumica e njerëzve mendojnë se dinë për “Autobahn” është se ju mund të vozisni aq shpejt sa mund të menaxhojë makina juaj. Çuditërisht, kjo është pjesërisht e vërtetë. Disa shtrirje të autostradave, për shembull A3 midis Këlnit dhe Frankfurtit — nuk kanë kufi shpejtësie, duke u dhënë shoferëve mundësinë që të vozisin aq sa duan.
Sot, Gjermania është i vetmi vend evropian pa një kufi shpejtësie të plotë dhe diskutimet rreth prezantimit të një të tillë kanë qenë gjithmonë një temë e nxehtë në politikën gjermane. Thirrjet për vendosjen e kufijve të shpejtësisë kanë ekzistuar që nga vitet 1980 dhe janë rritur vitet e fundit – jo vetëm sepse ato mund të reduktojnë emetimet e CO2.
Rruga Press