Opinion/Aktualitet

Autokratët Rama-Vuçiç dhe ‘principata’ e tyre Ballkanike

Nga Agim Nesho

Deklaratat e Ministrit të Jashtëm Rus, Lavrov, për Ballkanin e Hapur, pavarësisht interpretimit dhe shpjegimit ‘të lodhur’ si sarkastike, në thelb tregonin disa të vërteta: – Projekti Ballkani i Hapur ishte një projekt i përkrahur nga Putini dhe klika e tij dhe se ata, rusët, e donin Ballkanin të Hapur ndaj shteteve të tjera dhe jo të mbyllur siç konceptohej në Bruksel. Në fakt, në shpjegimin e tij Lavrov harron që e ardhmja e Ballkanit nuk përcaktohet nga dëshirat gjeopolitike të fuqive të mëdha, por nga aspiratat e popujve ballkanikë që kanë gjetur BE-në dhe Perëndimin si të ardhmen e tyre. Ndërsa popujt e Ballkanit Perëndimor e kanë bërë zgjedhjen e tyre për ta mbyllur Ballkanin ndaj influencave të fuqive revizioniste dhe autoritariste, autokratët e Ballkanit Rama-Vuçiç kërkojnë të rikthejnë hapjen e portave dhe rikthimin e influencave të vjetra.

Por pse ju duhet një inisiativë e re në Ballkan autokratëve të rinj Ballkanikë? Autokratët Vuçiç dhe Rama mund të kenë axhenda të ndryshme, qëllime të caktuara për pushtetin, por i bashkojnë disa gjëra të përbashkëta që iu ka mundësuar ‘martesën e interesit’ për të luajtur, ndarë dhe kthyer rajonin e Ballkanit Perëndimor në një zonë të re konflikti potencial dhe destabilitet. Të dy regjimet e kanë ulur shkallën e funksionimit të shtetit ligjor, kanë përkeqësuar treguesit demokratikë, kanë kapur institucionet e shtetit, janë pjesë të mbajtjes në këmbë të sistemit korruptiv dhe lidhjes së politikës me krimin.    

Vuçiç, si përfaqësues i nacionalistëve të rinj serb, ka si qëllim të revizionojë historinë, të mbajë ndezur konfliktin me Kosovën, dhe të realizojë një zgjidhje gjeopolitike të re dhe këtë e bazon në një partneritet strategjik me Rusinë. Të dy shtetet shfrytëzojnë njëra-tjetrën për të realizuar ambiciet e tyre hegjemoniste dhe dominimin e rajoneve të tyre. Për nacionalistët serb është më prioritare rikthimi i dominimit serb në rajon sesa integrimi europian. Vetë veprimet e tyre flasin qartë për këtë gjë. Jashtë kritereve dhe vlerave europiane, interesave për tu integruar në BE, Serbia vazhdon politikat e armatimit ushtarak me pajisje ruse dhe kineze, shkel embargon europiane për sanksione kundër Rusisë, dërgon ministrin e jashtëm në Moskë kur gjithë perëndimi po flet për genocidin rus në Ukrainë, aderon në tregun e përbashkët rus të Euro-Azisë, flet për hapësira ‘serbe’ në Ballkan dhe përpiqet të destabilizojë shtetet ballkanike si Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina. Një shtet që deklaron perspektivën e tij europiane por zbaton një axhendë të kundërt me të tregon që perspektiva e tij është e ndryshme dhe kërkon të ‘blejë’ kohë për të zbatuar një projekt tjetër.

Lexo më shumë  Reportazhi i RAI 3 – prova e pakontestueshme se Shqipëria drejtohet nga një kryemafioz?

Autokrati Rama, në ndryshim nga Vuçiç, nuk ka axhendë politikë apo skema ideologjike që e motivojnë në këtë lidhje. Ai ka probleme të karakterit të ndryshueshëm, formimit sipërfaqësor, mungesës së vizionit, të cilat në një farë mënyre i kompenson me dashurinë ndaj vetes dhe bindjes së do të bëjë dicka që do të lërë gjurmë në histori. Lidhja midis dy autokratëve është krijuar nga konceptet e njëjta jo demokratike të dy liderëve për të dominuar shtetin, nëpërkëmbur funksionimin e shtetit ligjor dhe për të gjetur një zgjidhje për të përjetësuar pushtetin e tyre personal. Ndryshe nga Vuçiç që është një lider racional dhe me vizion se ku do të arrijë, Rama mbetet kampion i politikës së përshtatjes (kameleoniste) dhe klienteliste për të fituar nga kush i jep më shumë. Lidhja me Vuçiç në vetëofrimin e planeve ballkanike, si për ndryshimin e kufijve ashtu edhe për Ballkanin e Hapur, i jep mundësi atij për një protagonizëm të shtuar në politikë. Për më tepër që Ballkani i Hapur është një alternativë për të mbuluar dështimin e tij të plotë për integrimin e Shqipërisë në BE. Ashtu si Vuçiç edhe Rama nuk e do futjen e Shqipërisë në BE, pavarësisht se betohet për të kundërtën, sepse do të shkaktonte rënien e regjimit të tij shumë shpejt. Për tu justifikuar për këtë ai ka filluar ta kritikojë hapur BE-në si një femër ‘shterpë’ që nuk lejon martesën me djemtë e ‘hedhur’ të Ballkanit. Në fakt regjimi i tij ka përkeqësuar të gjitha standardet demokratike të funksionimit të shtetit, ka rritur në nivele të pakontrolluara korrupsionin dhe kushtet për plotësim të standardeve të BE-së janë shtuar nga viti në vit. Pa përmendur që kushti i fundit i BE-së do të jetë largimi i regjimit të tij kleptokratik sa më shpejt nga Shqipëria.

Lexo më shumë  Kur do ketë Tirana guximin t’i kujtojë Athinës gjenocidin grek në Shqipëri në 1914?

Vuçiç e ka ‘peshkuar’ zotin Rama duke e përkëdhelur në atë që e ka të nevojshme dhe i mungon. Ai ka kohë që i drejtohet Ramës ‘Lider Global’ duke e motivuar atë me ernergji dhe entuziazëm në mbrojtje të projekteve serbo-ruse. Në deklaratën e fundit në Ohër, Vuçiç shprehet se është në borxh të madh për integritetin e Ramës për mbrojtjen e Vuçiç dhe inisiativës së tyre të përbashkët edhe kur vende të tjera i kanë kërkuar të shkëputet prej saj. Kjo tregon qartë që për zotin Rama këshillat e partnerëve dashamirës të Shqipërisë mund të sakrifikohen përballë projektit ku ata të dy janë zhytur deri në kokë. Për Vuçiç, Rama mbetet ai lider atipik Shqiptar që ka dështuar në cdo aspekt të politikës së jashtme, i përdorur si vasal nga Erdogani, i paaftë për të mbrojtur interesat e vendit me Greqinë, klientelist pa kriter ndaj perëndimit, të cilit i nevojitet një projekt ku të krijojë historinë e tij.

Këto lidhje kanë sjellë në martesën e interesit midis dy liderëve ballkanikë në një projekt që kënaq egon e Ramës dhe nëpërkëmb interesat e Kosovës, në një projekt që shitet si perëndimor por që do ta largojë më shumë Ballkanin nga perspektiva europiane.

Rama është indiferent se përfaqëson vetëm veten e tij dhe disa organizata që zgjidhjen për Ballkanin e shikojnë dhe vlerësojnë nga larg me mendjen ‘fëminore’ të tyre për të arritur sukses. Për Vuçiç, Ballkani i Hapur do të sillte jo vetëm dominimin serb në Ballkan por edhe të rikthente politikën e Marshallit Tito për ta larguar Ballkanin nga Perëndimi dhe Europa dhe për ta bërë atë një hapësirë të paangazhuar, ku Kina dhe Rusia të jenë prezentë.

Prandaj Ballkani i Hapur është principata e re Ballkanike e dy autokratëve të Ballkanit.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *