KryesoreOpinion/Aktualitet

Asociacioni nuk mund të nxirret më nga konteksti i Marrëveshjes së Brukselit, ku zbatimi i tij shkon krahas me njohjen faktike që Serbia duhet t’ia bëj Kosovës si subjekt sovran

Nga Donik Sallova

PËR KUJTESË…

E para, Asociacioni nuk mund të nxirret më nga konteksti i Marrëveshjes së Brukselit, ku zbatimi i tij shkon krahas me njohjen faktike që Serbia duhet t’ia bëj Kosovës si subjekt sovran në raportet bilaterale dhe ndërtimit të marrëdhënieve paqësore fqinjësore. Pra, Asociacioni për njohje, jo Asociacioni për Këshill të Europës;

E dyta, ta ndërlidhësh çështjen e Asociacionit me Këshillin e Europës do të thotë t’ia japësh Serbisë në dorë një instrument që nuk e ka, sepse me përjashtimin e Rusisë nga ky Këshill dhe me plotësimin e kriterit të fundit politik si prevalim inl shtetit ligjor (çështja e Manastirit), Kosova i ka gjasat krejt reale dhe të merituara për pranim. Pse të mos forcohet pozicioni i Kosovës përballë Serbisë kur kjo është e mundur? Serbia edhe sot e kësaj ditë po lobon kundër pranimit të Kosovës në KE, në shkelje të Marrëveshjes së Brukselit, prandaj pranimi i Kosovës në këtë organizatë nuk është kërkon këmbim me ndonjë “lëshim” ndaj Serbisë, sepse ky pranim nuk është meritë e Serbisë në kuadër të normalizimit të raporteve me Kosovën;

E treta, si mund t’i kërkohet Kosovës Asociacioni kur Serbia i ka dërguar letër zyrtare Bashkimit Europian ku e njofton se nuk do t’i zbatojë pikat e marrëveshjes që konsiderohen “njohja faktike” që Serbia duhet t’ia bëjë Kosovës në procesin e normalizimit të marrëdhënieve? Pse nuk i drejtohet ultimatum Serbisë që po zyrtarisht të bëj tërheqjen e kësaj letre që të rivalidohet deklarata e Borrellit se palët e kanë pranuar Marrëveshjen Bazë. Cilat janë pasojat për Serbinë për tërheqjen zyrtare që ka bërë nga Marrëveshja e Brukselit, sepse Kosova e ka pranuar në parim edhe draftin e rekomanduar europian të Asociacionit mbi të cilin janë dhënë vërejtjet përkatëse që ai të jetë plotësisht kushtetues. Nuk mund të thuhet që Kosova ka refuzuar draftin europian të Asociacionit sepse ai draft nuk ka pasur status pranimi apo refuzimi, sepse nuk është në tagrin e dialogut të Brukselit ta bëj draftin e statutit të Asociacionit. Versioni përfundimtar i draftit-statutit miratohet nga Qeveria e Kosovës, ku drafti europian mund të jetë versioni orientues, por asesi përcaktues dhe përfundimtar. Politikisht kjo është në dorë të Qeverisë së Kosovës, konstitucionalisht do të gjykohet nga Gjykata Kushtetuese. Prandaj, procesi kompleks i draftimit politik dhe juridik të statutit të Asociacionit në kontekstin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit nuk mund të barazvlerësohet me goditjen që Serbia ia ka bërë kësaj marrëveshjeje përmes letrës së tërheqjes nga zbatimi i saj;

Lexo më shumë  Zëdhënësi i Qeverisë thotë se qindra zyrtarë publikë janë arrestuar për keqpërdorime të ndryshme

E katërta, “çështja e Banjskës” nuk është aspekt i dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve. Nuk mund t’i kërkohet Kosovës të bëj Asociacion dhe të pranojë dinarin ilegal në Kosovë, ndërsa Serbisë të dënojë Radoiçiqin. Pas heqjes dorë nga Marrëveshja e Brukselit, Serbia do të ishte e lumtur ta kishte këtë kusht kundrejt njohjes faktike që duhet t’i bëj Kosovës. Agresioni i Serbisë në Banjskë përmes grupit paramilitar të Radoiçiqit do të duhej ta rriste presionin ndërkombëtar ndaj Serbisë që një orë e më parë ta njohë Kosovës, jo veç si kusht normalizimi të marrëdhënieve me Kosovën, por edhe si dëshmi e riorientimit të saj të pretenduar kah Perëndimi. Ç’është ky shtet që tolerohet nga bota demokratike që ta sulmojë ushtarakisht fqinjin e saj në mes të Europës dhe të trajtohet në dialog sikur nuk ka ndodhur asgjë?

E pesta, nuk duhet harruar asnjëherë se Republika e Kosovës është ndërtuar si shtet i pavarur, sovran, demokratik e si shoqëri multietnike mbi Kompromisin e Madh të njohur si Pakoja e Ahtisaarit. Ky dokument i përbrendësuar në kushtetutën e Kosovës ka definuar natyrën e shtetit të Kosovës në të gjithë gamën e tij. Pavarësia e Kosovës u kushtëzua nga pranimi i këtij Propozimi Gjithëpërfshirës. Shtetet mike dhe aleate e njohën pavarësinë e Kosovës vetëm pasi pranimi i këtij propozimi u pasqyrua në Deklaratën e Pavarësisë me 17 shkurt 2008. Negociatat e Vienës në krye me Ahtisaarin ishin negociata për statusin final të Kosovës i cili u përcaktua me pavarësi të mbikëqyrur. Negociatat e tjera, pra këto të Brukselit, pavarësisht mëkateve të politikanëve tanë dhe djallëzisë se disa negociatorëve europianë, asesi nuk mund të jenë negociata mbi statusin dhe natyrën e shtetit të Kosovës. Neni 9 mbi Dispozitat Ekonomike të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Final të Kosovës (Pako e Ahtisaarit), në pikën 9.1 thotë se “Kosova do të përdorë një valutë si monedhë të ligjshme”, dhe në pikën 9.2 “Kosova do të ketë një autoritet të pavarur qendror bankar”. Ju referova drejtpërdrejt Pakos së Ahtisaarit si burimi politik e historik i kushtetutës sonë aktuale, për të thënë se për Kosovën çështjet e shtetësisë dhe sovranitetit janë të mbyllura. Fjala “dinar” nuk ekziston askund në ketë pako. Çdo ndërhyrje e Serbisë, me dinarë apo me mortaja, e cënon sovranitetin e Kosovës. Toleranca e pushteteve të kaluara në Kosovë kundrejt këtyre ndërhyrjeve, nuk i bënte ata më me përvojë si politikanë, por Kosovën më pak të dinjitetshme dhe më pak sovrane kundrejt Serbisë. Sjellja e padinjitetshme e pushteteve të kaluara nuk janë norma e sjelljes së çdo pushteti që do ta qeverisë Kosovës. Është norma kushtetuese që burimin e ka tek kompromisi historik i Pakos së Ahtisaarit ajo që e garanton funksionimin sovran e demokratik të Kosovës, por edhe paqen rajonale!

Lexo më shumë  Dita kombëtare e të zhdukurve, Osmani: Pas anëtarësimit në KiE, familjarët e të pagjeturve do të mund të padisin Serbinë

Rruga Press

YouTube player