Lajme

Asnjë fjalë nga PDK, LDK apo AAK për skandalin e fundit të AKI-së

Shkruan Enver Robelli

Le ta marrim me mend këtë situatë: në vitin 2017 kryeministër i Kosovës është Albin Kurti. Qeveria e tij atë vit emëron shefin e ri të AKI-së, një person për të cilin opozita (PDK, LDK, AAK) thotë se është “shërbëtor i Kurtit”. Pak muaj më vonë, le të themi në janar 2018, shpërthen skandali: raportohet se ka dyshime që dy agjentë të AKI-së kanë dëshmuar rrejshëm para gjykatës për të diskredituar liderin e njërës prej partive kryesore opozitare, me qëllim që kjo parti të shpallet antikushtetuese dhe lideri i saj të futet në burg.

Po të kishte bërë vërtet vaki kjo, opozita do të protestonte ashpër, do të ankohej e alarmonte për shtetin e kapur, do të bënte thirrje për rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga VV. Opozitës do t’i dilte në krah krejt rrjeti nëntokësor “medial”, portale me adresa e pa adresa, (k)analistë e matadorë studiosh televizive.

Lexo më shumë  Komandanti i KFOR-it: Ngjarjet në Kosovë ndikuan te siguria në rajon, dërguam 1,000 trupa

Ka ndodhur e kundërta: ndërsa Vetëvendosje ishte në opozitë, dy agjentë të AKI-së dyshohet se kanë dhënë dëshmi të rrejshme në gjykatë për të futur në burg liderët e VV-së si Albin Kurti dhe Glauk Konjufca. Në atë kohë kryetar i Kosovës ishte një person me karrierë të gjatë në PDK, pra Hashim Thaçi, ndikimi i të cilit në institucionet e sigurisë ishte tepër i madh. Në 5 vitet e fundit në pushtet kanë qenë në aleanca të ndryshme PDK, LDK dhe AAK. Tani që janë bërë publike dyshimet për rolin e agjentëve të AKI-së, opozita e sotme që deri dje ishte në pushtet – hesht.

Asnjë fjalë nga PDK, LDK apo AAK për skandalin e fundit të AKI-së. Me ndonjë përjashtim minor, heshtin edhe portale me adresa e pa adresa, (k)analistë e matadorë studiosh televizive. Asnjë kërkesë që drejtësia të ndriçojë këto dyshime ndaj agjentëve të AKI-së. Asnjë shprehje shqetësimi për keqpërdorimin eventual të AKI-së për beteja të brendshme politike. PDK shtiret si parti që ka merita për shtetndërtim, LDK krenohet se është parti institucionaliste, AAK shitet po ashtu si parti që në plan të parë e ka shtetin e Kosovës.

Por përbetimet e tyre për shtetin janë qesharake për aq kohë sa heshtin për skandale e afera që prekin të drejtat themelore të qytetarëve. Kaq sa i përket kredibilitetit të PDK-së, LDK-së e AAK-së.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *