Art & Kulturë

Arti që shpërfaq atë që shohin gratë

A ka diçka të tillë si “shikimi femëror”? Për vite me radhë, ka pasur një debat në mes të studiuesve të artit në lidhje me “shikimin mashkullor”, ose mënyrat sesi burrat i konsideronin dhe portretizonin trupat e grave, të zhveshura dhe të veshura, gjatë gjithë historisë.

Çfarë ndodh atëherë, kur gratë krijojnë portrete? A i shikojnë ata subjektet e tyre ndryshe?

Kjo pyetje ishte në mendjen e kuratores Theodora Vischer të fondacionit “Beyeler” derisa punoi për ekspozitën e saj, “Nga afër”, e cila u hap muajin e kaluar në “Beyeler” në Bazel të Zvicrës.

Me rreth 100 vepra të artit, ekspozita paraqet portrete (përfshirë edhe autoportrete) nga nëntë gra. Portretet janë nga viti 1870 e deri më sot, përfshirë ato të Mary Cassatt, Frida Kahlos, Cindy Shermanit dhe Marlene Dumas.

Në fillim, puna e këtyre artistëve mund të duket se nuk ka lidhje: Çfarë kanë të bëjnë vajzat e vogla të Mary Cassatt duke luajtur në dritën e diellit të një kopshti të shekullit XIX me portretin kërcënues të Marlene Dumas të vitit 1994 të titulluar “Piktori”, një imazh i vajzës së saj, në të cilën duart e fëmijës duket se janë të mbuluara me gjak?

Për zonjën Vischer ato përfaqësojnë ndalesa në linjën që fillon me momentin kur grave iu “lejua“ të pikturojnë. Linja që përfundon në të tashmen, një kohë kur veprat e tyre po fitojnë një vlerësim dhe pranim në rritje në panteonin e historisë së artit.

“Shfaqja u lejon të merrni pjesë në një formë alternative të historisë së artit”, ka thënë Donatien Grau, një shkrimtar francez, kritik arti dhe kurator në “Musée d’Orsay” në Paris, i cili shkroi një nga esetë e katalogut. Siç ka thënë ai, është historia e artit e parë përmes syve të artisteve.

Në harkun prej 150 vjetësh, periudhë që mbulon ekspozita, gratë në përgjithësi dhe artistet, në veçanti, ishin në gjendje të zgjeronin sferën e tyre të ndikimit përtej shtëpisë dhe në shoqërinë më të madhe. Ndryshimi u pasqyrua në portretizime që reflektonin çështjet shoqërore më gjerësisht.

“Ideja e portretit pësoi një transformim gjithëpërfshirës në fillim të periudhës që lidhet me ekspozitën tonë”, ka shkruar zonja Vischer në katalogun e ekspozitës. Kjo lëvizje është “e lidhur me një rivlerësim themelor të konceptit të individualitetit”.

Lexo më shumë  “Rrugës” në Cannes – shansi i radhës i Kosovës për “Palmën e Artë”

Në ekspozitë janë edhe veprat e piktoreve impresioniste si Berthe Morisot dhe Mary Cassatt, që bëri hapat e parë radikalë në fund të shekullit XIX duke guxuar të portretizojë njerëzit në qarqet e tyre të afërta – gra, burra dhe fëmijë, si dhe veten e tyre.

“Sot kjo mund të mos tingëllojë aq e veçantë, por atëherë në ato kohë ishte tepër e rëndësishme”, ka thënë ajo. “Ato krijuan një ndryshim, një ndryshim në perspektivë, nga të qenit model, person që një piktor po shikon, në të qenit vetë piktor”.

Për shembull nga 294 portretet e pikturuara nga Berthe Morisot, vetëm rreth 10 janë portrete të burrave. Pjesa tjetër janë gra dhe fëmijë. Kjo ishte pjesërisht sepse gratë ishin të kufizuara të përdorin modele të gjalla deri në mesin e shekullit XIX. “Jam shumë nervoze për të detyruar dikë tjetër të ulet e të pozojë për mua”. Modelet e saj ishin nëna dhe motrat e saj, kështu që në njëfarë kuptimi ajo po krijonte një imazh të botës, në të cilën jetonte.

“Nga afër”, është rregulluar në mënyrë kronologjike, ku secilës artiste i është dhënë një dhomë e saj dhe shfaq rreth dhjetëra vepra, ka bërë të ditur Vischer. Artistë të tjerë të përfaqësuar përfshijnë Paula Modersohn-Becker, Lotte Laserstein, Elizabeth Peyton dhe Alice Neel.

“Është e rëndësishme që thjesht t’i prezantoni artistët me portretet e tyre dhe pastaj t’i lini vizitorët të bëjnë vetë krahasimet”, ka thënë Vischer. “Jam e sigurt, për shembull, duke ardhur nga dhoma e Alice Neel dhe duke hyrë në veprat e Marlene Dumas do të jetë e qartë se ekziston një lidhje. Ose kur dikush është në dhomën e Elizabeth Peyton, ata do të mendojnë përsëri për Berthe Morisot në fillim të ekspozitës”.

Neel, kohët e fundit subjekt i një retrospektive të madhe, “Alice Neel: Njerëzit vijnë së pari” në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork, mund të shërbejë si një lidhje midis nëntë artistëve, ka thënë Vischer. Ajo është “vendimtare sepse puna e saj mbulon këtë periudhë nga vitet 1930 deri në fillim të viteve 1980, kështu që ajo me të vërtetë jep një lloj panorame të veprës së shekullit të kaluar”.

Lexo më shumë  “Rrugës” në Cannes – shansi i radhës i Kosovës për “Palmën e Artë”

Siç theksoi ekspozita e “Metropolitan”, portreti i piktores Neel ishte intime dhe publike; pikturat e saj përshkruajnë aktivistë, artistë, fqinjët e saj në East Harlem, gra shtatzëna dhe nëna, shpesh nudo. Çështja ishte, dhe mbetet, në thelb kontroverse siç ka thënë Grau, sepse ajo pasqyronte “subjekte që nuk duheshin të pikturoheshin”.

Sipas këndvështrimit të zotit Grau, këto artiste shpesh janë të interesuara në mënyrë eksplicite për marrëdhënien midis artistit dhe atij që portretizojnë dhe ato e përshkruajnë atë dinamikë në kanavacë.

Veprat e tyre “kapin ato ndërveprime si pjesë e krijimit të një bote alternative”, ka thënë ai. “Nuk ka pse të jetë e ashtuquajtura pamja ‘kryesore’ e historisë, por mund të jetë ambienti përreth jush, e që është peizazhi i saj politik”

E thënë ndryshe, siç vëren Grau në esenë e tij të katalogut për artisten Peyton: “Një portret nuk duhet të jetë imazhi i një individualiteti, i konceptuar si një ishull, në të cilin askush nuk mund të hyjë, përveç portretistit. Një portret mund të jetë një mënyrë për t’u zhytur në detin e jetës“.

Pra, a ekziston një gjë e tillë si “shikimi femëror”? Vischer ka thënë se ajo përfundimisht arriti në përfundimin se ndoshta nuk kishte asnjë mënyrë të vetme për të përcaktuar sesi gratë artiste i perceptojnë subjektet e tyre. Por, ajo pranoi: “Vështrimi i artistëve formohet nga përvojat e tyre të jetuara, të cilat janë të ndryshme për gratë dhe burrat”.

Për Graun, shikimi femëror mund të përkufizohet si thjesht trajnimi i vrojtimit të një personi për çështje të ndryshme, në mënyra të reja. “Të shikosh është një mënyrë e krijimit të botës”, ka thënë ai, “dhe kjo është politike”./kohanet/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *