Lajme

Arrestohet një serb në Bërnjak për “prishje të rendit kushtetues të Kosovës”

Një serb me inicialet S.S. është arrestuar të shtunën në pikën kufitare të Bërnjakut për “prishje të rendit kushtetues të Kosovës”, ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Ai u arrestua rreth mesditës, rrugës për në Serbi. Është duke u marrë në pyetje, ndërsa Elshani nuk dhënë detaje të tjera.

Siç raporton KoSSev, bëhet fjalë për një serb i cili u plagos me armë në vjeshtën e vitit 2021 gjatë aksionit të njësive speciale të Kosovës në veri.

Autoritetet serbe akuzuan Policinë e Kosovës “për plagosje të pajustifikuar”. Por institucionet e Kosovës kishin thënë se nuk ishte e qartë se nga cila anë kishte ardhur plumbi.

Lexo më shumë  Shpopullimi në shifra: Shqipëria me 36 mijë më pak nxënës në dy vite

Më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit, që detyroi edhe shoferët nga Serbia ta kalonin të njëjtën procedurë për të hyrë në Kosovë si ata nga Kosova kur hynin në Serbi.

Por, kjo masë nxiti pakënaqësi në mesin e popullatës serbe në Kosovë, të cilët bllokuan rrugët që çonin në pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Për të ulur tensionet, me ndërmjetësimin e bllokut, më 30 shtator 2021, u arrit marrëveshja e përkohshme për targat. Kjo marrëveshje, që kishte për qëllim të ishte në fuqi për gjashtë muaj derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjate, bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve.

Lexo më shumë  Daniele Macheda: Shumë e rëndë që Meloni sulmon një investigim gazetaresk

Më 25 dhjetor të vitit të kaluar, qeveria serbe vendosi të lejonte automjetet me targat RKS në territorin e saj. Në janar, Qeveria e Kosovës vendosi të hiqte nga përdorimi letrat ngjitëse në automjetet me targa të Serbisë. 

Rruga Press

YouTube player