Lajme

Arrestohet ‘këngëtari’ Nuredin Gashi-Drenica, për gjuhën kërcënuese e përkrahëse ndaj deklaratave për vrasjen e Albin Kurtit

Policia e Kosovës ka arrestuar gjatë ditës së sotme këngëtarin popullor Nuredin Gashi.

Burime të KosovaNews brenda Policisë së Kosovës tregojnë se arrestimi i këtij personi, që paraqitet si këngëtar, ka ardhur pasi ai mbrëmë në një paraqitje televizive ka përdorur gjuhë të urrejtjes dhe përkrahje për deklaratën e Faton Klinakut, ku përmendej vrasja e kryeministrit Albin Kurti.

Me urdhër të prokurorit Nuredin Gashi është dërguar në paraburgim prej 48 orësh.

Përkrahësi i Faton Klinakut, Nuredin Gashi, që në rrjetet sociale paraqitet si Nuredin Drenica njihet si mbështetës i zjarrtë i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka deklaruar mbrëmë se çdo person i cili kryen veprime, sipas tij, të këqija sikurse kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, duhet të vritet.

Në një lidhje direkte në“Debat Plus”, Gashi ka komentuar deklaratën e Faton Klinakut gjersa quajti tradhtar Kurtin dhe subjektin politik të tij.

Lexo më shumë  Nga Kaçaniku te Pavarësia. Kurti kujton 36-vjetorin e Republikës

“E kam thënë dhe e them prapë, nuk e marr tragjike deklaratën e Faton Klinkaut sepse atdheu është më me vlerë sesa të gjitha. Konsideroj se çdo njeri i cili bën të këqija, siç bën Albin Kurti, dhe po të isha në vendin e tij, duhet të vritet patjetër sepse është tradhti ndaj atdheut. Konsideroj se partia e Kurtit dhe stafi i vet janë tradhtarë të vendit”, ka deklaruar ai.

Ky person që paraqitet edhe si këngëtar edhe më parë ka përdorë gjuhë kërcënuese ndaj kryeministrit Albin Kurti, madje edhe në këngët e tij bën thirrje për vrasje.

Ndryshe, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), Faton Klinaku, është intervistuar nga policia lidhur me deklaratën e tij për kryeministrin Albin Kurti, e cila u vlerësua si kërcënim ndaj tij, pasi përmendej edhe vrasja.

Lexo më shumë  Kurti takon ambasadoren e re të Suedisë në Kosovë, kërkon vazhdimin e mbështetjes për integrimin euro-atlantik

Klinaku ka ndarë dje në rrjetin social në Facebook një bisedë që ka pasur me një votues të Kurtit, ku, ndër të tjera, ka thënë se “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.

Ndaj kësaj deklarate ka pasur reagime të shumta si nga politika ashtu edhe nga shoqëria civile, duke e quajtur si të pa pranueshme mbjelljen e urrejtjes dhe në një mënyrë edhe thirrje për vrasje. /kosovanews/

Rruga Press

YouTube player