Arrestohen dy tifozët holandezë, rrahën qytetarin shqiptar që u shtrua në spital
Ndeshja mes Romës dhe Feyenoord mbaroi, megjithatë arrestimet ndaj tifozëve që shkaktuan trazira duket se nuk kanë ndalur.
Burime zyrtare të policisë raportojnë se kanë arrestuar dy të rinj holandezë, konkretisht 23-vjeçarin D. B., dhe 21-vjeçarin D. H.
Këta dy shtetas, në bashkëpunim me të tjera persona ende të paidentifikuar, kanë goditur me sende të forta shqiptarin A. G., i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
NJOFTIMI ZYRTAR
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve D. B., 23 vjeç dhe D. H., 21 vjeç, banues në Holandë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Këta shtetas, më datë 24.05.2022, në Rrugën e Barrikadave, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë goditur me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasin A. G., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Rruga Press