Lajme

Ardita Sinani flet për Shqiprim Arifin: Ai e kritikon gjithnjë Kryeministrin e Kosovës, e asnjëherë Beogradin zyrtar

Këshilltarja e Kryeministrit të Kosovës dhe ish-kryetare e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, tha në një intervistë se Shqiprim Arifi, “duke e sulmuar Kosovën gjithmonë ka fshehur dështimin e tij”. Këshilltarja politike e kryeministrit Kurti ka akuzuar Arifin se vazhdimisht po e kritikon vetëm Kosovën dhe asnjëherë Serbinë.

“Ne politikanët e Luginës së Preshevës duhet të jemi bashkë kundër diskriminimit të Serbisë. Kryetari në ikje i Komunës së Preshevës është për keqardhje, sepse realisht nuk është as kryetar komune e as kryetar partie. Prej 24 tetorit nuk ka shumicë dhe kuvendi është i shpërbërë. Zakonisht, vazhdimisht kritikon Kosovën dhe asnjëherë Serbinë. Ai do të kishte qenë mirë ta kishte detyrën e vet për kryetar komune për këta tetë vjet sa ka qenë kryetar komune. Gjendja në Komunën e Preshevës është përkeqësuar çdo ditë e më tepër. Ky, duke e sulmuar Kosovën, gjithmonë ka fshehur dështimin e tij si kryetar komune në ikje. Realisht, është humbës i katër proceseve zgjedhore radhazi, rezultati i fundit i zgjedhjeve parlamentare e dëshmon. Është tregues i qartë se me 940 vota në komunën e Preshevës e më pak në ato të Bujanocit e Medvegjës, është një sinjal shumë i qartë i sovranit preshevar që ky nuk ka legjitimitet. Dhe që nga 28 nëntori nuk ka arritur për këta muaj të mbajë seancë dhe me rezultatet e fundit të 17 dhjetorit ky ka marrë dënimin më të madh nga qytetarët e Luginës së Preshevës”, ka thënë Sinani.

Lexo më shumë  Ministrja Haxhiu – opozitarëve: Jeni bërë milionerë veç duke qenë në qeveri

Ajo ka shtuar se në proceset më të rëndësishme dhe vendimmarrëse për Kosovën, Arifi kritikon qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin e saj, e asnjëherë Beogradin zyrtar.

“Të gjitha deklaratat e tij janë të pavërteta, si ndaj neve politikanëve të Luginës së Preshevës e posaçërisht ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës. Asnjëherë nuk kritikon Beogradin, asnjëherë nuk kritikon Serbinë, dhe të gjitha akuzat në proceset më të rëndësishme dhe vendimmarrëse për Kosovën ai del kritikon Qeverinë dhe kryeministrin e Republikës së Kosovës… Zotëri Arifi ka qenë i ftuar në disa takime nga Qeveria e Republikës së Kosovës, gjegjësisht nga kabineti i kryeministrit Kurti. Ai nuk i është përgjigjur ftesës së Qeverisë dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës. Të gjitha këto akuza e tij janë të pavërteta dhe të pabaza”, ka thënë Sinani.

Lexo më shumë  Ambasadori i Finlandës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të bëhet realitet

Këshilltarja politike e shefit ekzekutiv, Ardita Sinani ka thënë se lista me të cilën kishte garuar Arifi, bënte thirrje për bojkot e distancim nga Republika e Kosovës, e sipas saj asnjëherë ndaj asaj të Serbisë.

Sinani ka thënë se partitë politike në Luginë të Preshevës po veprojnë në kushte diskriminimi shtetëror dhe në gjendje të rëndë socio-ekonomike.

Ajo ka shtuar se Beogradi zyrtar synon që shqiptarët e Luginës të jenë sa më pak të organizuar, prandaj kanë nevojë për më shumë cilësi, organizim dhe angazhim, në mënyrë që të bëjnë pluralizmin e politikës shqiptare karshi Serbisë.

Rruga Press

YouTube player