Lajme

Apeli ul dënimet për Gucatin e Haradinajn me tre muaj

Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë vendosi sot që të ulë dënimet për tre muaj, për ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Dënimet e njësuara, sipas Apelit, do të jenë prej 4 vjetësh e tre muaj burgim dhe paneli i Apelit tha se koha e qëndruar në paraburgim do t’iu llogaritet në dënim.

Më 18 maj 2022, Gucati dhe Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të administrimit të drejtësisë, duke u dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim.

Që të dy janë në paraburgim në Hagë që nga shtatori i vitit 2020.

Paneli i Apelit, gjatë senacës të mbajtur më 2 shkurt, tha se Gucati kishte paraqitur 20 arsye dhe disa pika, ndërkaq Haradinaj 24 arsye të tjera.

Nga to, Paneli pranoi vetëm një prej tyre, për pikën gjashtë të aktakuzës për zbulimin e paautorizuar të identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur.

Lexo më shumë  Arsimi në tkurrje të shpejtë në Shqipëri, bie numri i nxënësve dhe studentëve në 3.7% në vitin akademik 2023-2024

Paneli pranoi një prej pikave të apelit të të akuzuarve që kishin të bënin me një person që publikisht kishte pranuar se po bashkëpunon me prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Paneli i Apelit gjykon se konstatimet me frikën dhe shqetësimin e këtij personi, shkaktuar nga përmendja e emrit të tij publikisht si dëshmitar, nuk bazohen në provat e disponueshme në këtë çështje gjyqësore”, tha paneli i Apelit.

Po ashtu, Apeli vlerësoi se gjykata kishte gabuar kur kishte bashkuar disa vepra penale në një të vetme, por vlerësoi se një gjë e tillë nuk ndikoi në dënimin e shqiptuar në shkallën e parë.

Ndryshe, avokatët e Gucatit dhe Haradinaj menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit në shkallën e parë kishin apeluar vendim, duke thënë se presin zvogëlim të dënimit.

Ata kishin argumentuar se një dënim i tillë “është dukshëm i tepërt dhe përtej ndonjë dënimi të shqiptuar më përpara në ndonjë tjetër rast të krahasueshëm”.

Lexo më shumë  Lubonja: Nëse SPAK do ishte i pavarur, Veliaj do të arrestohej

Haradinaj dhe Gucati u arrestuan më 5 shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo kohë janë në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ata dyshohej se po atë vit, përmes disa konferencave për media, në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kishin shpërndarë për gazetarët dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Gucati dhe Haradinaj kishin zbuluar informacion të mbrojtur, duke synuar që të zbulonin qindra dëshmitarë apo dëshmitarë të mundshëm të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Prokuroria e Specializuar ka argumentuar se me shqiptimin e dënimit ndaj Gucatit dhe Haradinajt është “vendosur drejtësi”.

“Frikësimi apo hakmarrja ndaj këtyre viktimave është, sipas mendimit tim, krim shumë i rëndë që godet në zemër aftësinë e këtij institucioni për të dhënë drejtësi dhe sundimin e ligjit”, kishte deklaruar prokurori i atëhershëm i Specializuar, Jack Smith./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *