Lajme

Analisti amerikan e quan Borrellin të pacipë

Takimi tetëorësh i mbajtur të hënën në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e shefit për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, përfundoi pa një marrëveshje që do të zgjidhte ngërçin e krijuar për targat.

Në këtë takim u propozua që Kosova të shfuqizojë vendimin për gjoba ndaj qytetarëve serbë që kanë targa të lëshuara nga Serbia në veturat e tyre, kurse Serbia të ndalojë së lëshuari targa për serbët në veri të Kosovës.

Ky propozim, sipas njohësit të çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Daniel Serwer, po shihet si përpjekje për ta detyruar Kosovën të pranojë diçka më pak se ajo që synonte.

Në një përgjigje për teve1.info, Serweri thotë se Qeveria e Kosovës është në të drejtën e saj për të kërkuar ndërrimin e targave.

“Mendoj se Qeveria e Kosovës është e qartë brenda të drejtave të saj për të insistuar në targat e Kosovës për veturat që u përkasin banorëve të Kosovës. Pyetja është nëse oferta e presidentit Vuçiq për të ndaluar lëshimin e targave KM do të jetë një hap serioz në këtë drejtim. Apo Serbia do të lëshojë vetëm targa serbe, ndoshta nga Rashka, për qytetarët serbë të Kosovës? Apo serbët në veri të Kosovës do të vazhdojnë të përdorin targat KM? Më duket se duhet të ketë qartësi për pikën përfundimtare, si dhe pikën e fillimit”, tha ai.

Lexo më shumë  KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës përfundojnë stërvitjen “Golden Sabre 2024”

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është pa dyshim autoriteti i duhur ligjor në veri të vendit.

“Ajo duhet të mbështetet, jo të minohet”, deklaroi ai.

Propozimin, Kurti e Vuçiqi thanë se kishin pranuar, por që kryeministri i Kosovës kishte kërkuar që menjëherë të nisin bisedimet për planin franko-gjerman, e që sipas tij, kjo ishte refuzuar nga Borrelli.

Por, Server theksoi se normalizimi i marrëdhënieve është më i rëndësishëm se targat, duke i dhënë mbështetje kryeministrit Kurti që të nisin bisedimet për një marrëveshje finale.

Madje, ai tha se përfaqësuesi i lartë i BE-së u tregua i pacipë që refuzoi një gjë të tillë, duke thënë se afati i marsit 2023 për një marrëveshje finale nuk mund të arrihet.

“Sigurisht që mendoj se kryeministri ishte brenda të drejtës së tij për të kërkuar diskutimin e planit franko-gjerman, të cilin e kuptoj se e ka pranuar por presidenti serb Vuçiq e ka refuzuar. Afati i marsit 2023 nuk ka gjasa të përmbushet, por Borrelli ishte i pacipë që nuk e përmendi këtë diskrepancë (mosmarrëveshje), shtoi për teve1.info

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti: Qeveria e Kosovës po harton ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi

Ndaj deklaratës së Kurtit ka reaguar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka thënë se është i pavërtetë çfarë do pretendimi se BE-ja është duke hequr dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas tij, mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.

Pas dështimit të marrëveshjes të hënën në Bruksel, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova ka shtyrë vendimin për targa për 48 orë.

Kjo për Serwerin është në rregull. Por ajo se çfarë nuk qëndron mirë për të është “Uashingtoni që ngacmon Prishtinën për të pranuar zgjidhje gjysmë të pjekura”.

Të mërkurën në Bruksel pritet që kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë të mbajnë takim për gjetjen e një zgjidhjeje për targat.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *